A po i “fryjnë zjarrit” Borrell e Lajçak me mosndëshkimin e Serbisë/ Analisti: Ky duhet të jetë qëndrimi i misionarëve

Politika

A po i “fryjnë zjarrit” Borrell e Lajçak me mosndëshkimin e Serbisë/ Analisti: Ky duhet të jetë qëndrimi i misionarëve

Nga: A.SH Më: 28 shtator 2023 Në ora: 14:30
Borrell dhe Lajçak

Peter Stano zëdhënës i BE-së, tha se Bashkimi Evropian (BE) do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë.

“Nuk është kompetencë ime të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacionin për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën”, ka thënë Stano.

Kurse, nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje dhe foto e dokumente ku çdo fakt dërgon se prapa gjithë kësaj qëndron Serbia.

Analisti, Milazim Maraj në një prononcim për “Bota sot”, deklaratën e BE-së e krahason me atë të Sergei Lavrovit, minsitrit të jashtëm rus, para invazionit në Ukrainë.

Sipas tij, llastimi i tepruar i Serbisë nga BE është mjaft pa kuptim.

“Petar Stano publikoj qëndrimin e Misionarëve të BE, për lehtësimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë deklarohen së nuk do të merren masa ndaj Serbisë para se të përfundojnë hetimet. Por këtë qëndrim të durueshëm nuk e patën ndaj Kosovës edhe pse kjo nuk kishte sulmuar policinë apo popullin serb në Kosovë dhe as në Serbi. Kosova u vu nën masa që ndëshkojnë dhe dëmtojnë qytetaret e Kosovës.

Ndërsa Serbia përkëdhelet edhe pse: nuk i respekton marrëveshjet, edhe pse nuk i nënshkruan, edhe pse publikisht deklarohet se nuk do ta ndal luftën gjëja për të mbrojtur serbet në Kosove. Kjo është e njëjta deklaratë e Sergej Lavrovit para invazionit në Ukrainë. Ky llastimi tepruar i Serbisë nga BE është mjaft pa kuptim. Si i tillë nuk i kontribuon paqes në Gadishullin Ilirik dhe as në BE. Përkundrazi këto e acaruan dhe vazhdojnë ta acarojnë marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. Vuqiq haptas deklarohet se nuk do ta njoh kurrë Kosovën. Ndërsa programi i quajtur për “lehtësim të dialogut” nga dy misionarët e BE duke i bërë Kosovës presion dhe duke e sanksionuar Kosovën nuk po jep rezultatet për arritjen në pikën finale të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellë”, thotë ai.

Tutje, analisti thotë se politika e tillë aktuale, po e joshë Serbinë për të acaruar dhe tensionuar marrëdhëniet më Kosovën deri në sulme.

“Kjo politikë që po zgjatë që dy dekada po joshë Serbinë për të acaruar dhe tensionuar marrëdhëniet më Kosovën deri në sulme të armatosura që ndodhi të dielën e datës 24.9.2023. Deklaratat skandaloze të strukturave shtetërore të këtij shteti kriminal nuk bënë asnjë përshtypje të misionaret e caktuar nga BE për dialog të “lehtësuar”. Futja e armëve ndodhi duke qenë në Mitrovicë KFORI, EULLEKSI dhe policia e Kosovës e zvogëluar në numër sipas kërkesave të këtyre dy misionarëve. Në këtë krim u përfshi edhe kleri dhe kisha serbe e cila ishte e mbushur me armë dhe terrorist, ndër ta ishte edhe nënkryetari i listës serbe Radojçiq.

Ndërsa sulmi ndodhi pas takimit të Komandantit të KFOR-it me Komandantin e Forcave të Armatosura të Serbisë në Beograd. Ishte ky një keqkuptim i Komandanti serb, apo është ndonjë marrëveshje që ende nuk ka dalë në sipërfaqe? Sulmi në veri dhe sasia e armatimit në Manastirin e Banjskës dhe vrasja e policit Afrim Bunjaku u dënua dhe u vlerësua nga bota demokratike dhe ekspertet e lartë ushtarak u vlerësua si “Sulm Terrorist me ndikim nga Ushtria serbe në Kosovë”. Serbia dhe Lista serbe mbajtën tre ditë zi për terroristet e vrarë. Kjo ishte haptas identifikimi zyrtarë i partisë “Lista serbe” dhe Serbisë me dislokimin e armëve, mjeteve tjera për luftë në Kosovë”, shprehet ai.

Kurse, për Borrellin dhe Lajçak-un, thotë se ende nuk e kanë vlerësuar si sulm terrorist.

Ai shton, se Kosova nuk është palë krimi këtu, palë krimi është vetëm Serbia.

Më tej, deklaron se të dy emisarët po përkrahin dhe nxisin sulmet tjera në veri.

“Borrell dhe Lajçak vendosen të presin deri në përfundim të hetimeve ndërkombëtarë. Lajçak vazhdon të kërkoj përkrahje nga shtetet e BE për një zbutje të situatës së krijuar në vend të dënimit të aktit terrorist të Serbisë ndaj policisë së Kosovës. Këta dy misionar sulmin ende nuk e vlerësuan terrorist. Madje deklarojnë se u bëjnë apel palëve për de përshkallëzimi. Kosova nuk është palë në krim. Në krim është palë vetëm Serbia me falangat e saj në Kosovë. Këta dy misionar haptas në forma të ndryshme po përkrahin dhe nxisin sulmet tjera në veri. Misionaret po të ishin të paanshëm do të kërkonin që Serbia të ndëshkohet, që masat e përkohshme ndaj Kosovës të hiqen dhe të vlerësohen së ishin të gabuara. Të kërkohet që të inspektohen edhe manastiret tjera serb që kanë sjellë armatime në këto manastire, që do të u shërbenin terroristeve serb që do të vinin si pelegrinë me autobus dhe do të kryenin akte terroriste nga këto manastire. Ky qëndrim i misionarëve për lehtësimin e dialogut nuk lehtëson dialogun por motivon aksionet e reja nga terroristët serb. Ky dialog i stërzgjatur dhe tani pas këtij sulmi terrorist është motivim i Serbisë për aksione tjera terroriste. Andaj Policia speciale e Kosovës është mëse e domosdoshme”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat