“Lojërat politike të Vuçiqit përballë Perëndimit”/ Vjen një këshillë për Kurtin: Vetëm ky veprim mund ta nxjerrë “blof” Beogradin

Politika

“Lojërat politike të Vuçiqit përballë Perëndimit”/ Vjen një këshillë për Kurtin: Vetëm ky veprim mund ta nxjerrë “blof” Beogradin

Nga: M.Lakna Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 17:48
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtori i Lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, është shprehur skeptik për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. 

Weber ka theksuar dyshimet e tij sa i përket progresit në dialog, pasi sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po luan dhe nuk është i interesuar të respektojë marrëveshjet. 

“Dyshoj se do të ketë progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak se Aleksandar Vuçiqit, ka një kohë të gjatë që po luan dhe nuk është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet. Për çdo gjë, presidenti i Serbisë fajëson Kosovën se nuk është e interesuar për dialog, prandaj jam shumë skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Ai madje i rezistoi edhe presioneve të Perëndimit duke mos i vënë sanksione Rusisë”, ka thënë ai. 

Të njëjtën gjë si Weber e mendon edhe Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bytyçi ka thënë se Aleksandër Vuçiq as ka qenë ndonjëherë, as është sot i gatshëm për të nënshkruar dhe zbatuar marrëveshje, të cilat çojnë në njohjen e Kosovës is shtet sovran e të pavarur. 

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“E kam ndjekur vazhdimisht ekspertin dhe studiuesin e çështjeve ballkanike, Bodo Weber, dhe e kam vënë re se ai bën vlerësime objektive, madje me një parashikim të saktë. Ajo që ai ka thënë dje për sa i përket arritjes së marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është gjithashtu në vazhdën e saktësive të mëparshme. Weber është i ftohtë në arsyetimin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Besoj se është në dijeni të detajeve informative sa i përket zhvillimeve në Serbi e sidomos zgjedhjeve të 17 dhjetorit.  

Në këto kushte mendoj të njëjtën gjë si edhe Bodo Weber. Aleksandër Vuçiq as ka qenë ndonjëherë, as është sot i gatshëm për të nënshkruar dhe zbatuar marrëveshje, të cilat çojnë në njohjen e Kosovës is shtet sovran e të pavarur. Zgjedhjet dhe fitorja e partisë së presidentit serb e vetme në këto zgjedhje, e përforcon këtë logjikë, sipas së cilës Beogradi nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Këtë sinjal e dha kryeministrja Brnabiq 3-4 ditë para zgjedhjeve, kur dorëzoi në Këshillin e Evropës një dokument, me të cilin kërkonte amendimin e këtyre dy dokumenteve, pra heqjen e obligimit për Serbinë që të mos bllokojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në”, shprehet ai.  

Bytyçi shprehet se nga veprimet që Vuçiq ka ndërmarrë kundër Kosovës në të kaluarën, kuptohet lehtë se ai jo vetëm nuk do të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, por do të vazhdojë që ta destabilizojë atë.  

“Në fakt më duket absurd fakti që ndërsa Beogradi organizon dhe sponsorizon akte terrori në Kosovë, disa diplomatë dhe politikanë (fatkeqësisht edhe shqiptarë) vazhdojnë të flasin e të besojnë se presidenti i Serbisë qenka një “engjëll”, që e pranon shtetin e Kosovës?! Bodo Weber na bën me dije se kjo nuk do të ndodhë. Dhe ai ka shumë të drejtë. Është objektiv dhe i ftohtë në gjykimin e tij.  

Ndërkaq Weber i njeh mirë lidhjet e Aleksandër Vuçiq me Rusinë dhe lindjen në përgjithësi. Për pasojë nuk është vështirë të konkludosh në faktin se presidenti i Serbisë nuk dëshiron dhe nuk do të guxoj të normalizojë marrëdhëniet e vendit të tij me Kosovën. Mjafton të lexosh propagandën nacionaliste serbe dhe të kuptosh shumë qartë se Kosova mbetet edhe më tej kalë Troje i ambicieve për pushtet autokratik, mbështetur në nacionalizmin ekstrem dhe ideologjinë e tij panserbe. Serbia nuk heq dorë nga krijimi i asaj që ajo e quan “Bota serbe”! Vuçiq është investuar shumë në dekadën e fundit në këtë skemë ultranacionaliste. Ndaj dhe në këto kushte, të besosh se presidenti i Serbisë do të shndërrohet në njeri të paqes, është naivitet. E thonë këtë disa diplomatë, por ata më së shumti duan që të fshehin dështimet e tyre para qeverive që përfaqësojnë”, ka nënvizuar ai. 

Bytyçi po ashtu kujtoi deklaratën e Kurtit, se ai pret që në mars të vitit që vjen do të ketë një marrëveshje të nënshkruar e obligative për Serbinë në raport me Kosovën dhe për Kosovën në raport me Serbinë.  

“Nuk e di se çfarë indikacionesh ka kryeministri Kurti për këtë. Unë shoh se më afër të së vërtetës është Bodo Weber. U lodhëm duke shpresuar se Europa dhe SHBA-të do ta detyrojnë zotin Vuçiq të pajtohet me marrëveshje si ajo e Brukselit dhe aneksit të tij të Ohrit. Evropianët, përfshirë edhe zotin Lajçak, i bënë lëshime serioze Serbisë me projektin e marsit të këtij viti që po mbyllet, kur hoqën nga projekti i saj detyrimin për njohje juridike të Kosovës. SHBA-të, madje vetë presidenti Biden, kërkonin prej dy vitesh njohjen de jure, ndërsa Lajçak e Borrell bënë të kundërtën. I kërkuan Beogradit, thjesht të pajtohej me ekzistencën e shtetit të Kosovës. Por as këtë nuk po e pranon Aleksandër Vuçiq dhe qeveria e tij”, u shpreh Bytyçi. 

Sipas profesorit rizgjedhja e Vuçiqit nuk e zgjidh këtë krizë: Përkundrazi e komplikon, sepse ai shkoi në zgjedhje parlamentare së bashku me radikalët e Shejshelit”.  

“Mbi të gjitha respektimi i marrëveshjes do të kërkojë heqjen nga preambula e kushtetutës serbe të drejtën sovrane të Serbisë mbi Kosovën. Vuçiq nuk i ka votat për këto ndryshime. Ai kishte mundësi ta bënte këtë kur pati më shumë se dy të tretat e parlamentit. Por nuk deshi. Ndërkaq tani ka më shumë hapësirë për mashtrime e lojëra politike përballë Perëndimit. Zgjedhjet jo vetëm e vështirësojnë dialogun, ato e bëjnë të pamundur një marrëveshje ose zbatimin e kësaj për të cilën është rënë dakord”, nënvizon ai. 

Në këto kushte, Bytyçi shprehet se kryeministri Kurti duhet të këmbëngulë fort që Beogradi ta pranojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.  

“Që Vuçiq t’i nënshkruajë këto dy dokumente dhe të japë prova për zbatimin e tyre. Më pas të angazhohet në zbatimin e asaj që është pranuar si draft i asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Kjo duhet të jetë e kushtëzuar. Kushtëzimi me firmosjen dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje do ta nxjerrë Beogradin bllof para atyre që ushqejnë iluzione se me Aleksandër Vuçiq mund të merren vesh! Kurrë jo!  

Për të gjitha këto arsye, Bodo Weber ka shumë të drejtë dhe është realist në parashikimet e tij”, përfunduar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat