Takimi me Bidenin, garancia për mbështetje të Kosovës/ Analisti vlerëson lartë paraqitjen e Vjosa Osmanit

Politika

Takimi me Bidenin, garancia për mbështetje të Kosovës/ Analisti vlerëson lartë paraqitjen e Vjosa Osmanit

Nga: Q.R Më: 22 shtator 2023 Në ora: 15:12
Foto nga takimi

Analisti politik, Fidan Ukaj, vlerëson se paraqitja e Vjosa Osmanit në OKB dhe në takimin me Presidentin Joe Biden, ishte mundësi e mirë për Kosovën.

Sipas tij, Osmani në takimin me Biden pati mundësi për ta informuar për të arriturat e Kosovës, e po ashtu me sfidat që po ballafaqohet Kosova duke kërkuar përkrahjen e tij.

“Ishte një paraqitje e mirë e presidentes Osmani e cila prezantojë të arriturat e Kosovës e po ashtu sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, edhe takimi me presidentin Biden ka qenë një mundësi e mirë për ta informuar presidentin Biden për të arriturat e Kosovës, e po ashtu me sfidat që po ballafaqohet Kosova duke kërkuar përkrahjen e presidentit Biden”, thotë ai për “Bota sot”.

Image
Fidan Ukaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Osmani është duke qëndruar në Nju Jork, ku mori pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti Biden në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të”, thuhet në një njoftim të Presidencës së Kosovës.

Osmani e ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është “ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.

Ajo e njoftoi presidentin Biden edhe për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, sipas Presidencës.

Në Nju Jork, Osmani u takua më 20 shtator edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, për zhvillimet e fundit në këtë proces, si dhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Bliken.

Vizita e presidentes Osmani në SHBA vjen rreth një javë pasi Kosova dhe Serbia nuk arritën asnjë marrëveshje në rundin e ri të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 14 shtator.

Nga ana tjetër, sot me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendes për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së Osmani shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja tha po ashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë dhe Afganistan.

“Më këtë rast, Presidentja Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi”, thuhet tutje në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat