Ata që duan të minimizojnë titujt, meritat dhe bëmat e ish Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi, sipas ish gazetarit të luftës, Rexhep Shahu, zvogëlojnë veten e tyre dhe zvogëlojnë Kosovën.
“Ata që duan të minimizojnë titujt, meritat dhe bëmat e ministrit të mbrojtjes të Kosovës zvogëlojnë veten e tyre, zvogëlojnë Kosovën, qëndresën e saj, institucionet e saj, duan ta lënë Kosovën në suaza fisesh, krahinash, rajonesh. Askush nuk e ka patur fuqinë, autoritetin, nderimin e respektin si ministri Ahmet Krasniqi e figura të tilla si Sali Çekaj. Autoritet kishin njerëzit autoritare, njerëzit që kishin spikatur në jetën e tyre me bëmat e veprimet e tyre dhe nuk mund te kishin autoritet moral publik anonimet sado të trimëronin me mua kafeneve të Kukësit, Hasit e Tropojës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka rrëfyer edhe historitë e ndodhur në spitalin e Tropojës, gjatë qershorit 1998, ku Shahu gjatë kësaj kohe raportonte nga spitalin e Tropojës, ku ka treguar bisedën e tij me një ushtarë të UÇK-së.
“Minimizuesve e zvogëluesve të përmasave të ministrit Krasniqi po ju kujtoj një histori e ndodhur në spitalin e Tropojës me 4 ose 5 qershor 1998. Unë nuk i kam më të dëgjuara historitë e mia të luftës ,por kam qenë dëshmitar në vendngjarje. Isha gazetar me mikrofon në dorë në spitalin e Bajram Currit. Atë ditë udhës për Tropoje ishin lindë 4 bebe të reja në kushte të rënda por nënat ishin gjallë e bebet ishin gjallë. Njërin bebe e pagëzuan Çlirim. Por po ju tregoj diçka tjetër. Një ushtari të UÇK po i pritej këmba, nuk kishte shërim prej një gangrene, por ai nuk e dinte se çfarë do ta gjente. Si je, e pyes. Paj mire jam bre Rexh veç po me vonojnë këta të spitalit. Pse po te vonojnë, çfarë halle ke, e pyes unë. Paj me u kthye burrë, me u kthye në luftë, me shkue në luftë të shokët. Shërohu njëherë, se ke kohë për lufte, do të jetë luftë e gjatë, i them unë. E gjatë e shkurt, na ka gjetë kjo luftë Rexh e na duhet me e ba këtë luftë, nuk ka kohë për Kosovën ma. Shihja lëvizjet e mjekeve e infermiereve në atë rrëmujë, në atë presion të jashtëzakonshëm prej pacienteve të ardhur nga Kosova. Por për çudi, që nuk ma beson askush, unë i konsideroja një, si të ardhurit si vendasit sepse në fakt ata ashtu ishin e ashtu e konsideronin veten e tyre. Ata flisnin me njeri tjetrin sikur ishin ndarë para një muaji e jo para gjysmë shekulli. Me ka je, e pyes, për të hequr mendjen nga ajo që me thanë se i duhet prerë këmba dhe duhet nisë urgjent për Tiranë... Me Kosovën burrë. Po të pyes me çfarë partie je se e di se je me Kosovën. Me Rugovën burrë, tan jena me Rugovën, me LDK. Si me LDK-në Paj tan Kosova është LDK burrë, tan ushtarët janë me Rugovën e LDK.... “, ka rrëfyer Shahu për “Bota sot”.
Në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ai ka thënë se sot në kohën e pushtetin e komandantëve le të bëjnë çfarë të duan, pasi që Ministri i mbrojtjes se Kosovës Ahmet Krasniqi, ishte ministër i Republikës së Kosovës.
“Mendoj se është e mjaftueshme me tregue gjendjen në kohën e luftës e sot në kohën e pushtetin e komandantëve le të bëjnë çfarë të duan. Ministri i mbrojtjes se Kosovës Ahmet Krasniqi, ishte ministër i Republikës së Kosovës ani se në këtë republikë disa komandantë bënë luftë me armë me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.