Tërnava: Vrasjet e tanishme tani mund të jenë si pasojë e qeverisjeve të pasluftës

Politika

Tërnava: Vrasjet e tanishme tani mund të jenë si pasojë e qeverisjeve të pasluftës

Nga: H.O. Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 19:29
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, në këto rrethana të tanishme ku po ndodhin vrasje të shumta në territorin e Kosovës, qartë po shihet se diçka nuk po funksionon në sistemet institucionale e sidomos atë të drejtësisë, sikur që janë: Gjyqësia, prokuroria, policia.

“Nëse analizohen traditat kombëtare që në të kaluarën ishin, këto vrasje të tanishme, nuk ju përputhen atyre traditave të së kaluarave. Vrasjet e tanishme tani mund të jenë si pasojë e qeverisjeve të pasluftës, që në poste të rëndësishme të institucioneve të lartcekura, u emëruan njerëz jo me shkollime meritore adekuate, por me diploma të dyshimta të kryera jo me merita, si dhe u emëruan njerëz me të njohshëm të lidhjeve familjare që e kishin qëllimin e tyre të qartë, dhe nga ajo kohë e deri më tani ata njerëz që kanë punuar me direktiva të “fortëve” që e kishin qëllimin për pasurimin, jo veç të shefave të tyre por edhe pasurimin e tyre, dhe tani ata kanë lëshuar rrënjë në ato institucione që kaq shumë vite që punojnë aty, prandaj edhe për raste të kryera si vepra kriminale të rënda ka ndodhur që shumë nga to janë vjetërsuar, apo kryesve të atyre veprave u janë shqiptuar dënime të lehta qesharake. Të cilat dënime as që i kanë mbajtur, prandaj tani në këto kohëra nuk është çudi që po ballafaqohemi tani me këto vrasje makabre”, vlerëson Tërnava.

Ai ka komentuar deklaratën e deputetit Enver Dugolli lidhur me rikthimin e ligjit për dënimin me vdekje.

“Deputeti Enver Dugolli, paska deklaruar se do ta votonte rikthimin e dënimit me vdekje. Një rikthim i dënimit me vdekje do të ishte jo dënim i kohës, sepse askush nga shtetet e Evropës në ligjet e tyre nuk i kanë ato dënime me vdekje, dënimi më i rëndë i këtyre kohërave është dënimi i përjetshëm për vepra të rënda të kryera në shtetet evropiane, prandaj nëse ne i takojmë Evropës, atëherë edhe ne nuk duhet të kemi dallime për këto vepra kriminale”, thotë ai.

Tërnava: Të jemi në rrjedha që na e imponon koha

Tërnava thotë se, tani ne e kemi edhe shembullin e Gjyqit Special në Hagë, e që llogaritet si gjyq i yni, që nuk i parasheh dënimet me vdekje, por dënimi më i rëndë është ai i përjetshmi, prandaj edhe ne duhet të jemi në ato korniza të kësaj kohe dhe të jemi në rrjedha që na e imponon koha.

“Pretendimet e shtetit tonë janë që Kosova të anëtarësohet në mesin e shteteve të BE, prandaj në këtë pikëpamje të dënimeve nuk duhet të kemi dallime me shtetet evropiane. Më e mira do të ishte që të analizohet një mundësi se në institucionet e drejtësisë duke u ballafaquar me këtë përvojën e pasluftës, do të ishte që gjyqësori si dhe prokuroria ta kenë një organ mbikqyrjes të përbashkët, dhe nëse vlerësimet do të ishin se dënimet për disa kryes të veprave kriminale ishin të lehta dhe jo në përputhshmëri me ligjet, në baze të subjektivizmit apo të korrupsionit-mitos, organi i përbashkët mbikqyrjes do ta analizonte tërë ato procese të gjykimit, dhe nëse konstaton se aty ka pasur subjektivizëm apo lloj kompromisi sipas përvojave mitos-korrupsion etj, ndaj atyre gjykatësve apo prokurorëve të ndërmerren masa rigoroze që ata s’do të mundeshin të punonin më në ato poste të atyre institucioneve të rëndësishëm. Sikur të ishin këto institucione të lartcekura, në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, dhe t’i zbatojshin ligjet në përpikëshmëri nëpër gjyqet e Kosovës, Kosova do të ishte shembull i regjionit, që i zbaton ligjet e saj të përditshme në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, vlerëson Tërnava për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat