Versioni i Ramës për draft- statutin, vjen reagimi nga Amerika: Qeveria e Kosovës nuk duhet të nxitohet

Politika

Versioni i Ramës për draft- statutin, vjen reagimi nga Amerika: Qeveria e Kosovës nuk duhet të nxitohet

Nga: Naile Ejupi Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 14:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Një draft- statut të asociacionit të komunave me shumicë serbe BE ia ka propozuar Kosovës dhe versionet e tij “të pa sakta” kanë filluar të qarkullojnë në media.

Një version i draft- statutit të asociacionit ishte publikuar të martën, mirëpo sipas qeverisë së Kosovës ai nuk është versioni që qëndron në dorën e tyre dhe në fund të ditës versioni i publikuar doli të jetë i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Për këtë Rama madje do të vijë në Kosovë, duke thënë se ndjehet krenar për kontributin që ka dhënë Shqipëria, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama në një postim në “X”, ka shkruar se Shqipëria do ta mbështes fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes bazike.

“Nuk mund të jem më krenar për kontributin e vendosur dhe konkret të Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, draft-statuti i Asociacionit i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm pune, është draft i BE-së”, ka shkruar Rama.

Ai ka shtuar se së shpejti do të vijë në Prishtinë për “të treguar personalisht mbështetjen time”.

“Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes bazike dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjitha vendeve të fqinjësisë sonë. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, ka shkruar Rama.

Ndërsa, sa i përket versioneve dhe propozimit të Ramës ka folur për “Bota sot”, profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, i cili thotë se asociacioni ka bërë lëmsh e tollovi të madhe.

“Në këto vitet e fundit puna e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë lëmsh, tollovi e madhe që as dreqi nuk mund të i bie në fije. Kanë kaluar më shumë se 10 vite nga koha kur me propozimin e Serbisë u bë fjalë për mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të cilin kryeministri Hashim Thaçi lirshëm e pranoi dhe e nënshkroi që më pas kjo iniciativë u inkorporua edhe në marrëveshjen e vitit 2013 që pas dy viteve më 2015 lidhur me këtë pasoi edhe Marrëveshja e 2015 e nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa e cila nuk ishte në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Këto dy marrëveshje për shumë kohë qëndruan ashtu si “të fejtuar” për të cilat edhe nuk u bë zhurmë e madhe deri në këto kohë kur Serbisë i doli “duçi” me kërkesën për krijimin e Asociacionit për të cilin nuk lë gurë pa luajtur në të gjitha qendrat e botës se ky Asociacion është i domosdoshëm deri sa e panë se Serbia nuk e bën as një hap përpara në dialog. Këtu Vuçiq e shihte mundësinë e fundit atë që e thoshte se “nuk del nga Kosova pa e marrë kulaçin e vet” që dikur në dialog ia kishte premtuar Hashim Thaçi. Këtë premtim Serbia edhe tentoi ta merr më 24 shtator edhe me luftë, por dështoi”, deklaron Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Ai shprehet se Kosova do t’ia shoh sherrin asociacionit, pasi sipas tij, serbët e veriut përmes kriminelëve dhe bandave tjera do të mundohen t’i realizojnë synimet e Serbisë për pushtimin e asaj pjese.

“Në dy tri vitet e fundit, pra, çështja për Asociacionin u bë temë dite në çdo nivel vendor dhe ndërkombëtar. U përmendën shumë modele të mundshme që ekzistojnë në Evropë se cila i përshtatet Kosovës. Ofruan ky apo atë asociacion si më të përshtatshëm për Kosovën, por asnjëherë të gjendet ndonjë zgjidhje. U propozuan modele të ndryshme, por assesi të ngulet huni në një vend. Bile i erdhi rasti edhe Edi Ramës që të propozojë Asociacionin e vet, por asgjë. Dje në media qarkulloi edhe një model s’dihet se i kujt dreqit është, por u publikua furishëm nëpër media duke thënë se është i BE-së por që më së paku i ngjasonte Asociacionit të përshtatshëm për Kosovën. Lidhur me këtë filluan edhe kritikat nga të gjitha anët duke theksuar se me këtë është pajtuar edhe qeveria e Kosovës. Por nuk doli ashtu zëdhënësi i Qeverisë se Kosovës doli me deklaratën se “dokumenti që qarkulluar sa i përket draft-statutit të Asociacionit, nuk është ai i cili e ka në dorë kryeministri Albin Kurti”. Pra, nuk dihet se nga kush erdhi ky draft që u lëshua në qarkullim mbrëmë. Tmerr, skandal të luhet në media me lloj-lloj Asociacionesh pa e ditur se nga e kanë burimin dhe kush qëndron pas tyre. Unë personalisht nuk jam idhtar i asnjë lloj Asociacioni bile edhe pa kompetenca ekzekutive në kuadër të kushtetutës së Kosovës, sepse edhe këtij lloj asociacioni dikur Kosova do të ia shoh sherrin me “tërbimin” e serbëve me direktivat e shtetit të Serbisë i cili do t’i mbajë “zgjuar” serbët e veriut përmes kriminelëve dhe bandave kriminele për sulme tjera terroriste për t’i realizuar synimet e Serbisë për pushtimin e veriut”, shton Maxharraj.

Tutje, ai kërkon që Kosova të mos nxitohet për formimin e asociacionit, gjersa shton se ajo duhet ta themelojë vetë atë.

“Realisht qeveria e Kosovës nuk duhet të nxitohet me Asociacionin e komunave me shumicë serbe sepse është një ”kancer” për Kosovën i çfarëdo lloji qoftë. Këtë Kosova mund ta bëjë vetëm atëherë nëse Serbia e njeh Kosovën edhe juridikisht si shtet të pavarur, por edhe atëherë Kosova nuk duhet të manipulojë me lloj lloj Asociacionesh, por duhet vetë të themelojë Asociacionin, sepse kulaçin që ia bën vetës është më i mirë, kurse ai që ta bëjnë të tjerët nuk bën, është i ithtë”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat