Quo vadis, president?

Opinione

Quo vadis, president?

Nga: Alban Krasniqi Më: 25 shtator 2018 Në ora: 09:53
Alban Krasniqi

Ideja për korrigjim kufijsh nuk është gjë tjetër veç një eufemizëm i copëtimit të Kosovës së copëtuar. Copëtimi i mëtejmë i saj lindi si ide në qarqet e hershme serbe dhe u ridefinua tevona.  Të mëhershmet u përkrahën nga shumica e botës së huaj, kurse kjo e sotmja po gjen përkrahje edhe nga disa qarqe shqiptare, sidomos nga presidenti dhe nga oborrtarët e tij. Mendimi se pjesa më veriore e Kosovës nuk ka qenë e jona dhe se atë e patëm dhuratë nga komunistët, është mendim shumë i rrezikshëm, i cili nuk guxon të përkojë nëpër mendtë dhe projektet tona kombëtare. Aq shumë e ka përpunuar këtë ide, sa që edhe vetë i beson këtij trillimi. E “mësimi më i dobishëm për jetën është që të heqësh nga mendja atë që është e pavërtetë”, të cilën presidenti ynë e ushqen, e mirëmban dhe e shpërndan me shumë fanatizëm. Me të tilla ide dhe me të tillë persona kemi mbetur këtu ku jemi. Për këtë arsye mbetëm pa antikitet dhe pa mesjetë. Antikitetin na e morën grekët e mesjetën sllavët. Këto dy epoka, si më të madhërishmet e historisë sonë, sot flasin dhe dëshmojnë nëpër muzetë dhe arkivat përkatës të fqinjëve tanë.

Prej nga ky riaktualizim i kësaj ideje “këmbimi”? Po pse pikërisht nga presidenti? A mos po kërkon të shkruajë historinë moderne përmes pajtimit historik shqiptaro-serb, ashtu siç thotë vetë? A mos e gjakon amnistinë personale përmes copëtimit të pasurisë kombëtare? 

E para nuk ka mundësi të jetë në të njëjtën vijë me artikulimin e tij, ngase nuk është në dorën e tij që të sendërtojë një nismë të tillë, ose, thënë shkurt, nuk ka fuqi mendore e politike për një veprim të tillë, sado që pohon e ripohon se pa këtë “korrigjim” kemi shumë pak mundësi veprimi, edhe pse ai nuk di se “mundësitë e vogla janë shpesh fillimi i veprave të mëdha”; e dyta ka shumë të ngjarë që të jetë e vërtetë, fatkeqësisht. Sa e sa herë ka dëshmuar se për karrierë personale është në gjendje të hyjë në lloj-lloj aventurash morale e politike, aq sa armiqtë i shndërron në miq, e miqtë në armiq; sa e sa herë ka dëshmuar personalitetin e tij të mbrujtur me mendësi staliniste, të një presidenti paranojak, që opozitën e konsideron si një luftë klasash apo si kulak, koalicionin si lolo, e disa nga bashkëluftëtarët e vet i trajton si Kolonelin markezian. Edhe pyetja drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veç një tentim për një fuqizim të autokracisë së tij, duke u munduar që në heshtje ta tjetërsojë pushtetin nga një formë e qeverisjes parlamentare në formën e qeverisjes presidenciale.

Me këto ide ai po dështon si atdhetar dhe si lider shteti. Si atdhetar po copëton një pjesë të trungut për një pjesë tjetër të të njëjtit trung; si lider, përveç mungesës së transparencës, ai po anashkalon Kuvendin dhe po mbjell përçarje në klasën politike, duke riaktualizuar divide et impera.  Liderët “sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj”.

Që ta duam atdheun dhe kombin, nuk është e nevojshme që ta rritim kombin e ta zgjerojmë atdheun. Ne atdheun duhet ta duam jo pse mund ta bëjmë të madh, por pse është i yni. Ai është djepi dhe varri i atit, birit dhe shpirtit të shenjtë.  Edhe delimitimin me Malin e Zi, edhe pajtimin për Zajednicën i bëri vetë, e pastaj shëmbëlleu në Pons Pilatin, që as uji i bekuar nuk e lan dot.

Edhe sa kohë i duhet të abuzojë me durimin tonë? Edhe sa kohë duhet që çmenduria e tij të tallet me ne? Është e pamundur që çdo gjë e errët dhe e mbrapshtë që i sillet kësaj toke të shenjtë pa qenë ai në mes tyre. Prandaj çdo gjë që vjen prej tij është e dyshimtë dhe duhet injoruar, qoftë edhe dhuratë. “Timeo danaos et dona ferentes” është thënë për “dhuratat” e dyshimta.

E çka duhet tash? Të zgjohemi nga letargjia dhe ta kundërshtojmë fuqimisht këtë ide! Të rimëkëmbemi e ta largojmë nga froni këtë president! Duke rrëzuar këtë, funksionalizojmë Republikën parlamentare dhe ndalojmë jetësimin jo vetëm të autokracisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat