“Sulmi terrorist demaskoi politikën e rrejshme të Serbisë”, eksperti i sigurisë ‘këshillon’ Kosovën: Kështu duhet të veprojë pas 24 shtatorit

Politika

“Sulmi terrorist demaskoi politikën e rrejshme të Serbisë”, eksperti i sigurisë ‘këshillon’ Kosovën: Kështu duhet të veprojë pas 24 shtatorit

Nga: Naile Ejupi Më: 7 tetor 2023 Në ora: 14:30
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Kanë kaluar dy javë që nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, që la të vdekur një polic dhe të lënduar një tjetër.

Hetimet për sulmin terrorist ende janë duke vazhduar, ndërsa ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, thekson nevojën për “të vërtetuar me saktësi faktet” nëse Serbia qëndron mbrapa sulmit terrorist para se ndaj këtij shteti të ndërmerren masa ndëshkuese.

Guerot shpreh qëndrimin e Francës kur deklaron se pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në mënyrë që autorët e këtij akti terrorist të dalin para drejtësisë.

Megjithëse, liderët e shtetit të Kosovës deklaruan se nuk mund të ulen në tryezën e dialogut me Serbinë para se aplikohen sanksione ndaj presidentit Aleksandër Vuçiq, ambasadori Guerot në një intervistë për median vendore, shprehet se palët nuk duhet të vendosin kushte apo të deklarojnë njëanshëm se dialogu nuk është një çështje aktuale.

Sulmi i 24 shtatorit ka rreshtuar vendet më të mëdha botërore në krahë të Kosovës, madje duke kërkuar që qasja e deritanishme në dialog të ndryshojë.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se 24 shtatori është mundësi e mirë që Kosova të ketë një qasje më serioze dhe të përfitojë nga përpjekjet ndërkombëtare.

“Rasti i sulmit terrorist në Kosovë më 24 shtator, mund të themi se edhe një herë Kosovën në vëmendjen ndërkombëtare dhe është bërë një mundësi e re që Kosova të ketë një qasje më serioze dhe të ketë mundësi të përfitojë prej përpjekjeve ndërkombëtare për organizimin e një zgjedhje sa më parë të çështjes së Kosovës, të organizojë një program sa më koherent të organizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe të konstatojë se Serbia është një shtet i cili në vazhdimësi ka në plan dhe përpjekje për të organizuar aktivitete të dhunshme kundër paqes, rendit dhe qetësisë, e sidomos kundër paqes që e kanë instaluar Shtetet e Bashkuara dhe NATO dhe njëkohësisht është garantuese e paqes”, shprehet Elezi.

Autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për sulmin terrorist, ndërsa ky i fundit ka refuzuar të pranojë deklaratat të tilla.

Vuçiq në një intervistë dhënë të shtunën, është pyetur nëse Beogradi i ka planifikuar ngjarjet në Banjskë dhe nëse i kishte pajisur një grup serbësh me armë dhe për fotografitë e Policisë së Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi. Vuçiq ka thënë “se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin”.

“Kush do ta besojë se në fakt është diçka ndryshe, pothuajse askush”, tha Vuçiq.

Eksperti i sigurisë thotë se Serbia nuk bën përpjekje për të minuar demokracinë dhe paqen vetëm në Kosovë, por në përgjithësi.

Sipas tij, sulmi terrorist ka demaskuar politikën e rrejshme të Serbisë.

“Ne e dimë që përpjekjet e Serbisë për ta minuar demokracinë dhe paqen nuk ka të bëj vetëm në Kosovë, por në përgjithësi edhe me faktorin ndërkombëtar ShBA-në, sepse përpjekja e botës për të instaluar paqen në rajon dhe për të krijuar rrethana të reja për zhvillim ekonomik sigurisht që do t’i pengonte Rusisë dhe vendeve të cilat janë mike të Serbisë dhe të cilat minojnë demokracinë në vazhdimësi. Andaj pa dyshim që ky rast e negocion mjaft mirë dhe e ka demaskuar politikën e rrejshme të Serbisë e cila realisht kishte marrë një mbështetje viteve të fundit, por ky rast e demaskoi”, shton Elezi.

Image
Bedri Elezi

Në anën tjetër, për agresionin në Zveçan ka folur të shtunën përsëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se qëllimi i Serbisë ka qenë Policia e Kosovës të shtien mbi Manastirin e Banjskës në mënyrë që të nis një luftë fetare në Kosovë.

Në një intervistë për Sky News, ai ka thënë se ky do të ishte skenari i përsosur në duart e presidentit rus, Vladimir Putinit, i cili e ka Putinin e tij të vogël në Ballkanin Perëndimi, duke aluduar në presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ata kanë nevojë për luftë për të marrë Republikën Serbe dhe kështu e përdorën Radoiçiqin për të shkuar në manastirin ortodoks, duke shpresuar se policia jonë do të sulmojë manastirin, qëllojë në muret e manastirit, disa pelegrinë dhe peshkopë të lëndohen dhe pastaj të ketë një përhapje të fotografive të luftës fetare dhe Serbia që mbron krishterimin ortodoks, të cilat do të luanin në mënyrë të përsosur në duart e Putinit të Kremlinit dhe gjithashtu Kirilit, patriarkut të kishës ortodokse ruse”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, eksperti Elezi “këshillon” Kosovën që të marrë shembullin për bazë dhe të kuptojë se lëvizjet e saj politike duhet të jenë të kujdesshme.

“Kosova duhet të marrë këtë shembull për bazë dhe të kuptojë se lëvizjet e saj politike duhet të jenë të kujdesshme, sepse nga veprimet politike mund të krijojmë situata sigurie, prandaj është tej e nevojshme këshillimi dhe koordinimi me faktorët ndërkombëtarë të jetë në kohë reale dhe veçanërisht të jetë në koordinim me NATO-n si strukturë e sigurisë në Kosovë, po ashtu me Amerikën si garantuese dhe mbështetëse e proceseve të integrimit në institucionet e sigurisë, andaj duhet të kemi veprime konkrete, fillimisht duke punuar ngushtë me mekanizmin ndërkombëtar që punon dhe vepron në Kosovë dhe po ashtu të punojmë ngushtë për të siguruar edhe prova të mëtutjeshme të përfshirjes së Serbisë në aktivitete terroriste”, shton Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat