Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka reaguar ndaj idesë së rrënimit të Qendrës Burimore në Pejë, gjegjësisht shkollës për fëmijët e verbër dhe me dëmtime në të parë.
“SBAShK-u ka komunikuar me anëtarë të vetë në këtë vatër arsimore të rëndësisë së veçantë dhe ndanë shqetësimin e arsyeshëm dhe bëhet pjesë aktive e të gjitha veprimeve për ta penguar këtë ide të ngutshme e shumë të keqe. SBAShK-u kujton institucionet lokale të Pejës dhe ato qendrore se ndërtesa që është kthyer tani e sa vite në fole të ngrohtë për fëmijët me nevoja të veçanta, ka një historik dhe pamje të rrallë dhe është nderuar tani e 100 vite më parë dhe se është nga objektet që simbolizon Pejën nëpër dekada e vite”, reaguan ata.
Ata thanë se objekti i gjykatës që pritet të ndërtohen në këtë vend mund të bëhet kudo tjetër.
“Institucionet lokale e qendrore le të ngritin një ndërtesë gjykate në cilin do vend tjetër, por jo këtu e duke rrënuar këtë institucion arsimor, i cili falë përkushtuar të mësimdhënësve dhe stafit është kthyer në një ambient miqësor e të punës dhe me arritjet e mëdha në misionin e shenjtë, ka krijuar dhe gëzon respekt, jo vetëm në Kosovë, por edhe mes institucioneve simotra në Ballkan, Evropë e kudo në botë”, thuhet në njoftim.