Heshtja një minutëshe e Qeverisë Haradinaj për Ivanoviçin, veprim foshnjor

Politika

Heshtja një minutëshe e Qeverisë Haradinaj për Ivanoviçin, veprim foshnjor

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 janar 2018 Në ora: 20:23
Qeveria e Kosoves

Oliver Ivanoviç ishte arrestuar në vitin 2014 për krime lufte në vitin 1999 dhe 2000 në Mitrovicë si i akuzuar për vrasje, dëmtim prone dhe dëbim të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës.

Ivanoviç ishte i dënuar me 9 vite burg, por Apeli e kishte lënë të mbrohet në liri.

Përkundër, që për opinionin shqiptar ai njihet si kriminel lufte, Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e tij.

Një veprim i tillë i Qeverisë, sipas analistëve politikë është i standardit foshnjor.

Enver Bytyçi, analist politik ka thënë për “Bota sot” se heshtja një minutëshe është një veprim i kontestueshëm.

Sipas Bytyçit, politikanët shqiptarë për shkak të ngërçit të krijuar me ndërkombëtarët, duan me akte të tilla të krijojnë një përshtypje tjetër.

“Heshtja një minutëshe e qeverisë së Kosovës për vrasjen e Oliver Ivanoviç sigurisht që është një veprim i kontestueshëm. Në aspektin njerëzor, çdo jetë njeriu është e shenjtë. Por kur institucioni i shtetit nderon një person ose personalitet, kjo do të duhet patjetër të mbështetet në kontributet e personit ose personalitetit në fjalë për interesat e vendit, të cilin e përfaqëson një qeveri që mban nderimin përkatës. Në këtë kuptim nderimin që i bënë Qeveria e Kosovës Oliver Ivanoviçit e shoh si një veprim të një standardi foshnjor. Duket qartë se politikanët për shkak të ngërçit që kanë krijuar me ndërkombëtarët duan që me akte të tilla të krijojnë një përshtypje tjetër prej “engjëlli”. Dhe për këtë kanë shfrytëzuar një fatkeqësi që i ndodhi Ivanoviç”, ka pohuar Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Kreu i partisë “Liria, Demokracia, Drejtësia”, SDP, në janar të vitit 2014 ishte arrestuar me akuzën për krime lufte ndaj popullsisë civile në Mitrovicë dhe gjykimi filloi në muajin shkurt. Pasi ka kaluar dy vjet në paraburgim, përkundër dëshmive për vrasjen e 19 shqiptarëve në jug të Mitrovicës, presioni i Beogradit zyrtar dhe Kryeministrit të Serbisë në atë kohë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë që ai të lirohet në Prillin e vitit të kaluar, me vendimin gjyqësor që të mbrohet në liri.

Sipas Bytyçit, edhe nëse ky person nuk do të ishte akuzuar dhe dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, përsëri nderimi  nga ana e Qeverisë do të ishte i tepërt

Bytyçi ka shtuar për “Bota sot” se përderisa politika shqiptare do të ndërmarrë veprime të tilla përulësie ndaj ndërkombëtarëve, aq do të dëshmojë se asaj i mungon dinjiteti dhe integriteti.

“Edhe sikur ky person të mos ishte akuzuar dhe dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, përsëri nderimi nga ana e qeverisë së Kosovës do të ishte i tepërt. I tepërt, sepse nuk ka asnjë provë se Oliver Ivanoviç të ketë dhënë ndonjë kontribut të vlefshëm për lirinë e shqiptarëve dhe shtetësinë e Kosovës. Përkundrazi, ai ka lyer duart e gjak shqiptarësh. Po edhe sikur të kishte kryer krime kundër serbëve, përsëri një kriminel gjaksor nuk mund të nderohej e respektohej institucionalisht. Sa kohë që politika shqiptare, përfshirë dhe atë të Kosovës do të ndërmarrë veprime të tilla përulësie ndaj ndërkombëtarëve, aq kohë do të dëshmojë se asaj I mungon dinjiteti dhe integriteti. Në sytë e ndërkombëtarëve do të ishte më e respektuar qeveria e Prishtinës, nëse do të mbante një qëndrim indifferent. Por sa kohë do të kei qëndrime të tilla servilizmi me serbët dhe ndërkombëtarët, aq kohë do të ushtrohet kamxhiku I pushtetit tek të bindurit, të cilët në këtë rast janë shqiptarët!”, ka përfunduar Bytyçi.

Ivanoviç është vrarë në mëngjesin e 16 Janarit, në veri të Mitrovicës. Dyshohet se është qëlluar nga një veturë në lëvizje afër zyrave të partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat