Kamerieri dëshmon për plagosjen e katërfishtë në Pejë - Bota Sot
Kamerieri dëshmon për plagosjen e katërfishtë në Pejë

Peja

E mërkurë, 17 janar 2018

Kamerieri dëshmon për plagosjen e katërfishtë në Pejë

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 20:19
Dëshmitari Egzon Papuqi tha se ditën kritike po rinovohej një pjesë e lokalit nga qiramarrësi.

Kamerieri i lokalit “Brigde 2” ka dëshmuar sot në Gjykatën e Pejës për të shtënat e armëve që lanë të plagosur katër persona në qershor të këtij viti në qendër të Pejës.

Për këtë rast, të cilin Gjykata po e cilëson si vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, po gjykohen Gëzim Hoxha dhe dy djemtë e tij, Rrezoni dhe Rrethimi.

Katër persona mbetën të plagosur në këtë incident që ndodhi më 7 qershor, dy vëllezërit Nexhdet e Bekim Kastrati, si dhe dy kalimtarë rasti, të dy të mitur.

Dëshmitari Egzon Papuqi tha se ditën kritike po rinovohej një pjesë e lokalit nga qiramarrësi.

“Atë ditë e kam filluar punën në orën 7:00 të mëngjesit. Rreth orës 10:00, në lokal ka ardhë Bekim Kastrati. Kam dëgjuar zhurmë, duke biseduar me vëllain e shefit, Selmanin, duke i thënë se pse po rinovohet një pjesë e lokalit e po i rritet çmimi, se kinse Bekimi don me ble pjesë të lokalit. Selmani e ka thirrë në telefon Gëzim Hoxhën, pastaj e ka marrë telefonin Bekimi e i ka thanë Gëzimit: Unë s’jam grua me folë në telefon, po hajde në Pejë folim si burrat”, tha dëshmitari.

Egzon Papuqi tha se pas disa orëve në lokal kishin ardhur Gëzim Hoxha me babën e tij të moshuar dhe dy djemtë e tij.

Dëshmitari tregoi se Hoxhajt ishin ulur në një tavolinë të pjesës se jashtme të lokalit, ndërsa pas disa minutave tha se kishte parë edhe vëllezërit Kastrati kur kishin ardhur në lokal, të shoqëruar nga dy persona tjerë.

“Në tavolinë kanë qenë baba i Gëzimit, ai Zina, Gëzimi me doket, edhe Beka e Nexhda”, tha Papuqi.

Dëshmitari tregoi edhe për momentet kur me vonë kishte dëgjuar zhurmë e më pas edhe krisma të armëve.

“Unë kam qenë në katin e dytë të lokalit dhe kam dëgjuar zhurmë. Pas disa minutave kam dal në dritare të katit të dytë dhe e kam pa Gëzimin me armë në dorë. Atë moment jam larguar dhe jam hy në banjo”, tha ai.

“Gëzimin e kam pa me armë në dorë në hyrje të tarracës së lokalit. Kur unë kam dal poshtë nuk kanë qenë aty asnjëri”, u shpreh dëshmitari para trupit gjykues.

Gjatë seancës se sotme pritej të dëshmonte edhe dëshmitari Zejnullah Turku, mirëpo ai nuk ishte i pranishëm për ta dhënë dëshminë e tij.

Ndërkaq, avokati Ramë Dreshaj, që mbron të akuzuarin, Rrezon Hoxha, në emër të avokatëve mbrojtës, e njoftoi trupin gjykues se sot kanë dorëzuar në Gjykatë një video-xhirim të incidentit si provë materiale.

“CD-ja e cila ka të bëjë me zhvillimet e ngjarjes se datës 07/06/2017 në ora 15:00 në kafiterinë “Brigde2”. Kjo CD me video-xhirim, do të justifikon dhe do t’i ndihmojë trupit gjykues, prokurores, mbrojtësve në ketë çështje penale dhe të arrihet deri te e vërteta”, tha avokati Dreshaj.

Por, këtë provë e kundërshtoi prokurorja, Sahide Gashi, e cila tha se mbrojtja është dashur në fazat e mëhershme ta prezantojë e jo në ketë fazë të shqyrtimit gjyqësor.

KALLXO raportoi dje për dëshminë e babait/gjyshit të të akuzuarve dhe të dy të miturve që mbetën te plagosur nga të shtënat e armëve në qendër të Pejës.

Prokuroria Themelore e Pejës akuzon Gëzim, Rrezon e Rrethim Hoxhën për këto plagosje, duke i cilësuar si vepra penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, cak i sulmit të të akuzuarve ishin Nexhdet e Bekim Kastrati që kishin pasur një mosmarrëveshje pronësore me të akuzuarit.

“Me datën 07.06.2017 rreth orës 15:05 në Pejë në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në kafiterinë ‘Brigde 2’ pas mosmarrëveshjes paraprake mes tyre si bashkëkryes me dashje tentojnë t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit: Nexhdet e Bekim Kastrati dhe me këtë rast vënë në rrezik jetën e personave tjerë, këtu të dëmtuarve: B.R. dhe B.L.”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë tregohet edhe se si shpërthyen të shtënat.

“I pandehuri Gëzim që ishte aty afër prezent, shkon te vetura e tij e tipit ‘Mercedes A 180’,e cila ishte parkuar përballë kafiterisë, nga ku nxjerr pushkën automatike AK-47 dhe pasi afrohet në hyrje të tarracës fillon të shtie në drejtim të të dëmtuarve Nexhdet e Bekim duke zbrazur mbi ta shtatëmbëdhjetë plumba”.

Aktakuza përshkruan edhe veprimet e djemve të Gëzim Hoxhës.

“Në të njëjtën kohë i pandehuri Rrezon që ishte ulur afër të dëmtuarve në tavolinën tjetër ngritet dhe nxjerr pistoletën e tipit ‘Ekol Voltrana’ nga brezi dhe shtie në drejtim të të njëjtëve gjithsej shtatë herë, sikurse i pandehuri Rrethim, i cili në ndërkohë kishte dalë nga vetura në fjalë me pistoletën e tipit ‘Zoraki’ M-2906-B duke shtënë në drejtim ku gjendeshin të dëmtuarit dhe atë gjithsej gjashtë herë”, sqarohet në aktakuzë.

Më pas, sipas aktakuzës Gëzim Hoxha me dy djemtë e tij kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

“Pas kësaj të njëjtit hyjnë në veturë dhe ikin nga vendi i ngjarjes, e për pasojë, mbetën të plagosur, përveç të dëmtuarve në fjalë, edhe kalimtarët e rastit, B.R. dhe B.L.”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga kallxo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test