28 nëntori i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut/ Shabani tregon kulminacionin e rikthimit të krenarisë shqiptare në këtë shtet

Politika

28 nëntori i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut/ Shabani tregon kulminacionin e rikthimit të krenarisë shqiptare në këtë shtet

Nga: M.Lakna Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 10:31
Sheshi Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Shkup

Sot (e martë 28 nëntor) shqiptarët festojnë ditën e Flamurit, apo ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

28 nëntori është nga ato ditët që shënojnë momente reflektimi për shqiptarët se ku ishin dje e ku janë sot.

Padrejtësisë historike nëmë që shumë troje shqiptare të mbesin jashtë Shqipërisë së pavarur.

Por, kjo nuk e veniti kurrë ndjenjën atdhetare të shqiptarëve.

Kështu, për Amir Shabanin, publicist shqiptar nga Shkupi, 28 nëntori - Pavarësia e Shqipërisë është krenaria mbarë shqiptare.

Image
Amir Shabani

“S'ka dyshim se kjo datë është më se e njohur për mbarë popullin shqiptar e cila shënon Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë nga viti 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, kryeministër i atëhershëm i Shqipërisë. Sot, kur po shënojmë 111-vjetorin e kësaj feste madhështore, nuk duhet anashkaluar edhe ecurinë e sukseseve dhe avancimeve të shqiptarëve jashtë Shqipërisë”, ka thënë Shabani në një prononcim për “Bota sot”.

Me këtë rast ai ndau disa shpjegime në lidhje me zhvillimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Kujtojmë se viti 2001 ishte kulminacioni i rikthimit të krenarisë shqiptare në Maqedoninë e atëhershme, pasi që njëkohësisht ishte përmbushur edhe norma e padrejtësive nga pala e maqedonase gjatë asaj periudhe, duke i konsideruar shqiptarët si ardhacakë, shërbëtorë të thjeshtë, ndërsa assesi nuk paramendohej që shqiptarët të udhëhiqnin me dikastere të rëndësishme shtetërore”, thotë ai.

Shabani thekson se lufta e vitit 2001 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit i ndaloi paragjykimet dhe shpifjet maqedonase ndaj shqiptarëve dhe kjo u konsiderua si një fitore diplomatike për shqiptarët, por edhe për maqedonasit, sepse do jetonin në një shtet multikulturor, ndërsa pozitat shtetërore do mund t'i udhëhiqnin edhe shqiptarët, sipas kualifikimit dhe profesionalizmit, gjë që nuk ishte bërë deri në këtë kohë.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kjo parti e cila doli edhe nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), mori zotimin e avancimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. S'do mend se ulje-ngritjet kanë qenë aktive dhe jo në tërësi është zbatuar Marrëveshja e Ohrit, por në përgjithësi, deri në kohët e tanishme që po jetojmë, shqiptarët kurrë s'kanë qenë më të avancuar se tani. Kryetari i Parlamentit, Ministri i Financave, Ministri i Punëve të Jashtme, Zv. kryeministri i parë dhe tani drejt realizimit të Kryeministrit shqiptar, janë pozita të cilat kanë qenë të paimagjinueshme në të kaluarën, por sot, janë më se realitet dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë shtetformues dhe pala e pazëvendësueshme e qeverisë”, nënvizon ai.

Sa i përket sferës së arsimit, Shabani potencon se shqiptarët sot gëzojnë tre universitete në vend, me rektorë shqiptarë dhe numër në rritje të studentëve që shfaqin interesim për arsimin e lartë dhe zhvillimin e cilësisë arsimore.

“Sot, kur konsiderojmë se ndoshta jemi në pozitën më të mirë se kurdoherë, kur pa drojtje festojmë festat e nëntorit dhe na e urojnë pala maqedonase, duhet të them se akoma kemi shumë për të bërë sa i përket kualitetit të kuadrove tona, profesionalizmit dhe avancimit intelektual, në mënyrë që të jemi shembull për mbarë botën, e në veçanti për vendet multikulturore”, shprehet ai.

Në fund Shabani uroi që ky 28 nëntor të gjejë të lumtur dhe krenarë mbarë popullin shqiptar dhe të synojë në arritjen e majave të suksesit për çdo 28 nëntor që do na vijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat