Ish-eprori i UÇK-së: Nuk luftuam për lokale, hotele, fabrika, troje…

Politika

Ish-eprori i UÇK-së: Nuk luftuam për lokale, hotele, fabrika, troje…

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 qershor 2017 Në ora: 10:23
Ilustrim, UÇK

Duke komentuar në lidhje me deklaratën e Kurtit, i cili ditë më parë tha se shumë prej komandantëve në politikë të UÇK-së kanë folur keq për njëri-tjetrin te ndërkombëtarët, zyrtari i AAK-së Avni Arifi, ka thënë se Kurti duhet të tregojë se si e din se çfarë kanë folur komandantët e UÇK-së kundër njëri-tjetrit.

Image
Avni Arifi

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se a ndërlidhet formimi i koalicionit me PDK-në dhe AAK-në me Gjykatën Speciale, e cila pritet të ngrit së shpejti aktakuzat e para, Arifi ka përjashtuar një gjë të tillë.

Sipas tij, koalicioni PAN dhe Specialja, janë dy gjëra të ndara.

“Është mirë më tregu Albini, qysh po e din se kush dhe çka folur? Koalicioni nuk ka të bëjë me Gjykatën. Janë dy gjëra tërësisht të ndara”, ka deklaruar zyrtari i AAK-së.

Ish-eprori i UÇK-së: Nuk luftuam për lokale, hotele, fabrika, troje…

Ndërsa, ish-eprori i UÇK-së dhe SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se vet komandantët sollën Gjykatën Speciale.

“Gjatë periudhës 1999-2005 më ka rënë të lexoj me dhjetëra raporte të disa shërbimeve informative, sidomos të disa intelegjencave ushtarake perëdimore, ku shumë “komandantë” dhe indicidë që vrasjet e pas luftës ia gjuanin njëri-tjetrit. Kujtoj për shembull kur u bënin vrasjet në Prishtinë, këto vrasje ju mvesheshin luftës së heshtur që kishte Llapi dhe Drenica se kush do të zotëronte Prishtinën, sidomos politikisht dhe ekonomikisht”, ka thënë Miftari për “Bota sot”.

Sipas tij, lufta e heshtur po vazhdon edhe sot, pasi qindra lokale e banesa zotërohen nga individë që thirren dhe janë thirrë nga 1999 në emër të luftës, edhe pse, siç ka thënë ai, nuk kanë të bëjnë këto gjëra aspak me luftën.

Image
Naim Miftari

“Ne luftuam për lirinë tonë, por ne nuk luftuam për lokale, hotele, fabrika, shtëpia, toka, troje dhe banesa të të tjerëve”, ka shtuar ish-eprori i UÇK-së.

Ndërsa, për bashkimin e partive PDK, AAK dhe Nisma, Miftari ka mohuar që këto të fundit të jenë bërë bashkë për shkak të frikës nga Gjykata Speciale.

“Mendoj se Gjykata Speciale është një gjykatë e padrejtë dhe selektive, ku cak ka shqiptarët, edhe pse ne ishim viktimë e shtetit serb. Kjo gjykatë ka ardhur si rezultat i mos punës dhe mos funksionalizimit të drejtësisë, pikërisht nga PDK-ja. Ne si popull dhe UÇK-ja, do të kemi shumë pasoja dhe dëme nga kjo gjykatë, ndërsa partitë nuk do të dëmtohen edhe aq nga ajo. Kosova duhet të hetojë krimet e bëra në territorin e saj përmes një gjykate të mirëfilltë shtetërore dhe të pa ndikuar nga mafio-politika”, ka theksuar Naim Miftari për gazetën.

Hoti, Kurtit: Ata që janë dorëzuar para Serbisë, s’kanë të drejtë të flasin për luftën

Edhe nga partia Nisma për Kosovën i janë kundërpërgjigjur akuzave të kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër.

Image
Enver Hoti

Kandidati për deputet të Kosovës nga kjo parti, Enver Hoti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Albin Kurti nuk ka të drejtë të flas për luftën e UÇK-së dhe komandantët.

Kjo pasi, sipas tij, ai është dorëzuar para Serbisë.

“Të gjithë ata që janë dorëzuar para Serbisë, nuk kanë të drejtë të flasin as për luftën, e as për komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëri nga ta është edhe zoti Kurti. E lus publikisht të kursehet nga deklarimet lidhur me luftën dhe komandantët e luftës. Kaq! Sepse nuk i bën nder askujt. Ne kemi qenë atëherë në luftë e dikush është dorëzuar”, është shprehur Enver Hoti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat