“Grevat e orkestruara politikisht”/ Kujt po i pengon vendosja e bazës së shtetësisë në veri me reciprocitetin?

Politika

“Grevat e orkestruara politikisht”/ Kujt po i pengon vendosja e bazës së shtetësisë në veri me reciprocitetin?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 shtator 2022 Në ora: 10:21
Rrahman Jasharaj

Një shtatori do të shënonte fillimin e vitit të ri shkollor, por një gjë e tillë nuk ndodhi në vendin tonë.

Kjo sepse Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë (SBASHK), po kërkon nga 100 euro shtesa në pagat mujore të mësimdhënësve, deri në miratimin e Projektligjit për paga.

SBASHK-u nuk ka gjetur mirëkuptim tek Ministria e Financave për realizimin e kësaj kërkese, derisa Ministria e Arsimit ka bërë thirrje për nisjen e vitit shkollor.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës.

Kurse, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Qeveria po tenton “të ngufatë zërin” e grevistëve.

Madje, ata e kanë paditur ministrin e Financave, Hekuran Muratin për mos ekzekutimin e pagave.

Për këtë çështje janë deklaruar edhe partitë opozitare. Ato kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës si të paaftë, po ashtu ndaljen e pagave e kanë quajtur “shantazh, veprim jodemokratik e akt të shëmtuar”.

Ligji i Paga është në shqyrtim dhe javën tjetër do të dalë në diskutim publik. E këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti duke shtuar se “Shkolla nuk bën të bojkotohet. Është e drejtë elementare e çdo fëmije që të edukohet”.

Por, shtrohet pyetja, a është greva në arsim me motive politike?

Mulliqi: Grevat e SBASHK-ut janë vënë në funksion të politikave ditore

Analisti Skënder Mulliqi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se grevat janë bërë politika ditore, madje ai e ka ndërlidhur mbajtjen e grevave me vendosjen e reciprocitetit.

Image
Skënder Mulliqi

Ai ka pyetur se pse po mbahen grevat kur Kosova po i vënë bazat e shtetësisë në veri me reciprocitetin?

Grevat të cilat po organizohen nga SBASHKU, janë vë në funksion të politikave ditore. Pse shtrohet pyetja? E para, Serbia po na kërcënon pa-reshtur me luftë së bashku më Rusinë. I kanë vë në funksion të gjitha instrumentet e tyre. E dyta, thirrja nga kreu i sindikalistëve për grevë në arsim, po bie pikërisht në kohën, kur Kosova po i vë bazat e shtetësisë në veri me reciprocitetin. Tjetër, pse nuk duhet pasur greva? Nuk duhet organizuar greva sepse ky sistem me greva nuk është zgjidhje e problemeve të pagave, kur dihet se tashmë, se Ligji i Pagave veç është në shqyrtim”, thotë ai.

Tutje, Mulliqi deklaron se opozita po i bashkëngjitet SBASHK-ut me qëllime krejt të natyrës politike.

Sipas tij, ata po thirrën në patriotizma të kaluara dhe të strërvjetëruara që nuk kanë asnjë lidhje me gjendjen në arsim.

Pagat duhet merituar personeli arsimor, e pastaj të kërkohet rritja e tyre. Dihet se pagat në arsim nuk janë të dobëta, përkundrazi me sektorët e tjerë janë të mira. Opozita po i bashkëngjitet SBASHK-ut me qëllime krejt të natyrës politike, duke u thirr në patriotizma të kaluara dhe të strërvjetëruara që nuk kanë asnjë lidhje me gjendjen në arsim. Kjo çka po ndodhë me greva nuk i shërbejnë avancimit të arsimit të ngecur në Kosovë”, shprehet Mulliqi.

Në fund, ai shton se dihet kontributi i arsimtarëve, por kjo çka po ndodhë me organizim të grevave duke i lënë nxënësit jashtë procesit mësimor, e humbin çdo kuptim.

Të organizosh grevë për të rrëzuar qeverinë, apo për të krijuar sa më shumë “gjurulldihone”, kjo nuk përkon me shtet ndërtim dhe as me rregullat demokratike të lojës. Sindikatat nuk janë aty për thirrje grevash për qëllime të natyrës politike. Të gjithë e dimë kontributin e arsimtarëve në kohën e okupimit, por kjo çka po ndodhë me organizim të grevave duke i lënë nxënësit jashtë procesit mësimor, e humbin çdo kuptim. Mjaft e kemi të dobët arsimin edhe ashtu, ku po kryhen shkollimet shkel e shko, duke prodhuar analfabet potencial, që të përballemi me grevat e tipit të Rrahman Jasharëve. Shumë arsimtarë duhet futur në riprovim, se vet niveli i dobët flet për nevojën e sistemit të testimit. Ligji i Pagave do të vihet në rend të ditës dhe kjo është rruga institucionale e zgjedhjes të çdo problemi të paraqitur. Nuk jam për ndëshkim të arsimtarëve me ndalje të pagave, por duket se momentalisht qeverisë nuk i ka mbetur në këto rrethana të krijuara, tjetër zgjidhje”, përfundoi ai.

Kelmendi: Grevat janë e drejtë elementare - demokratike

Kurse profesori Muhamet Kelmendi ka thënë se zvarritja e ligjit tash e sa kohë, duke mos përjashtuar edhe qeveritë e kaluara ka krijuar pakënaqësi te sindikatat në Kosovë.

Image
Muhamet Kelmendi

Çështja e Ligjit të pagave në sektorin publik është në diskutim tash e mbi një dekadë. Nuk ka qeveri që ka ardhur në pushtet që nuk e ka premtuar këtë ligj. Megjithatë, të gjitha qeveritë kanë dështuar, me përjashtim të Ligjit mbi pagat në qeverisjen e z. Haradinaj, që aprovuar, ndërsa me vonë u anulua. Edhe qeveria Kurti ka premtuar një ligj të tillë. Që nga ardhja në pushtet e premton një ligj të tillë. Mirëpo, deri më sot, nuk iu ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës për diskutim dhe për aprovim. Thuhet se është gati. Edhe Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave e deklaruan këtë, por, projekti nuk është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo zvarritje e ligjit ka krijuar pakënaqësi te administrata, te mësuesit dhe të profesorët, si dhe të personeli mjekësor etj. Kudo ka pakënaqësi me gjendjen në vend. Gjendja e tillë e rëndë nuk e vuri në lëvizje Qeverinë Kurti. Nuk u takuan me sindikatat. Ndërsa, në konferenca për shtyp, sidomos, Ministri Murati, kërcënoi dhe deklaroi se do t’ua ndali të ardhurat personale sa kohë që janë në grevë.

Ky mosbesim ndaj njëri-tjetrit ka bërë që Sindikatat e Kosovës të organizojnë grevë. Tash janë shumë sektorë e punëtor në grevë dhe ata kërkuan 100 euro në muaj deri në aprovimin e Ligjit mbi pagat në sektorin publik”, thotë ai.

Sipas tij, tashmë këta janë ndarë në dy tabore, Qeveria nuk takohet me përfaqësuesit e grevistëve, ndërsa ata nuk e ndërpresin grevën.

Dhe, për këtë gjendje të krijuar, profesori thotë se barra bie mbi qeverinë, meqenëse nuk e përjashton se ka grevistë me qëllime të tjera.

Tash kemi ndarje në dy taborre. Qeveria nuk takohet me përfaqësuesit e grevistëve, ndërsa grevistët nuk e ndërprenë grevën. Në këtë situatë është rënduar shumë gjendja e masave që janë të varura nga puna e grevistëve. Shkollat nuk u hapën. Shume komuna nuk po i kryejnë detyrat e ditës. Në spitale kemi gjendje të rëndë. Kudo ndihen pasojat. Kështu u thelluan ndarjet. Dhe këtu përgjegjës është qeveria. Pse? Qeverisë i bie barra. Kjo, nuk d.m.th. se nuk ka ndoshta nga grevistët qëllime tjera. Këtë nuk e përjashtoj. Por, kundruall gjendjes së rëndë ekonomiko-sociale, kjo nuk ka rëndësi. Mbetet pikërisht kjo gjendje si fakt i grevës. Elementet politike, karrieriste apo të karakterit të urrejtjes dhe të inateve bien poshtë.

Mbetet vetëm gjendja ekonomiko-sociale. Këtej, kërkohet që qeveria të vepron shpejt me ligjin e pagave, nëse nuk i plotëson kërkesat e grevistëve me 100 euro në muaj.

Takimet janë të udhës. Diskutimet e përbashkëta gjithashtu. I takon qeverisë të merr masa dhe kësaj gjendjeje t’i jep zgjidhje adekuate.

Armiqësia dhe urrejtja, inatet etj, nuk i shërbejnë pozitës”, përfundoi profesori Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat