Kryhen mbi 12 mijë teste të shpejta, Manastirliu: Rrisim kapacitetet e testimit për kapjen e hershme të rasteve COVID

Shqipëria

Kryhen mbi 12 mijë teste të shpejta, Manastirliu: Rrisim kapacitetet e testimit për kapjen e hershme të rasteve COVID

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:28
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër aplikimin e testimit të shpejtë në komunitet në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, ku deklaroi se deri tani janë kryer mbi 12 mijë teste të shpejta të antigenit, duke rritur kapacitetet e testimit dhe gjurmimit.

“Çdo pikë e hapur në Tiranë për testimin e shpejtë në komunitet mbulon rreth 100,000 banorë, të cilët, kur kanë shenja apo dyshime, kanë qenë pjesë e kontaktit që kanë rezultuar pozitiv, lidhen me mjekut e familjes, përcaktojnë fashën orare dhe testi kryhet në një kohë shumë të shpejtë dhe me cilësi të lartë, pasi janë persona të trajnuar dhe profesionistë që kryejnë këtë testim. Vetëm ditën e djesheëm me hapjen e 6 pikave janë më shumë se 300 testime të kryera, ndërkohë që prej fillimit të testimit të shpejtë janë më shumë se 12 mijë teste të shpejta të antigenit që janë kryer”, deklaroi Manastirliu.

Me qëllim kapjen e hershme të rasteve dhe izolimin e tyre, Manastirliu theksoi rolin kyç të mjekëve të familjes në këtë situatë, për ndjekjen dhe trajtimin e pacientëve dhe për t’i mbështetur me barnat që ata kanë nevojë.

“Mjeku i familjes ka rolin më kryesorja i përket të gjithë ndjekjes së rasteve të dyshuara apo rasteve të cilat konfirmohen dhe më pas duhet të ndiqen nga pikëpamja klinike, për tu mbështetur edhe me paketën e rimbursimit të barnave që trajtohen në banesë, por edhe për referim për ata që kërkojnë shërbim me të specializuar dhe dërgohen në strukturat tona spitalore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se në varësi të fluksit, do të vijohet edhe me hapjen e 4 pikave të tjera për testimin e shpejtë në Tiranë, ndërkohë që spitalet rajonale në të gjithë vendin janë pajisur me teste të shpejta të antigenit. Manastirliu theksoi se paralelisht me testimin e shpejtë, po vijon të rriten kapacitetet për testimin klasik me metodën PCR.
Në prag të festave të fundvitit, ministrja Manastirliu u ka ribërë apel qytearëve të mos e ulin vigjilencën dhe të shmangin grumbullimet.

“Në këtë periudhë festash një apel për të gjithë, për të kufizuar kontaktet, për të mbajtur maskën, për të ruajtur higjienën dhe distancën, sigurisht duke festuar në familjen e vogël, duke shpresuar që së shpejti do t’i rikthehemi normalitetit”, tha Manastirliu.

Testimi i shpejtë ka filluar në 6 pika në Tiranë, në qendrën shëndetësore nr. 9, nr.10, nr. 4 (pika e Brrakës), në qendrën shëndetësore të Kombinatit, në qendrën shëndetësore Qyteti Studenti dhe në Kodër-Kamëz. Është mjeku i familjes, i cili, nëpërmjet sistemit të referimit elektronik, e referon qytetarin për testin e shpejtë në fashat orare nga 10:00-16:00, nga e hëna në të shtunë. Dhe pacienti paraqitet në pikën e testimit në ditën dhe orën e caktuar, ndërsa përgjigjen e merr sërish nga mjeku i familjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat