Alarmi për Kosovën para 21 nëntorit/ Skenari që i përshtatet më shumë Rusisë, vatër e re lufte?

Politika

Alarmi për Kosovën para 21 nëntorit/ Skenari që i përshtatet më shumë Rusisë, vatër e re lufte?

Nga: Petrit Rudi Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 20:38
Vladimir Putin

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Josep Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një rrugë për të tejkaluar tensionet e krijuara para datës 21 nëntor, pasi nëse kjo datë i gjen pa marrëveshje, atëherë mund të ndodhë më e keqja.

”Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakum. Mund të ndodhë më e keqja", deklaroi Josep Borrell.

Poashtu, edhe sipas Ambasadës Gjermane në Prishtinë, është shqetësues përshkallëzimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, bota është duke u futur çdo ditë e më shumë në situata të reja krize, për shkak të luftës në Ukrainë.

Image
Gurakuç Kuçi

“Bota, gjegjësisht kontinenti evropian është duke u futur çdo ditë e më shumë në faza të reja krize, mbrëmë patëm edhe sulmin me raketa nga Rusia mbi një shtet anëtar të NATO-së, në një zonë të Polonisë. Një incident që akoma mbetet i pasqaruar dhe nëse vendet dëshirojnë të shmangin luftën atëherë do gjejnë një mënyrë dalëse. Në anën tjetër, kjo përbën një kërcënim të ri për luftë”, thotë Kuçi.

Sipas tij, një kërcënim i ngjashëm është edhe gjendja në Kosovë.

“Andaj data e cila është caktuar si koha e vënies së gjobave, është edhe një datë e cila mund të krijoj rrethana për trazira në vend. Skenari do i përshtatej më shumë Rusisë sesa Serbisë që të krijohej edhe një vatër e re lufte dhe të kishte kriza edhe në zonën ku kontrollohet nga NATO-ja”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Ai thotë se Serbia po mban peng serbët e Kosovës.

“Presioni realisht duhej të ishte tek Beogradi të cilët po i mbajnë peng serbët në Kosovë, pasi një marrëveshje e tillë ka qenë që disa vite e nënshkruar, pastaj është bërë edhe shtyrja e rishtyrja e zbatimit dhe të gjitha këto inovacione janë bërë ku ndërkombëtarët kanë qenë ndërmjetësues”, thekson Kuçi.

Për fund, Kuçi deklaron se çështja e Kosovës mund të përfundojë në një lloj “Dejtoni 2”.

“Mirëpo, nëse vendimi do të shtyhet dhe ndërkombëtarët do vazhdojnë t’i bëjnë presion vetëm Kosovës për shtyrje, fundi i gjithë çështjes së Kosovës mund të përfundojë në një lloj “Dejtoni 2””, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat