Krimi i pandëshkuar

Opinione

Krimi i pandëshkuar

Nga: Endrit A. Binakaj Më: 29 mars 2018 Në ora: 06:17
Endrit A. Binakaj

Pranvera e hershme e vitit 1999 shënon periudhën më të kobshme të popullit të Kosovës, ngase regjimi fashist i Millosheviçit kishte intensifikuar fushatën sistematike të vrasjeve, djegieve, torturave dhe masakrimin e civilëve të pafajshëm jo vetëm në fshatin Beleg të komunës së Deçanit por edhe në tërë territorin e Kosovës.

Masakra e Belegut është njëra ndër krimet më të tmerrshme e kryer nga forcat e rregullta policore dhe ushtarake serbe mbi popullatën civile jo vetëm të banorëve të fshatit Beleg por edhe të fshatrave tjera, ngase ato ditë fund-marsi kishte banorë të ikur nga zonat tjera të luftës që gjendeshin përkohësisht në Beleg. Akti barbar i Masakrës së Belegut ka ndodhur më 29 dhe 30 mars 1999, vetëm pesë ditë pasi që kishin filluar bombardimet e Aleancës Veri-atlantike të NATO-s mbi caqet serbe. Motivet për shfarosje të shqiptarëve nga regjimi serb nuk janë ide të reja, ato madje janë të projektuara nga institucionet akademike që njihen tashmë historikisht nga shekulli i kaluar, këto elaborate dhe platforma shfarosëse fashiste shteti serb i kishte përdorur vazhdimisht kundër spastrimit etnik të shqiptarëve, por qe kulmuan me përndjekjen dhe vrasjen e mijëra shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Një ditë para së të ndodhte Masakra e Belegut, pra më 28 mars të vitit 1999, makineria serbo-sllave ishte thyer keq në njërën prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Pozhar, lokalitet shumë afër Belegut. Kjo betejë njihet si beteja triumfale tek ‘Ura e Pozharit’, ku forcat serbe pësuan disfatë të rëndë nga djelmoshat e UÇK-së, të cilët edhe pse jo të barabartë në numër dhe municion ushtarak, falë motivit të jashtëzakonshëm arritën të zmbrapsin bishën serbe duke i shkaktuar humbje të mëdha qoftë në anën humane dhe atë materiale. Në këtë betejë triumfi ranë dëshmorë dy luftëtarët e dalluar të UÇK-së, Elez Geci dhe Maxhun Berisha. 

Forcat paramilitare serbe, të tërbuara nga humbjet e vazhdueshme ndaj UÇK-së në terren, rezistenca që i kishte bërë fshati Beleg gjatë vitit 1998, si dhe fillimi i bombardimit nga NATO, e vetmja kundër përgjigje e tyre ishte sulmi dhe hakmarrja ndaj popullatës civile të pambrojtur të fshatit Beleg, duke bërë kështu njërën ndër krimet më të llahtarshme në luftën e fundit në Kosovë.

Mëngjesi i 29 marsit 1999 ishte i kobshëm për Belegun, në agun e asaj dite të zezë, fshati Beleg u pushtua nga njësitet ushtarako-policore serbe, të cilat me makinerinë dhe arsenalin më të rëndë ushtarak filluan fushatën e vrasjeve, masakrimit, torturave dhe djegieve në fshatin tim të lindjes, Belegun. Aktet barbare dhe mizore forcat çetnike serbe i kishin filluar në lagjen Vishaj, në pjesën e poshtme të fshatit, ku në prani të familjarëve u pushkatuan: Naim dhe Nezir Vishaj si dhe profesor Daut Aliçkaj.

Aktet çnjerëzore të regjimit serb mbi popullatën e pafajshme të Belegut vazhduan edhe në lagjen time, në pjesën e epërme të fshatit, duke i grumbulluar gjithë popullatën civile jo vetëm banorë të Belegut por edhe të fshatrave tjera, ngase fshati Beleg atëbotë ishte mbipopulluar edhe me banorë të vendeve tjera që ishin të strehuara përkohësisht në Beleg. Të gjitha këto skena vuajtje e krimi i kisha përjetuar si fëmijë, atëbotë vetëm 9 vjeçar, pamjet e këtij tmerri lufte i ka regjistruar mjaftë mirë kujtesa ime afatgjatë pasi qe të gjitha këto i kam shënuar dhe dokumentuar në trajtën autobiografike në librin tim të parë ‘’Rrëfime për Masakrën e Belegut’’, botuar në vitin 2015, libër e cila përpos rrëfimit tim personal posedon edhe rrëfimet autentike të mbijetuarve të Masakrës së Belegut, familjarëve të të rënëve, të cilët na japin një tablo të qartë të gjenocidit të kryer nga forcat serbe ndaj popullatës civile të Belegut.

Në vitin 2016, në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të Masakrës së Belegut kam promovuar librin tim të dytë, ‘’Masakra e Belegut 29-30 mars 1999’’, përkitazi më këtë ngjarje të rëndë. Ky botim është vazhdimësi dhe plotësim i librit tim të parë, madje ka edhe format paksa më ndryshe, ngase përpos që shpjegon detajshëm Masakrën, jap edhe një pasqyrë të organizimit ushtarak dhe të krijimit të celulave të para të UÇK-së në fshatin Beleg. Boshti i kësaj vepre është ndërtuar mbi jetën dhe veprën e secilit që është vrarë dhe masakruar më 29 dhe 30 mars 1999 në Beleg të Deçanit. Aty është përshkruar jeta e secilit martirë që është masakruar që nga lindja e deri tek rënia heroike e tyre më 29 mars 1999.

Si autor i dy librave për Masakrën e Belegut sigurisht qe nuk ishte e lehtë ta ktheja veten prapa në kujtime të errëta fëmijërore, po ashtu nuk ishte aspak e lehtë as për të mbijetuarit  dhe familjarët e të rënëve në Masakrën e Belegut, t’i ktheje prapa në momentet më të tmerrshme të jetës së tyre, por e ndieja një obligim së pari njerëzor e kombëtar që t’i përkushtohesha kësaj ngjarje të lënë në harresë fatkeqësisht dhe thuajse aspak e trajtuar, duke mbledhë fakte dhe dëshmi autentike nga të mbijetuarit dhe natyrisht duke shpalos kujtimet dhe përjetimet personale si fëmijë 9 vjeçar.

Sot, shënojmë përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të Masakrës së Belegut, pra janë bërë gati dy dekada që nga momenti kur ka ndodhur krimi më barbar i Serbisë mbi popullatën civile të fshatit Beleg. Edhe nga kjo distancë kohore shumica e të rënëve në Masakrën e Belegut mbesin të zhdukur, vetëm 12 persona janë identifikuar deri më tani nga 46 të vrarët, pra 34 prej tyre të vrarë në Beleg mbesin ende të zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Krejt në fund të kësaj përmbledhje ajo që mbetët shqetësuese për mua si autor dhe përjetues i Masakrës si dhe i familjarëve të të rënëve në Masakrën e Belegut është se kriminelet nuk e kanë marrë dënimin e merituar, edhe pse dihen me emra dhe mbiemra shumica prej tyre janë, policë të MUP-it në stacionin policor të Deçanit, madje për këtë shumë dëshmitarë të mbijetuar të Masakrës së Belegut kanë dëshmuar në organet e drejtësisë, fillimisht menjëherë pas luftës tek autoritet e UNMIKU-t pastaj në EULEX si dhe dëshmitë e tyre i kanë deponuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Përkundër këtyre dëshmive prap së prapë, drejtësia po heshtë për Masakrën e Belegut, po heshtin institucionet që duhet të merren më këto krime, sigurisht që Kosova duhet të kërkoi nga faktori ndërkombëtar qe t’i bëjë presion shtetit serb që të kthehen sa më shpejtë eshtrat e 34 të zhdukurve në Masakrën e Belegut në kuadër të numrit total prej 1600 personave që konsiderohen të zhdukur në nivel Kosove.

Kthimi i eshtrave të të rënëve dhe dënimi i autorëve të krimit në Masakrën e Belegut por edhe në lokalitetet tjera në Kosovë do ishte së paku një satisfaksion për familjarët e të rënëve të cilët nuk ua dinë as varrin më të dashurve të tyre, madje varrezat kanë mbetur bosh vetëm me epitafet e shkruara.

Drejtësia sa më parë të thotë fjalën e saj, Serbia meriton ndëshkimin e rëndë!

(Është autor i dy librave për Masakrën e Belegut)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat