Masakra e Tivarit

Opinione

Masakra e Tivarit

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 16 korrik 2018 Në ora: 07:34
Masakra e Tivarit

- I sheh këto kodra të zhveshura? Me pyeta papritmas fqinji im Tali derisa po ktheheshim nga Ulqini duke kaluar nëpër Tivar me makinën e tij të vogël. Ishim unë dhe ai. Shikova kodrat të cilat sigurisht i kisha pa edhe më herët por nuk me kishin bërë përshtypje. Kodra të zhveshura, të mërzitshme që nuk thoshin asgjë, prandaj nuk me kujtoheshin me asgjë të veçantë. Rrudha më krah, nuk dija ç’t’i thosha. Ai nuk priti gjatë përgjigjen, por vazhdoi: - Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur para tridhjetë vjetësh nëpër këto shkrepa dhe nëpër këtë qytet që tash jeton qetas e më shkëlqim.

E shikova i përqendruar dhe pak i habitur. Dielli ishte në të perënduar duke i dhënë një përflakje të fundit, të veçantë asaj kodre që të dukej se po digjej nga reflektimi i rrezeve të diellit të fortë të fillim gushtit. Me kapluan djersët kur e shihja një shpërthim të tillë të diellit që ngadalë zhdukej në horizont. Brenda në makinë po ashtu bënte vapë.

Ndërkaq, qyteti shtrihej në të majtë, ngjitas me detin e bukurisë mahnitëse. E përkëdhela me shikim gjithë paanësinë e kaltërisë së mbyllët të detit në të perënduar të diellit, ndërsa topi i përskuqur ia jepte një rrëzëllim të përskuqur, të përflakur deri tej në horizont.   

 –Zot, sa shpejt i harrojmë gjërat dhe sa pak kohë duhet që të mos ketë as gjurmë as fjalë për një masakër që dikur na përvëloi, - me këndelli duke ofsha Tali, i cili gjithnjë kishte qenë misterioz në qytetin tonë. Fliteshin gjëra të pakëndshme për te. Babai im nuk kishte simpati për Talin, përkundrazi nuk e fshihte mosdurimin, por kurrë nuk e thoshte arsyen. Edhe të tjerët i druheshin. 

E shikova edhe një herë gjithë peizazhin: detin, diellin, kodrinën e zhveshur e shkrepat. Ma cyti kërshërinë, prandaj e ktheva kokën kah ai me interesim. Sikur të me kishte përcjell më vëmendje, megjithëse e voziste me kujdes makinën nëpër rrugët gjarpërore bregdetare, të ngarkuara me një kolonë të pafund makinash e maunash që lëviznin me vështirësi, ai vazhdoi: - Do të ta tregojë një tragjedi, të cilën mund ta kesh dëgjuar si nëpër ëndërr, mund të mos e kesh dëgjuar kurrë, megjithëse do të duhej ta dije. Ajo që kam dëgjuar tridhjetë vjet më parë asnjë çast nuk mu hoq nga mendja. Sa herë kaloj nëpër këtë rrugë tash njëzetë vjet, e përjetoj në të njëjtën mënyrë: me dhimbje e dëshpërim. Sa herë e trupoj qytetin e Tivarit me makinën time apo me autobus, mëngjeseve të freskëta verore, kur gati të gjithë janë në gjumë, mendja me shkon të banorët e qytetit: Sa prej tyre morën pjesë në atë masakër dhe sa të tjerë dinë për te, -vazhdonte Tali mëdyshjet që e brenin.

 Ende nuk e kisha të qartë se ku do të dilte, por kohë kishim mjaftë, kështu që nuk ia prishja. Më bëri sy e vesh. 

 Kur e kaluam kodrën e zhveshur, ai si i përhumbur, por me një kthjelltësi të habitshme me tregoi rrëfimin që kurrë nuk do ta harrojë dhe që me bëri të mbetëm pa gjumë net të tëra.      

- Ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ushtritë serbe e malazeze na kishin pushtuar. Kohë rrfijesh. Ushtarët dhe milicët e tyre endeshin si qentë e çartur. Njerëzit me nam i hante nata, të tjerët ruheshin e frikësoheshin për fatin e tyre e të familjarëve.

Një mëngjes vere si hyra në zyrë, roja e magazinës, i alarmuar me lajmëroi: - Zef Guri dhe Lush Berisha kishin mbërritur në katund fshehtazi gjatë natës. Ai me tha se kishte dëgjuar që ata dezertuan nga brigadat partizane, mobilizuar si për flakë të pushkës para disa kohësh. E dija se i nisen në bregdetin adriatik nëpër Shqipëri. U folën gjëra të frikshme për fatin e këtyre të rinjve e burrave, por askush asgjë konkretisht nuk dinte të thoshte. Disa ikën gjatë rrugës, nuk ranë në dorë të partizanëve. Vazhduan drejt kufirit grek, thuhej nëpër oda burrash kur besonin se nuk i dëgjonte askush. Të tjerët, thuhej bënë përpjekje të dezertonin me të mbërritur në Shqipëri, mirëpo partizanët shqiptar i dorëzuan në bazat malazeze afër Shkodrës. Ende pa mbërritur në kazermat e improvizuara, njësitet ndëshkuese i pushkatonin. Ajo që i rrëqethte të gjithë dhe i bënte të mos rehatoheshin natë as ditë, ishin fjalët që u përhapen për vrasjen e madhe në Tivar. Si nëpër tym kishim dëgjuar diçka, por se sa ishin vra askush nuk e dinte. U tha se asnjë nuk  shpëtoi. Të gjithë u bënë dhe, por askush nuk guxoi të hapte të pame. Të tjerët thanë, jo po brigadat kanë vazhduar drejtë veriut dhe se janë pa në Shibenik të Kroacisë.

Tmerri e përfshiu një herë Lugun e Drinit, pastaj  krejt Rrafshin e Dukagjinin prej Istogu deri në Prizren. 

 Pastaj e gjithë kjo thashethemnajë u përgënjeshtrua. Erdhën komisarët e aktivistët nga qyteti, Lugut të Drinit, katund e në katund dhe folën e folën nëpër oda, magazina grumbullimi të prodhimeve bujqësore, fushave të çelura ku i mblidhnin me detyrim katundarët. U thoshin: “Armiku po shpif. Ai po do me na ba hasem me vëllezërit malazezë e serbe. Armiqtë po flasin poshtë e lartë kinse partizanët-bokelanët e Malit të Zi vranë shqiptarë të mobilizuar dhe i lanë shkrepave të Tivarit. Nuk është e vërtete!” Shkumëzonin aktivistët nga qyteti dhe shtrëngonin grushtin. Njerëzit hapnin sytë dhe dëgjonin në heshtje. Ndonjëri kur mërzitej nga fjalët e përsëritura që nuk e jepnin asnjë kumt, pyeste nga turma: “E ku janë pra, djemtë tanë?” Me të bërë këtë pyetje komisarët e aktivistët përnjëherësh e ndërronin lëkurën e qengjit dhe i drejtoheshin turmës me tërbim:  “Kush foli? “. Ai që pyeste një herë, nuk dëgjohej më, të tjerët rrudheshin dhe nuk e bënin më asnjë pyetje. Aktivistët shkuan pa sqaruar asgjë, por duke lënë mëdyshje e frikë edhe më të madhe. Katundarët prisnin ndonjë kumt dhe lusnin Zotin t’ua sjell djemtë pa therë në këmbë. Pak kush besonte në këtë që e thoshin aktivistët nga qyteti që flisnin herë shqip e herë serbisht. Por, katundarëve që ua morën djemtë me mobilizim të dëtyrueshëm u kishte mbetur vetëm shpresa.

Para mobilizimit të këtyre fatkeqëve ma besuan një zyre të vogël, ngjitur me magazinën për grumbullimin e prodhimeve bujqësore. Me thanë të merresha me katundarët, të bëja agjitacion për regjimin e ri dhe të raportoja për çdo lëvizje dhe për çdo fjalë që flitej. “Ka kush na i thotë edhe ato që të shpëtojnë ty”, ma tërhoqi vërejtjen me cinizëm Gexha, kështu e thërrisnin Milanin, babai i të cilit pati ardhur disa vjet para fillimit të luftës në një katund bri nesh dhe ia mori tokën afër Drinit, Balajve. Kur ikën gjermanët prapë u kthye Milani me një pushkë në krah dhe me yllin pesëcepësh në kapele. Ai u bë tmerri i Lugut të Drinit. Ashtu e pati edhe babanë para lufte: mizor dhe që vrau shqiptar.

Këto po bluaja në kokë kur ma përsëdyti roja e magazinës kumtin që me drodhi. Shtrëngova rripin ushtarak, mora revolen nga tavolina dhe u nisa në Lugishtë. Nuk doja që këtë gjë ta merrnin vesh në Qark para se të dija si është puna. Rojës i thash të mos përjargej poshtë e lartë e ta bënte të madhe këtë punë pa lejen time. “Armiqtë nuk e mbajnë gojën, por përhapin dezinformata”, u përpoqa ta frikësoja. Ai me premtoi se nuk do ta çelte gojën derisa të kthehesha. Besën nuk ia kisha, por zgjidhje tjetër nuk gjeja. Bëra një copë rrugë si pa frymë dhe rashë në odën e Kurt Berishës, djali i të cilit me tha roja ishte kthyer. I tregova shkurt që e dija se Lushi e Zefi kishin ardhur mbrëmë vonë. Por i tregova se kjo punë këtu do të mbetej: me kusht që ata të mos tregonin me asnjë çmim bisedën me mua. Duhej të me tregonin si është puna. Kurti një herë u bë dhe në fytyrë, megjithëse fytyrëzbehtë e gjeta. Me përbeu në tokë e qiell të mos flisja kurrkund. Ai me ta do të me takonte, me tha, megjithëse tash ishin tepër të lodhur, të frikësuar për vdekje dhe flisnin si të kishin shkel në barin e keq të Shkallës së Sejnovës. Por me tregoi se kur flisnin mund t’i merrje vesh çka hoqën.

Me dolën para Zefi e Lushi si Uka i katundit tonë kur që kthyer nga Kampi i Përqendrimit, disa muaj më herët: asht e lëkurë dhe të gërvishtur  gjithandej. Me shihnin me sy të zmadhuar, të futur në gropë. Dukeshin si t’ishin kthyer nga Ferri.

Kurti e mbylli derën me ngujore. Para meje qëndronin dy fantazma të prishura në fytyrë, më buzët shkrumb. E zgjata dorën t’i përshëndesja, por ata vetëm lëvizën pak kokën dhe i larguan duart instiktivisht. Sytë me shkuan në duart e tyre të lidhura me beze të t’mjelave të djathit. U shiheshin duart e lënduara a të plagosura, nuk e dija nga se. Më vonë do ta merrja vesh. Një kohë, nuk e di sa ndenjëm të tretë duke e shikuar njëri-tjetrin më vëmendje. Pas një kohe Kurti na tha: “Uluni burra, mos rrini në kambë si nuset s’pari!”.     

 -Çka e mira u pruni në shtëpi, vetëm, pa Cufën e Bardhin dhe djemtë e Mahallës së Poshtme, - i cyta që të flisnin, sepse nga katundi ynë e katundet përreth mobilizuan shumë burra. Ata me panë me vëmendje: - Ne mezi shpëtuam, të tjerëve Zoti ua bëftë çarën se ditë e keqe kish qellu, -ma ktheu Zefi, ndërsa Lushi vetëm më shihte.

Mbeta pa gojë, nuk doja ta besoja se gjithë të tjerët u vranë, sepse të gjithë i dija me emër e mbiemër, ua njihja prindërit. Nuk mora pjesë në mobilizimin e tyre, por as nuk ma preu mendja se për t’i masakruar i mobilizuan.   

 –Mos bre! Munda të thosha, sepse asgjë tjetër nuk me binte ndërmend. Gati me lëshuan  këmbët nga tronditja. Dhe ata si për ta forcuar kumtin e kobshëm ia nisën herë njëri-herë tjetri:          

 -Të na vrasin filluan si kaluam në Shqipëri. Por kjo qe lule e dritë krahasuar me atë që na ndodhi në Tivar, - ia nisi Zefi.

  - Nuk e di si filloi, vetëm me kujtohet,- e vazhdoi Lushi, - që u dëgjua një breshëri automatiku.    

Ne u mblodhëm nga frika. Nuk e dinim kush ishte fatkeqi, sepse që dikush mori plumba këtë e dinim fare mirë. Për dy ditë e dy net vranë shumë shqiptar rrugës nëpër Malësi e kur kapërcyem Shkodrën.  Mbërritëm në Tivar, të lodhur e të uritur, pa bukë e pa ujë, në marshim të vazhdueshëm, në një vend të zhveshur me një diell që të përcëllonte qe në orët e mëngjesit. Na futën nëpër disa baraka të cilat më shumë dukeshin torishta dhish se sa vende për njerëz. Shumicën prej nesh na kishin lidhur me pranga dy nga dy, besa edhe tre nga tre.

Pastaj krismën e parë e ndoqi krisma e dytë një herë e një automatiku, herën e dytë u shumuan automatikët dhe kur përnjëherë u dëgjua breshëria e pandërprerë e mitralozave të rëndë. Unë dhe Zefi siç qëlluam të lidhur me një zinxhir-pranga që na i shtrëngonte duart, morëm vrapin. Me ata zinxhirë bëmë shumë rrugë derisa erdhëm afër detit. Dolën si pa krye në fushën e zhveshur. Pamë: edhe të tjerët vraponin në panik dhe duke bërtitur si të çartur. Dhe aty filloi batërdia: partizanët malazezë dilnin nga të gjitha anët me armë të lehta e të rënda dhe gjuanin drejtë nesh pa dhimbje e pa pushuar. Fusha me bar të djegur nga dielli dhe kodrina krejtësisht e zhveshur tashmë ishte mbushur me të vrarë e të plagosur. Gjëmat e britmat, krahas krismave të mitralozit dëgjoheshin për tmerr. Të tjerët nga paniku i mitralozave që mbillnin vdekjen hidheshin në det, ku fundoseshin që në minutat e parë. Nuk dinin notë dhe detin e kishin frikë. Pastaj edhe ata që nisnin të notonin, e pengonin njëri-tjetrin, sepse ishin të lidhur me zinxhir.  

Mbajë mend, -vazhdonte të rrëfente Lushi, me Zefin vraponin si pa kokë herë drejtë detit, ku na priste breshëria e plumbave që ngriheshin me cifla nga dheu i zhuritur, pastaj mësynim drejtë kodrinës si të tërbuar. Të mbushur frymë, djersët na kishin mbuluar nga tepja e kokës e deri të thembrat dhe nuk na linim të shihnim mirë. Çdo gjë me dukej turbullt. Djersët dhe pluhurin ia shihja Zefit, vetën nuk e shihja. Herë e tërhiqja unë me tërbim Zefin, herë Zefi me tërhiqte mua kur e shihte se andejpari nuk kishte rrugëdalje.

Pas disa orësh ngarendje si pa krye mbajë në mend se të gjallët filluan të rralloheshin, ndërsa ata që nuk lëviznin ishin gjithnjë e më të shumtë.

Dielli i nxehtë, të përvëlonte. Ata pak të mbijetuar nga të gjitha anët ishin rrethuar nga partizanët malazezë. Gjuetia ndaj shqiptarëve zgjati pastaj gjithë pasditën . Të mjerët silleshin në rreth, herë iknin në një anë, ndërsa binin në priten e çerdhes së mitralozit, pastaj ktheheshin prapë nga erdhën, ku i korrte mitralozi. Hidheshin me dëshpërim drejtë armëve, por nuk arrinin as në gjysmë të rrugës, sepse binin të shoshitur nga plumbat. Pastaj fatkeqit filluan të mbesin dy nga dy, ose ndonjë që e hiqte shokun e vdekur zvarrë. Ishin të lidhur edhe ata sikurse unë e Zefi.

Filloi gjuetia nga afër. Na ndiqnin si lepujt. Bile disa ushtarë filluan të lëshojnë britma gjuetarësh. Shihej ndonjë fatkeq, a dy nga dy, se si iknin shkëmbinjve pa një fije bari, ndërsa pas tyre vraponin ushtarët e emocionuar me klithma lufte - në ndjekje. Pasi argëtoheshin me frikën dhe ikjen tonë, shkrepnin ndonjë breshëri automatiku apo karikator me revole dhe ktheheshin triumfues. Më e renda, kur të ikurve u ngushtohej rrethi, atëherë njëri prej ushtarëve nxirrte revolen, e qëllonte një herë në këmbë viktimën, pastaj në krah. Britmat e viktimës ishin të thekshme. Ata nuk e qëllonin që ta mbysnin, por që t’i dhembte shumë-ta torturonin. Përpiqej, fatkeqi të ikte këmbadoras, por kur fillonte të rrokullisej ashtu në panik, me shkumë në gojë nga etja, nga frika e vdekjes dhe nga tërbimi i pafuqisë, njëri prej ushtarëve e qëllonte një herë në shpinë dhe së fundi ia drejtoi revolen në kokë. Me një a dy krisma revoleje viktima shpëtonte, qetësohej dhe nuk lëvizte më. Gjahu ishte i mirë për ta.

-Buzë mbrëmjes, vazhdoi Zefi, që e plotësonte shokun e lodhur nga emocionet, - pushuan krismat. Tek-tuk dëgjohej revolja, me të cilën ia shkrepnin ndonjë fatkeqi, i cili ende përpëlitej në mes të jetës dhe vdekjes. U fshehëm pas një shkrepi dhe shpëtuam. Me Lushin e lidhur me pranga të ndryshkura, që na depërtuan në eshtra dhe na dhembnin kyçet e duarve- ecëm gjithë natën. Kur na dilnin pengesa, kërcenim pupthi të dytë njëherësh, sepse ndryshe nuk kalonim dot, meqë ende nuk i kishim hequr prangat. Nuk e dimë se si shpëtuam, nuk e shpjegonim dot asnjëherë. Patëm fat, qëlluam të shkathët, apo nuk na deshi vdekja. Lushi ishte i plagosur, nuk e dija saktësisht ku, por shkeponte dhe i rridhte gjak nga këmbëza e djathtë e pantallonave, rrëfente Zefi.

Udhëtuam gjithë natën, gjithnjë duke u orientuar andej nga erdhëm, mirëpo e dinim se nëpër Shqipëri nuk duhej të kalonim. Partizanët shqiptar do të na dorëzonin të partizanët malazezë, apo do të na ekzekutonin sikurse bënë më shokët tonë gjatë marshimit. Bëmë kthesë kah Turjaka, iu shmangëm sa patëm mundësi fshatrave malazeze. Kur u thye nata, gjetëm një mundësi të pushojmë pak dhe të heqim prangat me gurë dhe zhvoshkje të lëkurës. Na vinte të ulërinim nga dhimbja, por e frenonim vetën.

Me të lindur të diellit, nuk bëmë shumë rrugë kur takuam një fatkeq tjetër sikurse ne, buzë një shkëmbi. Një herë u fsheh, ashtu sikurse u fshehëm edhe ne, mirëpo se si e hetuam njëri-tjetrin se nuk ishim armiq, as vet nuk e morëm vesh. Ai ishte i lidhur me pranga me një shok, i cili tashmë kishte vdekur. Na tregoi se e tërhoqi zvarrë me orë të tëra. Fuqitë gati e braktisën. E ndihmuam ta hiqte prangon nga dora e shokut të vdekur në një mënyrë mizore: ia copëtuam dorën të vdekurit, - vazhdonte të tregoj Zefi golgotën e vet.

- Ai nuk erdhi me neve, u ndal të Dacajt e Rozhajës, ku tha se kishte miqtë e familjes. Nuk besonte se ishte mirë të kthehej në vendlindje. Ne vazhduam edhe disa orë, pastaj u strehuam në një shpellë. Nuk e dimë as vet sa kohë pushuam aty, netët dhe ditët ndërroheshin, ndërsa ne flinim na dilte gjumi dhe sërish flinim. Tashmë ishim në bjeshkët tona...  

Kur ata e përfunduan rrëfimin, ishte ngrysur.

Iu afrova Kurtit dhe i thash: - Dërgoji dy burra në shtëpinë e Culit-rojës së magazinës t’i thonë: po i doli fjala për atë që dinte do t’i kërkonin borxh. Kurtit  ia shpjegova se Lushi dhe Zefi duhej të iknin nga shtëpia dhe të ngjiteshin në bjeshkë e të fshiheshin sa më gjatë që të jetë e mundur.    

Kur Zefi bëri të nisej një herë kah shtëpia e tij që t’i shihte të familjes, ia bëra me dije se nuk guxonte as ta shkonte nëpër mend një budallallëk të tillë. Me dëgjoi.

Të nesërmen, me të zbardhur dita u nisa në qytet dhe e lajmërova Qendrën se po flitet sikur Zefi e Lushi kishin dezertuar. Ka fjalë, u thash që mund të jenë kthyer në shtëpi. U tregova që isha në shtëpinë e Kurtit, por gjë nuk pash. Gexha që e quanin edhe Milan, thirri tre partizanë të armatosur dhe u nis para meje. Kishte kontrolluar edhe djepin në shtëpinë e Kurt Berishës, por mbeti duarthatë. Provoi nga kërcënimet e dajaku, nuk nxori gjë. U ngjitë në bjeshkë me një lukuni ushtarësh të tjerë shtesë, por nuk pa gjë, pos arinjve e dhelprave. Pastaj i dëshpëruar u kthye në qytet dhe e ndërseu lukuninë e spiujve civilë që i shpërndau nëpër të gjitha qendrat e grumbullimit të prodhimeve bujqësore,  nëpër zyra vendi dhe rrëzë dushkajash. Shtetrrethimi vetëm sa u forcua, -fliste bashkë udhëtari im, tashmë me emocione të forta dhe me tone të dëshpërimit.

Por megjithëse isha si i përhumbur nuk me shpëtoi nga vëmendja shkathtësia me të cilën voziste dhe fliste Tali i pikëlluar. Asnjëherë nuk e ktheu kokën kah unë, asnjëherë nuk me preku me dorë që të ma tërhiqte vëmendjen. Gjatë gjithë kohës fliste dhe shihte para. Me dukej si mumje që flet e flet dhe nuk shikon efektin e fjalëve të veta. Por nuk pati nevojë të shikonte nga unë, as të me prekte në dorë a në supe për të ma tërhequr vëmendjen, gjatë gjithë kohës dëgjoja me veshët pipëz, ndërsa shihja rrugën e errët që ndriçohej nga dritat e automobilit dhe ndonjë kamionë që na anashkalonte. Bashkë udhëtari im më dërgoi në një botë të lëmëritshme, për të cilën nuk dija asgjë deri më atëherë.  Një herë u rrëqetha si në ethe, pastaj me kaloi fresku nëpër shtatë dhe me kaploi zjarmia. Faqet me digjnin. Me vinte turp ta prekja ballin, sepse kisha përshtypjen se vlonte nga temperatura e lartë. Me dukej sikur e jetoja atë kohë dhe dramën e dy të ikurve, sepse të tjerët i shihja vetëm si kufoma, të shtrirë gjithandej, të përgjakur e me sy të tmerruar që ishin përpjekur t’i shmangeshin vdekjes, por kot, sepse atë ditë vdekja nuk e kurseu gati asnjërin nga ata të rinj që u morën me dhunë dhe nuk u kthyen kurrë të familjet e tyre. madje as kufomat nuk i panë dhe nuk i varrosën në varret e katundeve a të qyteteve prej nga ishin.     

Derisa Tali e mbaroi rrëfimin e trishtueshëm, e kaluam Titogradin e atëhershëm, Podgoricën e sotme. Kaluam edhe humnerat e Limit. Morëm përpjetëzen e pllajave të Beranës dhe i afroheshim territoreve të përziera boshnjako-shqiptare të Rozhajës, duke lënë në të majtë rrugën e Vuthajve, të Plavës e Gucisë. Tali pushoi një kohë dhe u përqendrua në vozitje, ndërsa një shi i imtë gushti e lagte asfaltin me gropa tek-tuk.

Një kohë heshtëm të dytë dhe bluanin në mendje. Ai nuk e di çka mendonte, ndërsa unë i tronditur nga ky rrëfim aq i trishtueshëm dhe aq i tmerrshëm në përmasat e tragjedisë, saqë isha krejtësisht i shushatur. Nuk dija as çka të thosha as çka të mendoja. Tek-tuk flitej për plojën në Mal të Zi. Babai im i shmangej kësaj historie. Derisa unë bluaja Tali vazhdoi pas një heshtje gati torturuese:      

- Sa herë kalojë nga Titogradi nëpër Tivar për në Ulqin me kujtohet rrëfimi i Zefit dhe Lushit. Dhe tmerri me kap kur e vrojtoj atë hapësirë atëherë të zhveshur, me disa baraka të vjetra , ku ranë aq shumë shqiptarë, ndërsa tash është mbushur me shtëpi, objekte të ndryshme hoteliere, pushimore, ku shkojnë edhe shqiptarët gjatë muajve të vapës së padurueshme. Por për dallim nga ultësira, kodrina e zhveshur ende ka mbetur e zhveshur, e trishtë, vetëm se tash nuk ka asnjë shenj nga ploja e dikurshme, - e ndërpreu shushatjen time Tali.

-Me Lushin e Zefin ç’u bë, - e pyeta me interesim, sepse isha identifikuar aq shumë me fatkeqësinë e tyre sa më bëhej se i kisha të afërm të gjakut.

- Zefi e Lushi pasi u qetësua stuhia dhe pasi pushoi pak edhe rrëfija e përndjekjeve një ditë ikën përtej kufirit kah Sllovenia dhe dolën në Perëndim. Disa thonë se kaluan prapë të njëjtën rrugë, kah erdhën. Vazhduan nëpër Kroaci. Nuk patën vështirësi të kalojnë nëpër Alpet sllovene. Dolën në Austri. Shumë vjet më vonë dëgjova se jetonin në Gjermani, - me tregonte Tali derisa ktheheshim nga Ulqini, ku pushuam që të dy dhjetë ditë.

Pastaj u ndamë pa asnjë fjalë vetëm me një përshëndetje kah mëngjesi, kur mbërritëm në Pejë.

Nuk e takova më. Unë vazhdova studimet, gjeta punë në Prishtinë, ika në Perëndim si shumë shqiptarë, kur filloi tërbimi serb. U ktheva prapë në vendlindje, pasi përfundoi lufta.  

Mu kujtua sërish rrëfimi i tij. Në kohën kur njerëzit kërkonin kufomat e të vrarëve në luftën e fundit. Pyeta për Talin, sepse tash me duheshin detajet dhe informacionet e tjera për këtë tragjedi. 

Me treguan se Tali vdiq sipëri Burimit të Drinit të Bardhë, në ikjen e madhe të vitit 1999. Me thanë se kur ushtarët e policët serb i dëbuan nga shtëpitë, ai nguli këmbë se në Mal të Zi nuk do të shkonte i gjallë. U përpoqën ta bindin se vetëm do të kalonte nëpër këtë vend, ndërkaq, donin të iknin në Shqipëri, në Shkodër a në Tiranë, por ishte krejtësisht e pamundur ta bindnin. Ai u thoshte se e dinte terrenin, se nuk do ta gjenin shkitë. Do të rrinte këndej bjeshkëve të Zhlebit.

E lanë, sepse koha nuk priste. Derisa një i afërm i tij me tregonte për fatin e Talit përnjëherësh me shkrepi në kokë: Ai ishte nisur rrugës me shpresën se do të strehohej në shpellat ku u fshehur para tridhjetë vjetësh Lushi dhe Zefi. Por të ftohtit dhe pleqëria e kishin lodhur. Nuk e arriti jatakun e tyre. Vdiq nga të ftohtit dhe lodhja fare afër shpellës së Çikës. 

E gjetën kufomën e tij tre muaj më vonë, të paprishur.  

Në çantën e tij gjetën një notes të zverdhur me shënime të ruajtura me kujdes e pedanteri për Masakrën e Tivarit dhe helmimin e ushtarëve shqiptar në Shibenik...   

*Në masakrën e Tivarit historianët shkruajnë se janë vrarë 5000 shqiptarë brenda një dite. Kryesisht ishin të rinj. Kufomat e tyre kurrë nuk u gjetën. Thonë se i hodhën në det. Helmimi në Shibenik kurrë nuk u ndriçua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat