E thotë eksperti amerikan: Me këtë veprim, Kurti mund të shtensionojë situatën në veri të Kosovës

Politika

E thotë eksperti amerikan: Me këtë veprim, Kurti mund të shtensionojë situatën në veri të Kosovës

Nga: A.Zh Më: 31 gusht 2023 Në ora: 09:54
Alon Ben-Meir dhe Albin Kurti

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duhet të caktojë datën e zgjedhjeve për komunat në veri të vendit, nëse dëshiron të zbusë tensionet.

Ben-Meir vlerëson se shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, është përgjegjësi e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

“Duhet theksuar se pavarësisht nëse është ushtruar apo jo presion ndaj policëve për të dhënë dorëheqje dhe pavarësisht se kush mund ta ketë bërë këtë presion, është përgjegjësi e qeverisë Kurti të zbusë tensionin, duke caktuar një datë të caktuar për zgjedhjet e reja në Kosovë, në komunat me shumicë etnike serbe”, ka thënë profesori në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, kanë shprehur shqetësimin e tyre për dorëheqjet që po ndodhin mes policëve të komunitetit serb në Kosovë. 7 policë të rinj serb së fundmi dhanë dorëheqje, vetëm një muaj pasi morën detyrën.

Pas dorëheqjeve të policëve të rinj serb, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë për shkelje të Marrëveshjeve të Brukselit dhe për shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit, që kanë paraparë që një numër i policëve të jenë prej komunitetit varësisht prej kompozicionit etnik…Pres nga BE-ja të marrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljen e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presioni ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj, prandaj presim që dënimi i këtyre akteve të jetë me dënimin e autorëve, autori është në Beograd”, ka deklaruar ajo.

Por, sipas ekspertit amerikan, ky denoncim i presidentes Osmani, i hedh benzinë zjarrit, në raportet me Serbinë.

“Denoncimi i Presidentes Vjosa Osmani se pas aksionit qëndronte Beogradi, thjesht po i hedh benzinë zjarrit. Është në interesin e të gjitha palëve që të qetësohet atmosfera, sepse duam apo jo duhet të bashkëjetojnë dhe loja e fajësimit nuk bën gjë tjetër veçse e përkeqëson më tej situatën”, ka theksuar Ben-Meir për gazetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat