“Njerëzit e SHIK-ut më kërkuan 3 milionë euro”, Naim Miftari tregon detaje për Hashim Rexhepin dhe arrestimin e tij

Politika

“Njerëzit e SHIK-ut më kërkuan 3 milionë euro”, Naim Miftari tregon detaje për Hashim Rexhepin dhe arrestimin e tij

Nga: N. Shaqiri Më: 4 maj 2023 Në ora: 23:05
Hashim Rexhepi, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, pak ditë më parë ka thënë se në kohën kur po mbahej në arrest, familjes së tij njërëz të SHIK-ut ia kanë kërkuar 3 milionë euro.

“Kur ishte e shoqja në vizitë tek unë, i kam thënë as mos prano askënd as mos bisedo për këtë. Ishin njerëzit e SHIK-ut, më kërkonin 3 milionë euro e ne as s’mendonim, madje mezi e kalonim muajin, dhe ua kam ndaluar krejt bisedat në këto tema sepse e dija dhe e dinin që isha i pafajshëm. Ashtu janë paraqitur (si njerëz të SHIK-ut). Ia kanë kërkuar tre milionë euro sepse gjoja se do të jetë dënim i rëndë e se me këtë kryejmë punën. Jam ndier shumë keq dhe absolutisht ia kam ndaluar familjes të bisedojnë. Hera e parë që po e them këtë”, ka treguar ai.

Në lidhje me këtë çështje, dhe arrestimin e Rexhepit ka folur ish-eprori i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thotë se, Rexhepi ishte arrestuar me urdhër të Hashim Thaçit.

“Hashim Rexhepi, guvernatori ishte arrestuar me urdhër të Hashim Thaçit, Azem Sylës, Sami Lushtakut dhe Ahmet Shalës. Ata i kishin kërkuar për profitet e tyre që t’i transferojnë 90 milionë euro të Kosovës, para të Trustit në një bankë me probleme ligjore (mashtrime financiare) në Belgjikë”, thotë Miftari.

Sipas tij, guvernatori Rexhepi kishte refuzuar atëherë.

“Më pas, ishte aktivizuar Prokuroria dhe Policia e PRONTO-s duke e arrestuar dhe duke bë filma”, shton ai.

Ai shton prokurori i rastit të Rexhepit, Nazmi Mustafi ishte dënuar më pas për përfshirje në korrupsion.

“Guvernatori Rexhepi ishte shpallur pas 7 viteve komplet i pafajshëm”, potencon Miftari.

Sipas tij, Rexhepi kishte përfituar 200.000 euro dëmshpërblim.

“Njëjtë do të përfundon edhe procesi gjyqësor pas disa vitesh edhe rasti i Nagip Krasniqit të KEK-ut, i cili është arrestuar pak javë më parë nga Pronto Prokuroria”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat