Zhvillimet dramatike në veri/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon çka vërteton sulmi terrorist serbo-rus

Politika

Zhvillimet dramatike në veri/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon çka vërteton sulmi terrorist serbo-rus

Nga: P.Rudi Më: 25 shtator 2023 Në ora: 14:51
Një pikë kontrolli e ngritur nga pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në rrugën që çon drejt Banjskës.

Kosova dje është përballur me një sulm terrorist i organizuar nga Serbia, ku polici i Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vdekur, dhe tre policë mbetën të plagosur pas sulmit nga 30 persona të maskuar të organizuar nga Serbia.

Gjatë aksionit të Policisë tre sulmues mbetën të vrarë në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, dy prej tyre sulmues dhe katër të tjerë që e mbështetën sulmin me radio-lidhje, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Poashtu Sveçla tha se kërkimi i sulmueseve të tjerë po vazhdon edhe tash.

Kurse kryeministri Albin Kurti deklaroi se bëhet fjalë për formacion profesionist, terrorist e kriminal.

“Nga ato çfarë kemi mësuar deri më tani, janë ato që i kemi menduar edhe më herët. Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti në një deklaratë për media.

Lidhur me zhvillimet dramatike që kanë ndodhur në Kosovë, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Sulmi është një komponent i strategjisë serbe dhe ruse, pjesë e një forme të quajtur “luftë hibride”. Qëllimi i tyre është invazioni i veriut të vendit përmes kësaj luftë hibride, që synon të krijojë një situate kaosi dhe të çojë në sundimin e veriut nga bandat e komanduara nga shteti serb dhe ai rus”, shprehet Kuçi.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Sipas tij, ky sulm vërteton tendencat destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Këto sulme nga Serbia dhe Rusia janë të nxitura nga politika e “paqëtimit” e SHBA-së dhe BE-së. Këto politika kanë ndikuar në Serbi për të zhvilluar një politikë më agresive, kriminale dhe terroriste. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kjo politikë e Serbisë dhe Rusisë ende është e toleruar nga Perëndimi. Kritikat ndaj autorëve të krimit janë minimale dhe janë përdorur fjali të qarta që nuk e akuzojnë Serbinë por vetëm aktin e krimit nga bandat”, nënvizon Kuçi.

“Përveç kësaj, qasja “paqëtuese” e perëndimit, edhe pse ka dëshmi të mjaftueshme mbi terrorizmin e shtetit serb në Kosovë, do ta inkurajojë prapë Serbinë që të vazhdoj me politikën e saj terroriste, hibride deri në mundësinë për një “blitzkreig” apo pushtim total të shpejtë me të gjitha mjetet të veriut të Kosovës dhe me tendenca edhe me gjerë”, shton më tej doktor Kuçi.

Siç thotë Kuçi, Kosova duhet të reagojë në OKB përmes Shqipërisë.

“Andaj në këto rrethana, Kosova do ishte mirë që nëpërmjet Shqipërisë të reagoj edhe tek Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, nuk duhet harruar se edhe qasja e Qeverisë së Kosovës ka ndikuar në situatën aktuale. Ajo nuk ka arritur të zhvillojë një diplomaci alternative edhe në rrethana të pafavorshme por zgjodhi përplasjen jodiplomatike dhe izolacionalizmin. Është koha që Qeveria e Kosovës të kthehet në një partner të fuqishëm dhe të aftë për të përmbushur interesat e saj në mënyrë diplomatike edhe në rrethana të vështira dhe ta krijojë situatën që veprimet e saj legale, të shihen edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si legjitime”, përfundon për “Bota sot”, doktor Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat