Taktika serbo-ruse për destabilizimin e Ballkanit – Zbardhen “skenarët”: Kosova dhe dy shtete të tjera në rrezik, Shqipëria..

Politika

Taktika serbo-ruse për destabilizimin e Ballkanit – Zbardhen “skenarët”: Kosova dhe dy shtete të tjera në rrezik, Shqipëria..

Nga: M.Lakna Më: 2 janar 2024 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Ditë më parë eksperti austriak Gunther Fehlinger, ka thënë se dy javët e ardhshme do të jenë të vështira për Ballkanin.

Ai ka apeluar që SHBA të shtojë trupat dhe t’i tregojë vendin Serbisë nëse do të bëjë përpjekje për të marrë territore.

Sipas Fehlinger Serbia kërkon ta kthejë Kosovën në një lloj Donbasi.

“Dy javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira. Rusia do që të ketë Serbinë gjithmonë në anën e saj, deri tani ka qenë e suksesshme, por dhe vetë Rusia është në prag të kolapsit ekonomik dhe gjëja e fundit që i duhen, janë sanksionet nga Serbia. Prania ruse dhe bashkëpunimi që po i ofron Serbia përbën rrezikun më të madh në Ballkan. Serbia kërkon ta kthejë Kosovën në një lloj Donbasi, ndaj duhet një prani më e madhe e trupave të SHBA në Ballkan për t’i treguar Serbisë se çdo përpjekje për të marrë territore do të marrë përgjigjen e merituar, kjo është mënyra e vetme për ruajtjen e paqes”, tha eksperti austriak të premten.

Ndërsa kemi hyrë në vitin 2024, paralajmërimet sikurse ky i ekspertit Fehlinger janë bërë mjaft të shpeshta. Madje, ky vit po thuhet se do të shoqërohet me tensione, konflikte e destabilizim, ndërkohë që dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë ende nuk ka marr ndonjë epilog.

Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli prof. Enver Bytyçi doktor në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bytyçi me këtë rast u shpreh se Serbia ka qenë, është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen e afërt e ndoshta të mesme kërcënim për Kosovën, për Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Në plan afatgjatë edhe për Maqedoninë e Veriut. Të sigurta nga kërcënimi serbo-rus janë vetëm Sllovenia e Kroacia. Ndërsa Shqipëria, edhe sikur ta drejtonte atë një qeveri më anti-kombëtarja në histori, në çdo lloj forme është e do të jetë pjesë e këtij konflikti, për shkak të angazhimit vullnetar të shqiptarëve në një konflikt të mundshëm”, shprehet Bytyçi.

Në këtë kuadër, ai thotë se beson që Aleksandër Vuçiq do të ndjekë taktikën e Milosheviçit.

“Nuk do të përfshihet në një luftë tjetër me shqiptarët. Ai dhe Vladimir Putin do të nxitin Milorad Dodikun për të destabilizuar Boanjë-Hercegovinën dhe për të rifilluar një luftë tjetër midis mislimanëve dhe serbëve në këtë shtet, që lindi në DAYTON. Mendoj kështu, sepse, ndonëse Vuçiq do ta përfshijë ushtrinë e tij në mbështetje të Republikës Srpske, do të përpiqet ta shesë këtë luftë si konflikt civil të brendshëm në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës. Këtë bëri Milosheviçi dhe ia arriti që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të shprehet se lufta më shumë se tri vjeçare në Bosnjë na ishte një konflikt i brendshëm civil. Kësisoj Serbia i shpëtoi detyrimit për të paguar dëmet e kësaj lufte”, shprehet profesori.

Edhe kësaj radhe, nëse nis një konflikt, Bytyçi thotë se pre e parë e tij do të jetë Bosnjë-Hercegovina.

“Pastaj këtë konflikt Beogradi do të përpiqet ta shtrijë sa më shpejt në Kosovë dhe në Malin e Zi. Në të gjitha konfliktet pjesë e tyre ka qenë dhe do të jetë Kisha Ortodokse e Serbisë. Por në Mal të Zi, nëse nis një luftë civile e brendshme, atë do ta nxitë dhe manipulojë Kisha Ortodokse më shumë se çdo konflikt tjetër. Këtë dhuratë serbe Mali i Zi e ka edhe prej manekinit Dritan Abazoviç! Ndërsa në Kosovë Serbia nuk do të organizojë asnjëherë një sulm ushtarak frontal ,e ushtrinë e forcat e saj të armatosura. Kjo do të çonte në një rezistencë mbarëshqiptare dhe Beogradi e di se një përballje e tillë është e rreziikshme për të. Në këtë rast do të ndërhynte menjëherë NATO. Jo thjesht se cenohet Kosova, por se destabilizohet gjithë rajoni. Në këtë luftë frontale do të përfshiheshin menjëherë Shqipëria, e thashë, qoftë dhe në mënyrë vullnetare dhe sidomos shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Më tej do të rrezikohej ekzistenca e Maqedonisë së Veriut për shkak se shqiptarët zor të ulnin armët pa ia drejtuar ato edhe kundër shtetit maqedonas. Kjo edhe për faktin se struktura të këtij shteti do të bashkëpunin me Serbinë në luftën e saj kundër Kosovës. Dhe nëse kërcënohet ekzistenca e Maqedonisë së Veriut atëherë do të hynin në luftë edhe Turqia e Greqia, gjithnjë kundër njëra tjetrës, dhe pse jo Shqipëria e Bullgaria. Shkurt, do të kishte një konflikt shumë të gjerë, pra një luftë të tretë botërore. Serbia e nisi Luftën e Parë Botërore dhe e kalli botën flakë para 109 vitesh. Mund ta bëjë sërishmi. Por fatmirësisht kësaj radhe Europa dhe SHBA-të janë të bashkuar në një aleancë të fuqishme politiko-ushtarake, siç është NATO. Prandaj jam i bindur se nuk do ketë luftë frontale”, shprehet profesori.

Sipas Bytyçit, Aleksandër Vuçiç mund të kryejë akte terrori e destabilizimi në Kosovë, siç ishte rasti i Banjskës.

“Kjo nuk përjashtohet as për këto dy javët që vijnë, as në vazhdim pas dy javësh. Edhe në këtë rast Beogradi destabilizon, duke u përpjekur të fshehë gjurmët e krimit të tij. Do të thotë se janë serbët e Kosovës ata që kryejnë kryengritje në Kosovë, për shkak të “regjimit fashist të Albin Kurtit”! Do përdoret i njëjti skenar si në Donbas. Po. Në këtë rast pajtohem me mikun tim Guenther Fehling. Kjo metodë doversive e njëkohësisht agresive mund të vihet në veprim.

Por unë besoj se qeveria e Kosovës, zoti Kurti, policia, forcat e sigurisë, ushtria e Kosovës, institucionet e saj janë tashmë të vetëdijshme për këto pasoja dhe janë të trajnuar për t’i përballuar situata të tilla. Për këtë arsye dhe për shkak se serbët në Kosovës do të refuzojnë në shumicë të përfshihen në një konflikt për llogaritë politike e elektorale të Aleksandër Vuçiç, unë besoj se provokimet me akte terroriste do të dështojnë. Kjo nuk do të thotë se duhet të jemi të shkrehur. Gjithçka ndodh, kur autokratët në pushtet shohin se po u rrëshqet pushteti dhe rrezikojnë të përgjigjen për krimet që ata kanë kryer. Vuçiç është njëri prej këtyre autokratëve, i cili një ditë do të shkojë në Hagë, ose do ta ketë fatin e Hashim Thaçit përmes ndonjë gjykate të posaçme”, thekson ai.

Për këtë arsye, profesor Bytyçi beson se paqen në kuptimin e mundësive për pushtim ushtarak të Kosovës e ruan NATO edhe me këtë kontigjent.

“Gjëja më e mirë do të ishte kontrolli i rreptë i kufirit, me qëllim parandalimin e hyrjes së armëve dhe grupeve terroriste. Nëse kontigjenti i sotëm nuk e realizon këtë, atëherë KFOR-i duhet të thërrasë jo vetëm policinë e Kosovës, por edhe forcat speciale e ato të sigurisë. Nuk ka rrugë tjetër. Të gjitha variantet, sipas të cilave Serbia bëhet gogoli i Europës, për mua janë hiperbola!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat