Dëshpëruese: “Rama tradhtar i interesave kombëtare”/ Zhgënjim për raportet Kosovë-Shqipëri në 111 vjetorin e pavarësisë

Politika

Dëshpëruese: “Rama tradhtar i interesave kombëtare”/ Zhgënjim për raportet Kosovë-Shqipëri në 111 vjetorin e pavarësisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 nëntor 2023 Në ora: 12:48
Albin Kurti dhe Edi Rama

Ky përvjetor i pavarësisë së shtetit shqiptar i gjen shqiptarët në Kosovë e Shqipëri pa unitet, të tradhtuar nga kryeministri Rama i cili punon kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe i përkrahë ato të Serbisë, kështu deklarojnë analistët politikë. 

Të martën, Shqipëria feston 111 vjetorin e pavarësisë, ndërsa pavarësisht raporteve politike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri të festojë. 

Kurti ka bërë të ditur se në qytetin e Vlorës do të bëjë homazhe në nderim të dëshmorëve të kombit, gjersa ka njoftuar edhe për një mbledhje të përbashkët në mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. 

“Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatëse. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për pa numër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar. Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, ka thënë ai. 

Në anën tjetër, analistët tregojnë sesi po e gjen 28 Nëntori Kosovën dhe Shqipërinë, duke kërkuar veprime konkrete dhe përgjegjësi strategjike të përbashkët në mes të dy shteteve, që veprojnë si një organizëm i përbashkët. Sipas tyre, Kosova u tradhtua nga Shqipëria dhe ky 111 vjetor i gjen më të ndarë se kurrë. 

Zogaj: Ky mos-unitet është edhe arsyeja e mosfinalizimit të shtetësisë së Kosovës 

Analisti politik, Skender Zogaj, thotë se shqiptarët duhet të bashkohen dhe të jenë zotëritë e tokës së tyre. 

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë janë habitshëm dëshpëruese. 

“Festa e Flamurit shumicën e popullore shqiptare në të gjitha trevat etnike si gjithmonë e gjen me besim të patundur se populli shqiptar është një dhe i pandarë, me dashuri idealiste të pastër për tokat e bekueme që duhet të bashkohen dhe të bëhet shqiptarët të jenë zotërinjtë e tokës së tyre! Kjo është detyra kombëtare, për të cilën janë sakrifikuar me qindra mijëra heronj, meritë e të cilëve është Kosova e lirë dhe e pavarur, shteti i dytë shqiptar, që është sukses i madh historik dhe mundësi konkrete për realizimin e duhur e përfundimtar të çështjes kombëtare që tashmë ka marrë udhë dhe që duhet gjetur udhën e ecjes! Por, kjo ende nuk po ndodh, sepse, përkundër popullit që është unik, raportet shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë habitshëm dëshpëruese, askush nuk ka mundur të mendoj se kur të krijohen rrethanat për vetëvendosje Shqipëria dhe Kosova do të ishin plotësisht anonime dhe fuqiplote në çdo iniciative të dobishme për shqiptarët”, deklaron Zogaj. 

Sipas tij, mungon uniteti dhe për këtë duhen veprime konkrete dhe përgjegjësi strategjike. 

Pra uniteti mungon plotësisht dhe kjo është jo fatkeqësi por krim i elitave politike e shtetërore në Shqipëri e Kosovë. Ky mos-unitet është edhe arsyeja e mosfinalizimit të shtetësisë së Kosovës, që do të ketë pasoja edhe për Shqipërinë, sikurse që po i rëndon shqiptarët në Luginën e Preshevës, Mal të Zi e në Maqedoni, të cilët janë jetikisht të kushtëzuar nga raportet Kosovë- Shqipëri! Uniteti nuk është lutje por është veprim konkret dhe përgjegjësi strategjike e përbashkët e dy shteteve, që veprojnë si një organizëm i përbashkët!”, thekson Zogaj. 

Vata: Kosova u tradhtua nga Shqipëria 

Image
Ilir Vata

Në anën tjetër, analisti nga Shqipëria, Ilir Vata, thotë se në 111 vite të pavarësisë së Shqipërisë, raportet Kosovë- Shqipëri tani janë më të ftohta se kurrë. 

Sipas tij, Kosova është e prerë në besë nga vetë shqiptarët. 

“Kosova u tradhtua nga Shqipëria, 111 vjetori i gjen më të ndarë se kurrë Kurtit, i takon të urojë shqiptarët në 111 vjetorin e pavarësisë, e ardhmja është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve Në 111 vite të pavarësisë së Shqipërisë, raporte Kosovë Shqipëri kanë qenë më të ftohta se kurrë. Në një kohë kur Kosova pret të vazhdojë bisedimet me Serbin për çështjen e Asociacionit, për vijimin e integrimin Evropian dhe euroatlantik, por është prerë në besë nga vetë Shqiptarë, shteti amë Shqipëria. Kreu i qeverisë Rama e ka çuar në zgrip marrëdhënien Kosovë –Shqipëri, pasi në kulmin e konfliktit me Serbinë ai ndali mbledhjen e dy qeverive duke marrë krahun e Vuqiçit. Më pas marrëzia e tij ka vijuar me projekte individuale, në kundërshtim me BE, planin Franko -Gjerman, në kundërshtim me SHBA, madje hodhi idenë e një konference ndërkombëtare për ta sjellë çështjen Kosovë-Serbi në pikën e fillesë së saj”, deklaron Vata. 

Duke komentuar politikën dhe qeverisjen në Kosovë e Shqipëri, Vata kryeministrin Kuri e konsideron Kurtin si kryeministër që në sfond kishte flamurin kombëtar dhe kërkon marrëveshje me Serbinë në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe njohjen e shtetit serb, ndryshe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, që bën lojën e Serbisë kundër interesave të Kosovës. 

“Kosova tashme është një shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht, ka bërë hapa të mëdha përpara madje në shumë tregues është më lartë se Shqipëria që feston 111 vjetorin e pavarësisë. Parë në aspektin politik, Albin Kurti ka pikëpamje të majta, por ajo që e dallon Kurtin është se kur erdhi kryeministër kishte në sfond flamurin kombëtar, dhe kërkon që marrëveshja me Serbinë të bëhet në përputhje me kushtetutën e Kosovës, dhe kërkon që Serbia të njoh Kosovën. E kundërta ndodh me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili erdhi në pushtet në 2013 si demokrat dhe u shndërrua në autokrat. Rama në mandatin e parë pati bashkëqeverisje, koalicion me 43 parti, në mandatin e dytë përqendroi një parti shtet, duke e kthyer Partinë Socialiste në parti shtet si në embrion kur ishte Parti Komuniste apo Partia e Punës e Diktatorit. Në këto kushte diktatori i ri i Shqipërisë Edi Rama bëjnë lojën e Serbisë kundër interesave të Kosovës, si në kohë të diktaturës kur komunistët shitën Kosovën. Më keq akoma, marrëzia e Ramës është kundër BE, Evropës, perëndimit dhe çdo ditë e më shumë ai po e personifikon veten si diktatori i fundit jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkanin Perëndimor”, shton Vata. 

Ai Ramën e konsideron tradhtar të interesave kombëtare, ndërsa shton se të gjithë janë mashtruar me lëvizjet e tij. 

“Në 28 nëntor, sikur flamuri kombëtarë të shoh Ramën do ta pështynte në surrat, si tradhtar të interesave kombëtare. Aktualisht shqiptarët kanë një kryeministër, Albin Kurtin, edhe se më prirje të majta ai interesat kombëtarëve të Kosovës, Shqipërisë, shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedonisë së Veriut i mbron me dinjitet, dhe mund të themi se shqiptarë kanë vetëm një kryeministër, Albin Kurtin. Për sa i përket uniteti midis Shqipërisë dhe Kosovës, sot është më jetik se kurrë, sepse jemi në një pikë të tradhtuar kombëtarë në mënyrë të një anshme nga Edi Rama dhe kjo çon ujë në mullirin e Putin, për një konflikt të mundshëm në Kosovë, pra me dhe pa dashje, Shqipëria nëpërmjet Edi Ramës ka "vrarë" Kosovën. Të gjithë jemi mashtruar me lëvizjet e Ramës deri para pak kohësh, madje kemi gabuar dhe në gjykimet tona, sepse Rama e shiste vetën si perëndimor, por çështja e asociacionit të komunave serbe, tregoi se Rama ka aleancë me Vuçiç kundër interesave kombëtare”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat