Kur bën moral dhe Fevziu, që s’la injorant pa promovuar dhe e ka mendjen vetëm si të mbushë xhepin

Opinione

Kur bën moral dhe Fevziu, që s’la injorant pa promovuar dhe e ka mendjen vetëm si të mbushë xhepin

Nga: Klementin Mile Më: 9 qershor 2018 Në ora: 12:48
Blendi Fevziu

Ndërsa vëren zhurmën mediatike për kalimin e përfolur të gazetarit Blendi Fevziu nga TV Klan te Top Channel, shumëkujt mund t’i kujtohet ajo loja e fëmijërisë kur merr një lule dhe, ndërsa ia heq petalet një nga një, thua me vete “më do, s’më do, më do, s’më do…”. Klani apo Topi? Topi apo Klani? Kjo paskësh qenë dilema e madhe e Fevziut, po t’i besojmë intervistës së tij për Panorama Plus. Kjo dilemë e Fevziut, me sa duket, paska provokuar ndjeshmëri të pazakonta në publik. Aq sa gazetari i famshëm e konsideroi të udhës të shprehej për to edhe në emisionin Provokacija të Muç Nanos.

Fevziu tha: “Ne po krijojmë një raport midis vlerave dhe antivlerave, zakonisht po dominohemi nga antivlerat. Ajo që po të them është që sot ne vijmë në një moment që shikon njerëz pa kulturë, injorantë, që nuk i meritojnë 45 minuta në televizion. Ndërsa shikon intelektualë, rektorë, që dalin një herë në vit”.

Ka të drejtë Fevziu, kjo është gjendja aktuale e ekraneve televizive shqiptare. Por a nuk është dhe ai vetë përgjegjës për këtë gjendje? A nuk iu ka dhënë kohë televizive dhe vlerë injorantëve tek emisioni Opinion? A nuk ka ndodhur kjo gjë për vite me radhë, qëkurse emisioni i tij nisi të transmetohet katër herë në javë?

Reflektimi i Fevziut, në qoftë i sinqertë, është tepër i vonuar. Për thuajse dy dekada ai nuk ka dhënë shenja se e shqetësonte ndopak zhurma që mbyste komunikimin në emisionin e tij; as nuk është dukur ta shqetësonin hiret e zhveshura të injoranteve pa kulturë, që u zinin vendin dhe kohën grave e burrave të lexuar, intelektualëve dhe ekspertëve; as nuk dukej t’i ketë bërë përshtypje që sidomos te emisioni i tij u fabrikuan për vite me radhë gjithologët, të njëjtët fytyra që flasin me kompetencë për gjithçka të kësaj bote.

Prandaj është e vështirë të besohet se Fevziu paska patur ndërmend të largohet nga Klani për arsye të lidhura me cilësinë. Po t’i referohemi kategorive të Kantit, alternativa shpjeguese për lëvizjen e përfolur të Fevziut mbetet të jetë në kategorinë e sasisë. Edhe kjo gjë, natyrisht, është përfolur. Thuhet se Topi do i afrojë më tepër para Fevziut, edhe pse sipas tij oferta financiare nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrje. Fevziu, për të cilin cilësia nuk duket të ketë qenë ndonjëherë synim, pretendon se nuk joshet nga sasia.

Megjithatë, zërat e fundit nga bota e medias thonë se Fevziu nuk do ikë, por do rrijë te Klani me një rrogë më shumë se të dyfishuar. Në këtë kontekst, morali mediatik nuk përfiton asgjë nga komente dhe deklarime si ato të Fevziut në intervistën e tij. Motoja “bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë” është tipikisht hipokrite dhe shërben vetëm për ta ndotur më tej ambientin mediatik. T’u flasësh gazetarëve të rinj për gazetari, kur vetë u ke bërë gjithë kohës PR-in të pushtetshmëve, është hipokrizi. Të flasësh se udhëhiqesh në vendimmarrje nga parime si cilësia dhe miqësia, kur ndoshta je gazetari më i paguar në vend, ky është humor i zi.

Lëvizje si kjo që u përfol se do të bënte Fevziu nuk ka nevojë të justifikohen moralisht. Ato janë lëvizje në tregun e medias, i cili ka logjikën, rregullat dhe konkurrencën e vet. Nëse ky treg e paguan Fevziun shumë sot te Klani dhe nesër mbase do e paguajë edhe më shumë te Topi, ose 2.5 herë më shumë te Klani, kjo dëshmon specifikat e tregut mediatik dhe interesat e organizatave të mëdha mediatike si televizionet e lartpërmendura, të lidhura me fije të dukshme dhe të padukshme në një rrjet me organizata të tjera si partitë politike dhe bizneset. Arsyet e lëvizjes së përfolur, edhe pse eventualisht të pandodhur, të Fevziut duhen kërkuar në këtë treg dhe brenda kësaj logjike rrjetesh të ndërlidhura, jo në kritere idealiste dhe emocionale të individit gazetar.

*Pedagog në UET – Titulli original: A e shëndoshi moralin mediatik intervista e Fevziut? Jo, përkundrazi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat