“Kurti e ka vendosur në depresion Vuçiqin” / Komentohet deklarata pas takimit me Lajçak-un, ja çfarë përmendet nga e kaluara!

Politika

“Kurti e ka vendosur në depresion Vuçiqin” / Komentohet deklarata pas takimit me Lajçak-un, ja çfarë përmendet nga e kaluara!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 janar 2024 Në ora: 13:39
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Beograd, duke vazhduar sot në Prishtinë.

Një marrëveshje dhe raport normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndodhur ende, për këtë arsye edhe Lajçak po zhvillon këto takime.

E pas takimit të djeshëm me Vuçiqin u publikuan detaje se çfarë biseduan mes vete.

Sipas Vuçiqit, themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri ka qenë ndër temat kryesore të takimit.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, ka shkruar Vuçiq.

Kujtojmë që sot Lajçak do të qëndroj në Kosovë për të biseduar me kryeministrin Kurti për detaje të mëtejshme të dialogut.

Vlen të theksohet që qytetarët e 4 komunave në veri përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Por, kur pritet të organizohen zgjedhjet në veri, tani që peticionet e dorëheqjeve janë dorëzuar?

Gashi: Nëse do të realizohej asociacioni me kompetenca ekzekutive i vitit 2013-2015 ai do të sillte luftë në Kosovë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Image
Tomë Gashi

Ai thotë që Vuçiqi mund të thotë çfarë të dojë, mirëpo që përballë Kurtit ai ka kuptuar që nuk mund të bëjë çfarë të dojë.

“Vuçiq mund të deklarojë çfarë të dojë, si të dojë dhe kur të dojë, sa i përket Serbisë. Sa i përket Kosovës, vendimet përfundimtare për çdo gjë i sjellë Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Kurtin. Vuçiq dalëngadalë e ka kuptuar që Albini nuk është si ata para tij dhe se Albini, si kryeministër, i konsideron çështjet e brendshme të Kosovës si shumë serioze nuk lejon që Serbia të vendosë për Kosovën siç thuaja ka vendosur derisa të tjerët ishin në pushtet. Kurti e ka vendosur paksa në depresion Vuçiqin sepse tanimë ai e ka kuptuar që Albini nuk është i korruptuar e si i tillë as nuk mund të shantazhohet”, thekson ai.

Më tej, ai shton që sa i përket Asociacionit që Albini mund ta bëjë e që fatkeqësisht është për shkak të nënshkrimeve që të tjerët i bënë në vitin 2013 dhe 2015.

“Sa i përket Asociacionit, çfarë e kërkon Vuçiqi, me kompetenca ekzekutive, këtë Serbia nuk do ta ketë kurrë, si me Albinin si pa Albinin në Qeveri sepse tanimë Albini i ka dhënë një leksion të fuqishëm të gjithëve se si mbrohet interesi shtetëror. Ndërsa, sa i përket Asociacionit që Albini mund ta bëjë e që fatkeqësisht është për shkak të nënshkrimeve që të tjerët i bënë në vitin 2013 dhe 2015, mund të jetë një lloj OJQ-je pa asnjë kompetence ekzekutive dhe Albini nuk do të lejojë kurrë që të krijohet një Republikë tjetër serbe dhe pas ngjarjeve të 24 shtatorit - të sulmeve terroriste”, shpjegon avokati.

Ndër të tjera tha se në mënyrë hipotetike, nëse do të realizohej asociacioni me kompetenca ekzekutive i vitit 2013-2015 ai do të sillte luftë në Kosovë.

“Tanimë edhe bashkësia ndërkombëtare e ka parë dhe vërtetuar se çfarë është në gjendje të bëj Serbia duke mos e pasur fare asociacionin, e çfarë do të ishte Serbia në gjendje po që se ndonjë i çmendur do të pranonte që t’i jepej kompetenca ekzekutive një territori të veçantë brenda territorit të Kosovës e që do të ishte fillimi i ndarjes - shkëputjes së këtij territori nga Kosova. Në mënyrë hipotetike, nëse do të realizohej asociacioni me kompetenca ekzekutive i vitit 2013-2015 ai do të sillte luftë në Kosovë sepse Kosova si shtet dhe ne shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të lejonim një gjë të tillë. Është ligjore, prandaj, edhe mund të bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore nëse plotësohen standardet e kërkuara sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ. Zgjedhjet e parakohshme i cakton Presidentja, e jo kryeministri Kurti”, nënvizoi Gashi për “Bota sot”.

Ahmeti: Mbasi është përfunduar peticioni, çdo nënshkrim duhet të verifikohet konform ligjit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai thotë se një Asociacion që kalon përtej Kushtetutës së Kosovës nuk duhet lejuar, pasi nuk duhet lejuar të krijohet pushtet i tretë në Kosovës.

“Çështja e Asociacionit është një problem shumë i diskutuar, e cila në shumicën e rasteve është interpretuar në kontekstin politik. Mendoj se çdo tendencë për të kaluar frymën kushtetuese me draftin për Asociacionit nuk mund të kaloj në filtrat e Gjykatës Kushtetuese. Çdo pretendim përtej Kushtetues së Kosovës nuk duhet lejuar, pasi nuk duhet lejuar të krijohet pushtet i tretë në Republikën e Kosovës. Kushtetuta jonë nuk lejon një pushtet të tretë, kurse ndryshimet kushtetuese në këtë konstulacion janë të pamundura”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që nuk duhet të kamuflohet ligji dhe duhet të verifikohet konform ligjit çdo nënshkrim.

“Zgjedhjet në veri, posaçërisht në nivel lokal janë të specifikuara me Ligjin mbi Vetëqeverisje Lokale, saktësisht rruga duhet të ndiqet sipas udhëzimit administrative. Mbasi është përfunduar peticioni, çdo nënshkrim duhet të verifikohet konform ligjit e jo të lejohet të kamuflohet një gjë e tillë. Nuk duhet të krijojmë një shembull të keq, të cilin çdo komunë tjetër e Republikës së Kosovës mund ta praktikoj. Mbi të gjitha nuk duhet të lejuar të kamuflohet ligji , pasi krijon një procedan shumë të keq për të ardhmen”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat