U viktimizua në New York, analisti “shpërthen” ndaj Vuçiqit: Kriminel lufte e egoist, shqiptarët e Kurti nuk dorëzohen

Politika

U viktimizua në New York, analisti “shpërthen” ndaj Vuçiqit: Kriminel lufte e egoist, shqiptarët e Kurti nuk dorëzohen

Nga: Naile Ejupi Më: 21 shtator 2023 Në ora: 16:16
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk po i ndal “viktimizimet”. Gjersa po qëndron në Nju Jork, ai ka njoftuar se do të mbajë një “fjalim historik”, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku janë mbledhur zyrtarë të lartë politikë.

Ai ka bërë të ditur se fjalimi i tij nuk do t’i pëlqejë shumë njerëzve, ndërsa para fjalimit ka postuar në rrjetet sociale një foto nga rrugët e Nju Jorkut duke dërguar një mesazh të çuditshëm.

“Për tridhjetë vjet populli serb vuajti hipokrizinë, presionet dhe sulmet më të rënda, vetëm pse donte të ruante tokën e tij dhe vatrat e stërgjyshërve të tij. Në ato tridhjetë vjet na morën gjithçka, nga njerëzit në territor. Dhe për gjithçka që na bënë, na fajësuan gjithmonë. Sot situata për vendin tonë është po aq e vështirë sa ishte para pesëmbëdhjetë apo njëzet viteve. Megjithatë, për herë të parë, erërat e lirisë po fryjnë gjithnjë e më fort këtu në OKB.

Ne, serbët dhe qytetarët e Serbisë, thithim ajrin e lirisë me mushkëri të plota dhe do ta mbrojmë vendin tonë. Nuk ka dorëzim!”, ka shkruar ai në Instagram. Më herët ai tha se temë kryesore e fjalimit të tij do të jenë parimet e së drejtës ndërkombëtare publike.

“Unë si veteran politik dua të lë gjurmë me atë fjalim dhe kërkoj nga qytetarët e Serbisë që ta dëgjojnë, do të jetë pas orës 17:00, do të flas faktet, të vërtetën dhe besoj se shumë nuk do t’ju pëlqejë. atë. Ndoshta do të flas pak më gjatë, ndoshta do të më ndërpresin, disa folën më gjatë, nuk u ndërprenë – tha Aleksandar Vuçiq dhe tha se i renditi të gjithë liderët e mëdhenj që folën më gjatë dhe se do t’i përdorte ato fakte nëse ai u ndërpre”.

“Viktimizimi” i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq nuk pëlqehet në Kosovë, madje analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” e quan kriminel lufte e egoist.

Sipas tij, Serbinë po e udhëheq mafia dhe kjo garniturë politikë përbëhëet nga njerëz të rekrutuar nga lufta e fundit në ish- Jugosllavi.

“Vuçiqi është kriminel lufte, është egoist për të cilin nuk ekziston e sotmja, të cilën me gënjeshtra permanente siç janë mësuar historikisht serbët, po e rehabiliton të kaluarën e luftës të Millosheviqit, të Sheshelit dhe të vetes. Ky kriminel së bashku me kriminelët e vet në pushtet, e kanë humbur moti kontrollin ndaj popujve të tjerë jo serbë, e veçmas ndaj shqiptarëve. Serbinë po e udhëheq mafia. Kjo garniturë politike në krye të shtetit serb, janë njerëz të rekrutuar nga lufta e fundit në ish-Jugosllavi, të cilën edhe e humbën. Vuçiq dhe të paudhët e tij të cilët i ka mbuluar urrejtja, primitivizmi dhuna dhe gjithçka tjetër që nuk ka të bëjë fare me politikat normale, ishte dashur të përfundojnë para Gjykatës të Luftës, sikur ka përfunduar idoli i tyre, Sllobodan Millosheviç. Dhe, më këtë garniturë të ultranacionalizmit primitiv serb në pushtet, po bisedon Evropa! Dhe, jo vetëm kaq, por po e “detyron” edhe Kosovën e pavarur dhe demokratike të bisedojë më njerëz të tillë me biografi të gjenocidit! Po, e detyrojnë Kosovën e vogël të dialogojë qe shumë vite, për të përmbushur egon shoviniste dhe fashiste serbe ndaj shqiptarëve në Ballkan”, deklaron Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Ai ka kritikuar BE-në për politikë, gjersa ka shtuar se shqiptarët nuk do të dorëzohen kurrë para pushtetit shovenist të Beogradit.

Sipas tij, dorëzim nuk do të ketë edhe nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“BE-ja është shumë duke sforcuar politikën dyfytyrëshe po sikur Vuçiqi për t’i copëtuar sërish trojet tona etnike, tash pjesën më vitale dhe më të pasur siç është veriu i Mitrovicës. Hilet e vjetra të cilat po i fusin në funksion përmes emisarëve specialë për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajqak dhe Borrel, kanë shkaktuar irritim dhe mllef të madh të shqiptarët, jo vetëm të Kosovës. Shqiptarët nuk do të dorëzohen kurrë para pushtetit shovinist të Beogradit. Vuçiqi dhe Putin po bëjnë politika pushtuese dhe shfarosëse. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili edhe po i udhëheq bisedimet me Serbinë, nuk do të dorëzohet para primitivit, rrenacakut dhe shumëfytyrëshit, Vuçiq dhe të besueshmëve të tij, grupit të qenve endacakë serbë. Nëse këta shovinistë po e mashtrojnë Evropën apo vetëmashtrohen, nuk do të mashtrojnë edhe shqiptarët, të cilët po i mbrojnë tokat dhe qenien kombëtare të tyre, pa e rrezikuar asnjë shtet dhe asnjë popull në rajon”, shton Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat