“Mesazh i qartë për Kurtin nga SHBA”/ Kush po paralajmëron pasoja për Kosovën pas fjalëve të O’Brien?

Politika

“Mesazh i qartë për Kurtin nga SHBA”/ Kush po paralajmëron pasoja për Kosovën pas fjalëve të O’Brien?

Nga: P.Rudi Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 07:58
James O’Brien

Sipas Ndihmës Sekretarit amerikan i Shtetit James O’Brien, Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e fundit të qeverisë së Kosovës për çështjen e dinarit, duke nënvizuar se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere. Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ndër tjerash Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien.

E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, mesazhet amerikane janë serioze për Kosovën, të cilat duhet të merren urgjentisht parasysh.

“Mesazhet e fundit nga SHBA-at që kanë të bëjnë me raportet me qeverinë Kurti, sa i përket veprimeve të kryeministrit lidhur me çështjen e dinarit të Serbisë por edhe më çështje të tjera si mos fillimi i formimit të AKS-së, janë mesazhe serioze që duhet të merren poashtu në mënyrë serioze nga kryeministri Kurti dhe të reflektojë mbi këshillat që ato bartin për të dhe në përgjithësi për qeverinë”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

“Nuk mund të deklarosh se me SHBA-në kemi aleancë të sinqertë dhe të respektueshme duke kërkuar që ky aleat të mbështesë në integrime siç është anëtarësimi në NATO, dhe po në të njëjtën kohë t’i befasosh me vendime të njëanshme dhe të pa koordinuar me ta”, shton analisti Haziri.

Ai thotë se ky duhet të jetë një mesazh i qartë për kryeministrin Kurti.

“Kjo duhet të jetë një gjë e qartë për Kryeministrin Kurti se aleancat në këtë mënyrë nuk funksionojnë, sidomos në kohë krizash globale, aleatët e ndihmojnë njeri-tjetrin. Çështja e veriut të vendit, përveç që është politike, e sundimit të ligjit, është po ashtu një çështje e sigurisë që ka impakt përtej marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe natyrisht se për t'iu qasur kësaj çështje duhet vepruar me kujdes dhe në koordinim të plotë me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-n ashtu siç po kërkojnë zyrtarët e administratës amerikane”, thekson Haziri.

Për fund, Haziri paralajmëron pasoja për Kosovën nëse vazhdon neglizhimi i mesazheve amerikane nga ana e qeverisë Kurti.

“Kam përshtypjen se të gjitha këto veprime që po i ndërmerr qeveria dhe vet kryeministri Kurti, më shumë po llogarisin në atë se si do të reflektojnë në opinion duke llogaritur në poenë politik se sa çfarë do të përfitojë Kosova, por që kjo nuk u intereson edhe aleatëve tanë, pra amerikanëve dhe mbase nëse Kryeministri Kurti nuk reflekton në bazë të këshillave dhe mesazheve amerikane, do të ketë pasoja për kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës”, përfundon Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat