Moskonfiskimi i pasurisë së “peshqve të mëdhenj”, a do të jetë dështim për qeverinë Kurti

Politika

Moskonfiskimi i pasurisë së “peshqve të mëdhenj”, a do të jetë dështim për qeverinë Kurti

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 dhjetor 2022 Në ora: 14:04
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2021, miratoi Projektligjin për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kurse në muajin korrik, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Paraprakisht ky Projektligj nuk qe votuar, pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kishte vendosur që t’i drejtohej Komisionit të Venecias.

Vetëm pasi u publikua opinioni i Komisionit të Venecias, Projektligji qe proceduar për votim në Kuvend, dhe në seancën plenare me 14 korrik të këtij viti, ai u miratua në parim me 58 vota për dhe 3 abstenime, pa votat e opozitës.

Sipas Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) janë disa aspekte që Projektligji nuk e respekton Kushtetutën dhe nuk është në linjë të plotë me standardet ndërkombëtare.

“Aspektet kryesore problematike të Projektligjit në kuptimin juridik përfshijnë: Ndër autoritetet kryesore për implementim të Projektligjit, Byroja Shtetërore, nuk është e pavarur në kuptimin objektiv. Drejtori i saj, i cili është autoriteti kryesor për fillim të procedurave të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi dhe mund të shkarkohet lehtësisht. Kështu, Drejtori i Përgjithshëm-dhe rrjedhimisht Byroja-do të jenë objektivisht të varura nga partitë politike që zotërojnë shumicën në Kuvend. Do duhej që organi drejtues i Byrosë të jetë kolegjial dhe me përbërje pluraliste”, vlerëson IKD-ja.

Sipas këtij instituti , një proces i atillë hetimi “mund të sjellë cenim të së drejtës për gëzim paqësor të pasurisë dhe/ose cenim të drejtës për gjykim të drejtë”.

Ky proces i themelimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka përfunduar ende, pikërisht për shkak të dyshimeve se Ligji mund të bie ndesh me Kushtetutën.

Aktualisht në Kosovë vazhdon Konsfiskimi i pasurisë me vendime gjyqësore. Kështu brenda një periudhe të shkurtër, raportohet se vlera e saj është rreth 12 milionë euro, që shteti i ka konfiskuar nga qytetarët e Kosovës, duke filluar nga pronat e paluajtshme, si toka, objekte, deri tek ari, veturat, televizorët, llaptopët, telefonat etj. Kjo pasuri menaxhohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Ndërsa, deri në vitin 2018, vlera e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar kishte arritur në 35 milionë e 740 mijë euro.

Sfidë për Qeverinë

Por deri më tani, asnjë nga ‘peshqit’ e mëdhenj të akuzuar edhe publikisht për pasuri të pajustifikueshme, nuk ka përfunduar në duart e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

E analistët dhe njohësi e zhvillimeve politike po e kritikojnë mos veprimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Në fakt konfiskimi i pasurive të kundërligjshme, me të drejtë në çdo shtet ligjor konsiderohet si një ndër shtyllat kryesore në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, prandaj habit fakti se me gjithë miratimin në parim të Projektligjit, Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, qysh në fillim të shkurtit të këtij viti, deri më tani, asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Projektligji në fjalë, do të kishte në fokus pikërisht konfiskimin e pasurive të paligjshme, që nga vitit 2008 e këndej, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është çelës i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndaj habit fakti se si nuk u ndërmor asnjë veprim madhor në këtë drejtim që ia vlen të përmendet”, thotë analisti Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

 

Sipas tij, “peshqit” e mëdhenj vazhdojnë të lëvizin lirshëm, pavarësisht miratimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Përndryshe, Projektligji i miratuar nuk do t’i prekte qytetarët dhe personat, të cilët nuk dyshohen për pasurim të paligjshëm, duke përdorur edhe të dhënat e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila posedon burime të mjaftueshme të informacionit në lidhje me deklarimin e pasurive, veçanërisht të zyrtarëve të lartë shtetëror, institucional dhe partiak, për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe përfitimeve të kundërligjshme të zyrtarëve të lartë publikë. Por, megjithatë, përkundër mosdeklarimit në mënyrë transparente, të prejardhjes së pasurisë, deri më tani nuk është goditur asnjëri nga të ashtuquajturit peshq të mëdhenj dhe ata vazhdojnë të notojnë lirshëm, mbi pasuritë e tyre shumëmilionëshe në Kosovë, madje nuk ka as njoftime zyrtare, se ka filluar, apo vërtetë do të fillojë të ndodhë, së shpejti konfiskimi në masë, i pasurive të pa justifikueshme në Kosovë”, shprehet Qarri.

“Dhe sado që ishte paralajmëruar goditja e madje dhe arrestimi i peshqve të madhej, të cilët supozohej se duhet të ishin zyrtarë të lartë institucionesh, nga qeverisjet e kaluara dy-dekadëshe, sot e atëherë, jo vetëm që nuk janë goditur as arrestuar, por dhe nuk dihet fare se kush mund të jenë të ashtuquajturit peshq të mëdhenj, me nominimet e të cilëve vetëm sa po spekulohet kot dhe përkundër miratimit të ligjeve përkatëse, nuk po guxon të ndërmerret asgjë kundër tyre”, shton Gani Qarri.

Më tej, ai thotë se mos arrestimi i “peshqve” të mëdhenj dhe mos konfiskimi i pasurisë së tyre, është një dështim për Qeverinë Kurti.

“Kështu që duke qenë se deri më tani, përveç konfiskimit të disa vilave, nga Prokuroria e Ferizajt, të ndërtuara kundërligjshëm në Parkun Kombëtar "Sharri", nuk kemi parë ndonjë veprim të denjë të organeve të ligjit dhe sistemit të drejtësisë së kapur e të korruptuar, prandaj nëse vërtetë z.Kurti nuk e realizon premtimin e dhënë dhe ata nuk goditen e arrestohen as nga qeverisja aktuale, kjo vërtetë do të jetë një dështim jo i vogël për Qeverinë Kurti”, shprehet Gani Qarri për “Bota sot”.

“Peshqit” e mëdhenj që duhet të arrestohen

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa analisti Faton Mehmeti, deklaron se konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar, mbetet sfidë kryesore për prokurorinë.

“Është vështirë të ndodh konfiskimi i pasurisë e rregulluar me dokumente, ata që ndërtuan vila e blen tokë, shumicën nuk e kanë në emrin e tyre, sfidë kryesore kjo për prokurorinë. S’do mend se pas tyre fshihen njerëz të fuqishëm të politikës, kryesisht nga paslufta ata që ishin në pushtet vodhën çdo gjë që mundën”, thotë Mehmeti.

Por kush janë “peshqit” e mëdhenj që duhet të arrestohen?

“Peshqit e mëdhenj janë kryesisht njerëz të profileve të mëdha; president, kryeministra, ministra etj. Për të kuptuar se kush ka vjedhur, kujt duhet konfiskuar pasuria, të bëhet vlerësimi i pasurive të të gjithë atyre që kanë qenë në pushtet dhe potencialisht të hulumtohet në emër të kujt janë pronat e vjedhura”, thekson Mehmeti, sipas të cilit, mos konfiskimi i pasurisë, do të ishte dështim për qeverinë Kurti.

“Kjo është ndër sfidat kryesoreë të Kurtit, premtim i tij, nëse nuk e zbaton do të jetë dështim, me sfidat e mëdha që e karakterizojnë një gjë të tillë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat