“Negociatorët të mos injorojnë mendimet e Kurtit dhe Vuçiqit”, analisti tregon si mund të zgjidhet asociacioni

Politika

“Negociatorët të mos injorojnë mendimet e Kurtit dhe Vuçiqit”, analisti tregon si mund të zgjidhet asociacioni

Nga: Naile Ejupi Më: 2 tetor 2023 Në ora: 16:08
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Sulmi terrorist në veri të fshatin Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës dhe një i lënduar, ka ndryshuar “llogaritjet” e Serbisë edhe sa i përket asociacionit të komunave serbe të cilin e kërkojnë tash e sa kohë.

Diplomatë e analistë ndërkombëtarë kanë thënë se nuk ka kuptim të diskutohet për këtë temë, pasi ai “ka vdekur”.

Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë propozim se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Osmani tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmanxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, deklaroi Osmani.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

Gjatë gjithë kësaj kohe ishin dhënë propozime të ndryshe për këtë çështje, madje u propozua edhe për një referendum.

Duke folur rreth një referendumi të mundshëm, analisti politik Blerim Burjani, ka deklaruar se ai do të thotë lojë politike pa kufi.

Sipas tij, kjo ide do të thotë konflikt politik me perëndimin.

“Një referendum i tillë do të ishte i pa pranueshëm, për shumë arsye, referendumi do të thotë lojë politike pa kufi, pra një lojë rrotulluse për të ardhur prapë te JO e madhe, është kompleksive, është blerje kohe, dhe që paraqet apo konformë prapë stagnim në zbatimin e marrëveshjes. Ideja e tillë për referendum do të thotë konflikt politik me perëndimin pa marrë parasysh se sa mund të jetë demokratik. Pra, lojëra të tilla i dinë të gjithë, pra paraqet shmangie nga realiteti për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e asociacionit”, deklaron Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai ka kërkuar që negociatorët të mos injorojnë mendimin e Kurtit dhe Vuçiqit, kjo pasi sipas tij, mund të ketë bllokim për procesin integrues të të dyja vendeve.

“ Kurti së paku do të duhej të thjeshtoj mbajtjen zgjedhjeve, edhe këtu bën lojë me ligjin për vetëqeverisjes lokale. Pra kjo lojë më nuk shitet në SHBA dhe BE, parimet janë të qarta, mendoj se dialogu ka dështuar në këtë situatë, nuk ka kuptim as seanca dialoguese, pa u reformuar marrëveshja e Ohrit ku do të futej njohja nga Serbia dhe nëse vazhdojnë negociatorët të injorojnë mendimin Kurti dhe Vuçiq s’ka gjë prej kësaj teme, mund të ketë bllokim për procesin integrues për Kosovën dhe Serbinë”, shton Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat