“Viruse” majtiste në historinë shqiptare, historianët kërkojnë korrigjimin e saj

Politika

“Viruse” majtiste në historinë shqiptare, historianët kërkojnë korrigjimin e saj

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 nëntor 2017 Në ora: 12:57
Ismail Qemali dhe Isa Boletini, Vlorë 1912 (pikturë)

Historia shqiptare duhet të rishikohet sërish nga dy Akademitë e Shkencave dhe Arteve në Shqipëri e Kosovë, në mënyrë që të përgatisin një program serioz studimor, ku do të përfshiheshin periudha nga viti 1912 e këtej.

Kështu vlerësojnë historianë  të ndryshëm nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria pasi historia e dikurshme është shkruar nga regjimi i Enver Hoxhës, ku mjerisht u ngritën vetëm figurat kombëtare me ideologji të majtë, përderisa u njollosen ato të cilat ishin kryesisht me orientim të djathtë.

Prof. Dr.  historiani Jahja Drançolli ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kjo çështje është trajtuar dikur njëherë, ku unanimisht shkenca jonë ka marrë qëndrim se duhet të rishkruhet historia shqiptare.

Pasojat nga sistemi komunist

Megjithatë, sipas historianit Drançolli ende nuk është vepruar konkretisht në rishkrimin e historisë, e cila përveç lëshimeve të shumta ideologjike ka edhe lëshime, metodologjike-profesionale, lëshime këto të cilat sipas tij, shumë kohë më parë janë tejkaluar në shtete demokratike Evropiane.

“Thënë shkurt këto lëshime janë tejkaluar edhe në disa shtete ish-komuniste të Ballkanit, të cilat përpiqen t’i ndjekin trendët e reja historigrafike që praktikohen në shtete demokratike, ku në krahasim me historinë tonë, në të cilën roli primar i takon historisë politike, duke i neglizhuar fushat të tjera të historisë, si:  historia shoqërore, ekonomike, e religjionit, e kulturës, e artit, etj. Po ashtu, në historinë tonë aktuale është neglizhuar edhe aspekti kronologjik. Dhe, në këtë aspekt, e gjithë historia jonë prej paraqitjes së njërit deri në shek. XIX është shkruar vetëm në një vëllim. Ndërsa, pjesa tjetër, nga shek. XIX deri në mbarim të shek. XX, është shkruar në 3 vëllime, çështje kjo që ndërlidhet me këtë çështje, pasi  janë marrë në konsideratë kryesisht çështjet dhe personalitetet historike që u shkonin përshtati sistemit komunist”, ka thënë profesor Drancolli.

Image
Jahja Drançolli

Ai konsideron se së këtejmi, historia shqiptare asnjëherë nuk ka përfshirë të gjitha territoret ku kanë jetuar të parët tanë Ilirët, madje nuk ka përfshirë as shqiptarët jashtë Shqipërisë politike të vendosura në Konferencën e Londrës (1912/13) dhe Konferencën e Parisit (1919/20).

“ Si e tillë, ajo, përveç personaliteteve të shquara të historisë tonë, sidomos të klerit katolik, nuk ka përfshirë pjesëtarë të familjeve të njohura bujare, gjithandej trevave shqiptare. Madje familjet e tilla së bashku me pjesëtarët e shquar të tyre, si, Mehdi dhe Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, Ibrahim Biçaku, Rexhep Mitrovica, Lef Nosi, Abaz kupi, Gani, Seit dhe Hasan Kryeziu, Lazër Fundo, Muharrem Bajraktari, e shumë të tjerë, në historinë aktuale shqiptare, janë paraqitur për tradhtarë ose bashkëpunëtorë të armikut. Në këtë kontekst historiografia jonë ka bërë dëme të pariparueshme duke inkuadruar pjesën më të rëndësishme të personaliteteve të shquara shqiptare, që vepruan sidomos përgjatë viteve 1918-1948, duke i kualifikuar për bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit, edhe pse në qarqe të kohës ata ishin shquar për veprimtari antifashiste, veprimtari djathtiste, veprimtari demokratike, etj”, është shprehur profesori dhe historiani Drancolli.

“Historia shqiptare duhet të korrigjohet dhe të rishkruhet”

Sipas tij, në këtë kontekst po ashtu duhen inkuadruar edhe intelektualët e botës, që kishin vepruar në Shqipëri në periudhën ndërmjet dy luftërave, si dhe duhet vlerësuar objektivisht rolin e Monarkisë së Shqipërisë në krye me familjen bujare Zogu (1928-1939).

“Duhet domosdo inkuadruar edhe intelektualët e botës nga distanca kronologjike e sotme, e sidomos kur është fjala për periudhën ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1939), Lufta Dytë Botërore (1939-1944), periudha e viteve të para pas LDB, respektivisht vendosja e diktaturës komuniste (1945-1967), çdo studiuesi objektiv i ofrohet mundësia për të bërë hulumtime arkivore, jo vetëm në vend, por edhe në gjithë botën. Nga gjithë ajo që u tha më sipër, me plot gojën duhet theksuar se historia shqiptare duhet të korrigjohet dhe të rishkruhet”, është shprehur Drancolli.

Historiani profesor Ismet Krosi, duke folur rreth kësaj çështjeje, ka thënë për gazetën  “Bota sot”, se historiografia shqiptare është e ngatërruar dhe përplot ideologjizma kontradiktorë të proceseve dhe regjimeve që nga viti 1912 e këndej.

Image
Ismet Krosi

Sipas tij, historia kombëtare duhet gjithsesi të rishkruhet madje edhe atë me një objektivitet të arsyeshëm të proceseve, ngjarjeve, figurave, lëvizjeve etj.

“ Mendoj se duhet zënë vend personalitetet e anatemuara nga regjimet e shkuara e në veçanti të periudhës së komunizmit, pasi partia e punës së Shqipërisë-stalinizmi klasik bolshevik ruso- ortodoks. Dhe, për këtë kemi nevojë që të dy Akademitë e Shkencave dhe Artëve në Shqipëri dhe Kosovë që të përgatisin një program serioz studimor, në mënyrë që të përfshihen periudhat nga 28.12.1912 e këtej, e jo siç e kemi ne historinë e popullit shqiptar, ku shkruhet për shqiptarët e ish-Jugosllavisë, e më pas të Kosovës, ku mjerisht kemi vetëm dogma ideologjike dhe mohim të proceseve dhe anatemimin e personaliteteve të ndryshme që u kanë prirë këtyre 105 vjet historisë”, ka thënë historiani Krosi.

Ai ka thënë, se tani nuk është koha për kritika, por t’i përvishen punës dhe t’i vendosur periudhat e caktuara ashtu siç duhet që nga Kongresi i Londrës e këndej.

“Ne si komb për fat të keq, nuk e dimë se ku mbaruan dhe si u likuiduan personalitetet e shquara që nga Kongresi i Parë i Gjuhës Shqipe në Manastir e deri në vitin 2001, kurse e djathta shqiptare po madje është anatemuar dhe gjithmonë është hedhur baltë ndaj tyre. Andaj, në mund të rishkruajmë historinë përballë proceseve të realiteteve Ballkanike, në mënyrë që të verifikojmë se ku gjendemi në sot si komb, duke filluar me Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë dhe të pozitës së re kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe të atyre në luginën e Preshevës si dhe çështjet tjera të mohuara me dekada të Çamëve. Pra, duhet të shkruhet një histori e re me zinxhirin e proceseve tona kombëtare, duhet të hartohet një histori moderne dhe objektive, paanime, e pakrahasime, pa ideologjizma. Me një fjalë, duhet që të gjithë historianët të mblidhen së bashku dhe të hartojnë një vepër të re, që të jetë udhërrëfyes për të gjithë ne, dhe brezat që do vijnë”, ka thënë Krosi.

Skenderi: Historia u bastardua

Historiani Fauzi Skenderi vlerëson se historia shqiptare patjetër duhet rishikuar, meqë sipas tij, ajo është bastarduar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, dhe i infektuar nga ideologjia bolshevike serbo-ruse antishqiptare, për 50 vjet, duke i eliminuar kështu apo lënë në harresë figurat kombëtare me orientim të djathtë politik, e duke i afirmuar figurat kombëtare me orientim politik të majtë.

Image
Fauzi Skenderi

 

“E hidhura e kësaj është fakti se kush do ta rishikojë vallë tani këtë histori, kur dihet se sot shoqëria jonë shqiptare, fatkeqësisht është e ndarë në dy bastione politike, në atë të djathtë dhe atë të majtë. Madje, si dëshmi të kësaj e kemi rastin me shënimin e datës më të rëndësishme të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë jashtë kufijve politikë të saj, pra "28 Nëntorin", datë të cilën e feston bastioni i djathtë, ndërsa ata të majtë e festojnë "29 Nëntorin", festë kjo e  cila përputhet me festën shtetërore të Federatës ish Jugosllave  më "29 Nëntor"”, ka thënë profesori Skenderi.

28-ta dhe 29

Sipas tij, po t’i hidhet një sy, dhe nëse analizohen gjërat qartë mund të shihen, se të majtët e festojnë "29 Nëntorin", duke e harruar fare "28 Nëntorin" - 1443 dhe atë të vitit 1912.

“Me plot bindje mund ta them se mbi të gjitha, historia shqiptare ka qenë e njollosur nga ideologjia bolshevike serbo-ruse nga regjimi komunist me diktatorial i Enver Hoxhës, madje jo është mese tradhti kombëtare. Dhe mu për këtë historisë shqiptare duhet t'i bëhet një "refresh" në mënyrë që të pastrohet nga infektimet sllavo-komuniste serbo-ruse. E nëse ndodh kjo, atëherë mund të themi se historia shqiptare është e pastër kombëtare dhe pa "viruse" majtiste, edhe pse vështirë se mund të ndodh një gjë e këtillë, meqë bastionet në fjalë politike në Shqipëri i kanë betonuar pozicionet e tyre politike në këtë plan”, është shprehur historiani dhe profesori Fauzi Skenderi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat