Banaliteti, injoranca dhe krimi, si “normalitet”

Opinione

Banaliteti, injoranca dhe krimi, si “normalitet”

Nga: Nehat Hyseni Më: 20 prill 2018 Në ora: 22:16
Nehat Hyseni

Kosova është bërë “nëna e vakive”, ku nga goja e pushtetmbajtësve aktualë gjithçka mund të dëgjosh e përjetosh, si në cirk të hapur e të pafund.

Gjithçka në qeverisjen e Republikës së Kosovës është kthyer mbrapsht dhe injoranca, arroganca, banaliteti e krimi janë kthyer, si me magji, në “normalitet”!

Gjatë vitit 2017 kishim dy palë zgjedhje në Kosovë, zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare në qershor dhe zgjedhjet lokale në vjeshtë.

Rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare nuk prodhoi mazhorancë qeverisëse të shqiptarve në Republikën e Kosovës.

Prandaj, u zvarrit gjatë kohë procesi i formimit të Qeverisë dhe konstituimi i mazhorancës qeverisëse aktuale.

Për herë të parë në historinë e pas luftës u formua Qeveria nga “krahu i luftës”, me minorancën shqiptare, të ndihmuar nga koalicioni i partive serbe të dirigjuara e të kontrolluara nga Beogradi, Lista Srpska, e cila pas intervenimit të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicën veriore, deklaroi se doli nga ky koalicion qeverisës.

Kështu, tani e tutje Kosova ka mbetur që të qeveriset nga pakica dhe po paralajmërohen zgjedhjet e reja parlamentare.

Por, kjo Qeveri, e formuar në shtatorin e vitit 2017, nga PDK, AAK, Nisma dhe Lista Srpska, në krye me kryeministrin Haradinaj, apo “Rambon” e Kosovës, do të mbahet në mend gjatë kohë për udhëheqjen skandaloze dhe abuzimin me pushtetin, Kushtetutën dhe ligjet deri në ekstrem.

Meqë pretendohej pushteti më çdo kusht nga të vetëquajturit “çlirimtarët”, si dhe posti i kryeministrit nga Ramush Haradinaj, Republikës së Kosovës iu parapërgatit skenari më i padenjë dhe i turpshëm i qeverisjes me shtetin në mënyrë skajshmërisht abuzive e kriminale, e cila të gjitha sukseset e arritira deri më tani, i ka rrezikuar tmerrësisht.

Madje edhe njohjet e pavarësisë së Kosovës, jo vetëm që kanë ngecur, por ato kanë filluar edhe të zvogëlohen, duke u mohuar njohjet parreshtur nga shtetet e caktuara. Diplomacia kosovare është duke shënuar disfatë nga diplomacia agresive e antishqiptare e Serbisë.

Morali politik i liderëve aktualë ka degraduar në përmasa brengosëse dhe është rrezikuar seriozisht ardhmëria e këtij vendi.

Ramush Haradinaj erdhi në pushtet me kauzën për mbrojtjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që sipas tij do duhej të përfshinte edhe Kullën e Çakorrin, por sapo erdhi në pushtet ai dështoi në mënyrë katastrofale dhe “harroi” se çfarë kishte thënë e premtuar derisa ishte në opozitë.

Aktualisht, në kreun e qeverisjes shtetërore në Republikën e Kosovës janë ngatërruar gjërat deri në atë masë sa që nuk duhet se cilat janë përgjegjësit e secilit institucion dhe lider të kreut të shtetit.
Presidenti dhe kryeparlamentari përzihen në kompetencat e kryeministrit dhe të Qeverisë deri në ekstrem. As ministrat nuk i binden kryeministrit dhe as që e informojnë atë, por secili prej tyre i bindet kryetarit të partisë së vet.

Prandaj, kjo qeverisje aktuale i përmgjanë një orkestri të prishur e të shthurur dhe të pakoordinuar, që prodhojnë një kakofoni politike që rrezikon vlerat elementare të demokracisë dhe ardhmërinë e vendit.

Kryeministri dhe partitë e koalicionit aktual qeverisës, më këmbëngulje mbrojnë shkeljen e ligjit, duke u arsyetuar shumë skellje kriminale, si psh armëmbajtjen pa leje dhe keqpërdorimin e tyre në dasma e ahengje, si gjëra që duhet toleruar, meqë na qenkan pjesë e traditës tonë kombëtare?!

Kryeministri Haradinaj, në një emision televiziv shkon edhe më larg dhe deklaron se pirja e rakisë na qenka gjithashtu pjesë e traditës tonë kombëtare. Prandaj edhe deri sa ishte në opozitë, krahas gazit lotësjellës. Ai me dorë të vet kishte futur në Parlament shishen e rakisë, që ia ofronte deputetëve të tjerë.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj nuk hezitoi që t’i merr në mbrojtje ministrat kriminel, që gjuajnë me armë në ahengje dhe rrezikojnë jetën e njerëzve, duke u arsyetuar paturpësisht para popullit se ky është adet i yni, që e paskemi traditë, paçka se shkilet ligji dhe nga kjo traditë e mbrapësht kanë humbur jetë njerëzish, kurse rasti i fundit i vrasjes së djalit 14 vjeçar nga pakujdesia e injoranca e xhaxhait të tij dhe ahengun e dasmës e shndërron në tragjedi familjare, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat