Çfarë paralajmëroi Abbott me “vizitorët e rëndësishëm”?/ Analistët flasin për skenarin e mundshëm dhe kanë një thirrje për Kosovën

Politika

Çfarë paralajmëroi Abbott me “vizitorët e rëndësishëm”?/ Analistët flasin për skenarin e mundshëm dhe kanë një thirrje për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 maj 2023 Në ora: 18:01
Takimi në Bruksel 2 maj 2023

Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

Si përgjigje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.

Kjo situatë ka krijuar reagime të mëdha në opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.

Së fundmi është ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ai e ka thënë këtë derisa ka bërë të ditur që këtë javë do të ketë “vizitorë të rëndësishëm” në Prishtinë, ndër të tjera edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në qeverinë britanike.

Abbott ka thënë se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke u mbështetur në vizionin e prezantuar nga kryeministri Kurti më 2 maj, e në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE.

Haziri: Kosova të dal me një propozim sa i përket statutit të Asociacionit dhe kompetencave të tij

Image
Nexhat Haziri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Nexhat Haziri.

Ai u shpreh se do të ketë Asociacion mirëpo që do të jetë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, pasi këtë e vërteton edhe deklarata e fundit e Abbott.

“Se do të ketë asociacion, kjo nuk është më e diskutueshme, por si do të jetë dhe çfarë kompetence do të ketë, dhe ku do të jetë një proces jo i lehtë nëpër të cilin do të kaloj Kosova, dhe njëkohësisht kërkon unitet politik të brendshëm po ashtu edhe bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë ndërkombëtar. Në këtë prizëm e shohë edhe deklaratën e Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott , i cili kërkon që Kosova të dal me një propozim sa i përket statutit të Asociacionit dhe kompetencave të tij”, u shpreh ai.

Analisti më tej thekson, që Qeveria e Kosovës duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në këtë pjesë pasi çdo anashkalim Kosovën e qon drejt prishjes së raporteve me partnerët tanë ndërkombëtar.

“Andaj qeveria dhe kryeministri Kurti nuk duhet të tregohen kokëfortë në këtë drejtim, të bërjes së asociacionit sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës duke qenë bashkëpunuese edhe me faktorin ndërkombëtar. Çdo anashkalim nga ky obligim që del edhe nga marrëveshja e Ohrit, të dakorduar në mes Kosovës dhe Serbisë, Kosovën e qon drejt prishjes së raporteve me partnerët tanë ndërkombëtar, do të ketë pasoja në agjendën e integrimeve euro-atalanmtike dhe me mundësi të mëdha për tensione politike të brendshme, e gjithashtu edhe në veriun e vendit”, tha analisti Haziri për “Bota sot”.

Mehmeti: Vizitat e ndërkombëtarëve do rris presionin tek palët për fillimin e krijimit të Asociacionit

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti tjetër politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Asociacioni është mbështetur nga ndërkombëtarët dhe se ardhja e vizitorëve të jashtëm, tregon që ka angazhim edhe nga Britani për këtë proces.

“Paralajmërimi i ambasadorit Abbot nuk është risi, që nga fillimi Britania ka mbështetur procesin e dialogut dhe çdo gjë që del nga ky dialog si pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Asociacioni është mbështetur nga SHBA, BE por edhe Britania. Kjo e fundit ka qenë jo e kyçur në këtë proces, derisa ardhja e "vizitorëve të rëndësishëm" nga Britania paralajmëron shtimin e angazhimit britanik në këtë proces”, thotë analisti.

Në fund, ai përmbyllë që vizita të tilla do të rrisin presionin për krijimin e Asociacionit.

“Kjo vetëm sa do rris presionin tek palët për fillimin e krijimit të Asociacionit dhe zbatimit të saj. Duket se Kosova është futur në procesin nga i cili s’mund të dal, të tentohet sa më pak pasoja”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat