“Është shqetësuese, Kosova duhet ta marrë seriozisht”/ Ndizet alarmi pas thirrjes së Glauk Konjufcës

Politika

“Është shqetësuese, Kosova duhet ta marrë seriozisht”/ Ndizet alarmi pas thirrjes së Glauk Konjufcës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 maj 2023 Në ora: 22:18
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca duke folur për dialogun me Serbinë, ka dhënë si opsion edhe braktisjen e këtij dialogu, nëse qëllimi i tij është shkatërrimi i rendit kushtetues në Kosovë.

“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu. Normalizimi vjen për shkak se shkohet drejt njohjes së ndërsjellë, normalizimi nuk vjen me shkatërru shtetin e Kosovës me një republikë serbe”, tha Konjufca.

E lidhur me këtë deklaratë të Konjufcës dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të kujton sjelljen e tij në të kaluarën, ku qëndroi neutrale deri në arritjen e një marrëveshjeje kornizë, por më pas u anua nga Serbia, duke faktorizuar gjithmonë Serbinë dhe Rusinë si forcë balancuese, e cila dëmton në mënyrë disproporcionale Kosovën”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Bashkësia ndërkombëtare po i bën presion Kosovës.

“Pavarësisht se ka premtuar se nuk do të imponojë asgjë që bie ndesh me kushtetutën e Kosovës, BE-ja po i bën presion Kosovës që të pranojë shkeljen e dokumentit suprem ligjor, diçka që as BE-ja dhe as ndonjë shtet anëtar i saj nuk do ta toleronte. Shkelja e kushtetutës do të minonte rëndë shtetin, duke çuar në shpërbërjen ose shkatërrimin e tij. Gatishmëria e BE-së për të dëmtuar ligjshmërinë e Kosovës dhe rajonit për t’i shërbyer interesave të Serbisë është shqetësuese”, deklaron Kuçi.

Më tej, ai thotë se reagimi i Konjufcës vjen pas publikimit të draft-statutit për Asociacionin i paraqitur nga Ekipi Menaxhues.

“Deklarata e fundit e Konjufcës erdhi pasi drafti përmban mbi 20 kompetenca ekzekutive, gjë që si duket alarmoi kryeparlamentarin Konjufca, i cili shprehu indinjatën e tij për imponimin e çdo gjëje antikushtetuese ndaj Kosovës. Deklarata e Konjufcës mund të jetë edhe një veprim taktik për t’i kujtuar BE-së se imponimi i diçkaje ilegale ndaj Kosovës është i papranueshëm. Kjo nuk tregon ndonjë divergjencë nga qëndrimi i Kurtit, pasi edhe ai e hodhi poshtë të njëjtin draft”, shprehet doktor Kuçi.

“Kosova duhet ta marrë seriozisht këtë çështje dhe të përdorë mjete diplomatike dhe reprezalje për t’i rezistuar imponimit të BE-së dhe Serbisë, ku kjo e fundit shprehimisht po e shkel marrëveshjen politike të Ohrit. Kosova gjithashtu duhet të zgjerojë lidhjet e saj diplomatike me aleatët strategjikë si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Turqia. Urgjenca e kësaj situate kërkon që Kosova të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprime vendimtare”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat