Tiroli Jugor si model për Asociacionin? Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare alarmon Kosovën

Politika

Tiroli Jugor si model për Asociacionin? Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare alarmon Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 mars 2023 Në ora: 21:50
Harta e Tirolit Jugor

Sipas Ministrit të Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, rasti i Tirolit Jugor mund të jetë një mundësi për Kosovën dhe Serbinë lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

“Ky është një vend që ka filluar të ekzistojë në vitin 1918, kur shembull një ministër francez, tha ‘Austria është ajo që mbetet’. Është një vend që ka pasur ndryshimet më të mëdha dhe sot jemi një nga vendet më të pasura ku njerëzit janë krenarë për gjithçka që është arritur. Shikoni Tirolin Jugor. Ka shembuj pozitivë dhe Austria është një prej tyre”, ka thënë deklaruar shefi i diplomacisë së Austrisë.

Por lidhur me këtë, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi tregon arsyet pse rasti i Tirolit Jugor nuk mund të aplikohet në Kosovë.

Image
Gurakuç Kuçi

“Rasti i Tirolit Jugor përbën një autonomi nga më të avancuarat në Evropë, mirëpo edhe pse me një autonomi shumë të madhe prapë vazhdon të mos mbetet një zonë e stabilizuar dhe popullsia aty vazhdon të kërkoj më shumë e më shumë dhe Austria kohë pas kohë e përdor këtë zonë për të nxitur seperatizimin siç bëri me 2019 kur synohej që banorëve të asaj zone të iu jepej mundësia për një pasaportë austriake edhe nëse kishin një italiane dhe plus një tjetër”, thotë Kuçi.

“Pra, nëse aplikohet në rastin e Kosovës kjo nënkupton një autonomi vetë-menaxhim për popullin serb në Kosovë të cilët do kenë strukturat e tyre institucionale por që në të vërtet presidentin e vërtetë qeveritar e kanë në Serbi dhe jo në Kosovë”, shton Kuçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se nëse tentohet të imponohet autonomia sikur e Triolit Jugor nënkupton në realitet një Republika Srpska.

“Në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së fundi u mundua të imponohet marrëveshja e dikurshme ndërmjet dy gjermanive dhe nuk është që po jep gjasa për një të ardhme të denjë, dhe tani nëse tentohet të imponohet autonomia sikur e Triolit Jugor nënkupton në realitet një Republika Srpska. Ministri austriak e kupton këtë mirë sepse vet Austria është e përfshirë në kërkesat e gjermanofolëse që i bëjnë në Tirolin Jugor deri në shkëputje”, tregon Kuçi.

Ai thotë se për të iu kundërvënë kësaj ideje duhet të përdoret asociacioni i komunave me shumicë shqiptare në Serbi.

“Për ta kuptuar më qartë idenë e Ministrit të Austrisë po ua sjell një histori të shkurtër të Tirolit Jugor më poshtë: Tiroli Jugor është i vendosur në veri të Italisë dhe kufizohet me Austrinë dhe Zvicrën. Ky rajon njihet ndryshe edhe si Provinca Autonome e Bolzanos me 7400 kilometra katrorë dhe rreth 534 mijë banorë dhe rreth 70% e popullsisë janë gjermano-folës. Pas Luftës së Parë Botërore, Tiroli i Jugut iu dorëzua Italisë nga Perandoria Austro-Hungareze. Që atëherë, popullsia gjermanisht-folëse është ndjerë e margjinalizuar nga qeveria italiane, e cila është përpjekur të imponojë gjuhën dhe kulturën italiane në rajon. Kjo ka sjellë tensione mes dy komuniteteve dhe akte sporadike dhune”, shpjegon Kuçi.

“Në vitet 1970, qeveria italiane i dha Tirolit të Jugut një status të veçantë autonomie nga më të avancuarit në Evropë. Ai i jep rajonit kontroll të rëndësishëm mbi fusha të tilla si arsimi, kultura, gjuha, turizmi dhe politikat mjedisore. Rajoni ka gjithashtu asamblenë dhe qeverinë e vet legjislative, të cilat kanë fuqinë për të miratuar ligje dhe rregullore. Pavarësisht statusit të autonomisë, disa në komunitetin gjermanofolës mendojnë se nuk kanë kontroll të mjaftueshëm mbi çështjet e rajonit të tyre. Për shembull, ka pasur debate mbi përdorimin e italishtes në dokumentet zyrtare dhe në jetën publike, dhe disa argumentojnë se qeveria italiane ka ende shumë ndikim mbi ekonominë dhe sistemin politik të rajonit”, nënvizon Kuçi.

Ai thotë që se çështja ka qenë një burim tensioni midis Italisë dhe Austrisë, pasi Austria ka mbështetur historikisht komunitetin gjermanishtfolës në Tirolin Jugor.

“Megjithatë, vitet e fundit, ka pasur përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të pranueshme reciprokisht. Për shembull, në vitin 2014, qeveria italiane dhe autoritetet e Tirolit të Jugut nënshkruan një marrëveshje të re që forcoi më tej autonominë e rajonit. Në përgjithësi, çështja e autonomisë së Tirolit të Jugut mbetet një temë komplekse dhe e ndjeshme dhe gjetja e një zgjidhjeje të kënaqshme që kënaq komunitetin gjermanishtfolës dhe qeverinë italiane do të kërkojë dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, përfundon Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat