Deputeti i VV-së mesazh Thaçit: Vetëvendosje nuk do ta përkrah asnjë iniciativë të udhëhequr nga ai

Politika

Deputeti i VV-së mesazh Thaçit: Vetëvendosje nuk do ta përkrah asnjë iniciativë të udhëhequr nga ai

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 janar 2018 Në ora: 21:14
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka ripërsëritur qëndrimet e tyre karshi ndryshimit të ligjit për Gjykatë Speciale.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë për “Bota sot” se sikur forma e miratimit të Gjykatës Speciale, ashtu edhe tentimi për shfuqizim janë pasojë e interesave personale të Hashim Thaçit.

Image
Xhelal Sveçla

“Së pari, theksoj që qëndrimi e Lëvizjes Vetëvendosje! karshi Gjykatës Speciale nuk ka ndryshuar. Pra, është po i njejti qëndrim që kemi mbajtur në vitin 2015. E theksoj këtë sa për të rikujtuar kohën e miratimin të saj dhe ngjarjet në Parlament, specifikisht presionin e bërë deputetëve nga PDK nën udhëheqjen e Hashim Thaçit. Ka qenë një proces i bërë me nguti e shumë presion, dhe me pasoja shumë të dëmshme për Kosovën që gjithë themelet e lirisë së sotme dhe asaj që synojmë i ka në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po e njejta nguti e njejti presion po e përcjell edhe tentativën për shfuqizimin e saj, nga po i njejti njeri. Si në rastin e parë e si në rastin e dytë, në të njejtën linjë edhe me nismat e tjera të ndërmarra nga Hashim Thaçi, mund të vërehet që gjithë shtysa janë interesat personale të tij, të përcjellura me një çasje joshtetërore nga figurat e tjera të përfshira. Kjo domosdomshërisht do të ketë vetëm rezultate negative. Duhet të kujtojmë këtu rastin e iniciativës së vendosjes së policisë speciale në veri, iniciativë që ne e kemi përkrahur duke u bazuar në paraqitjen që iu bë në Parlament, por mbeti në gjysmë e që la pas pasoja të tmerrshme si vrasjen e Enver Zymerit, barikadat mbi lumin Ibër që ironikisht më pas i quajtën “Parku i Paqes” dhe negociatat që na sollën Zajednicën e Listën Serbe. Pra, janë këto pasoja që ne ende i vuajmë dhe sa shkon koha forcohen më shumë. Edhe iniciativa për shëndrimin e FSK-së në ushtri është bërë me joseriozitet dhe pasojat sot po i vuan FSK-ja”, ka theksuar Sveçla për “Bota sot”.

Sipas tij, nismat e Thaçit kanë të përbashkët ngutin dhe joseriozitetin, kështu Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përkrahë asnjë iniciativë të udhëhequr nga ai.

“Po e kuptoni, të gjitha nismat e ndërmarra nga ky njeri e që thirren në interesin e përgjithshëm kanë të përbashkët një nguti e joseriozitet që vazhdon me lënien në gjysmë të gjithë proceseve të nisura, e që rezultojnë me pasoja shumë më të rënda për shtetin tonë sesa gjendja fillestare. Këto nisma edhe mund t’i sigurojnë këtij personi disa vite qëndrim në skenën politike e pjesëmarrje në tryeza negociatash, por zhbërja e pasojave që po len pas do të kërkojë shumë kohë e angazhim dhe është barrë shumë e rëndë për shoqërinë tonë. Nuk është as logjike e më së paku e drejtë që të vazhdohet kështu. Për pasojë, Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të përkrahë asnjë iniciativë të udhëhequr nga Hashim Thaçi. Sa i përketë raporteve me partnerët ndërombëtarë, kur beson në drejtësi, me sinqeritet rendit argumentet për çështjet çlirimit e shtetit e çështjet e mirëargumentuara mund të diskutohen shtruar edhe me partnerët ndërkombëtarë. Por, përderisa këta bazohen kryekëput në interesa individuale e në mungesë të çasje shtetërore, dëmtimi i së ardhmes përmes mohimit të të kaluarës e dëmtimi i raporteve me partnerët ndërkombëtarë që do të ndikojë në të ardhmen iniciativat e forcimit të shtetit janë logjikshëm të pashmangahme, pavarësisht rastit të vizës së kryeministrit”, ka pohuar Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat