VOA: Festohet Pashka katolike në Shqipëri

Shqipëria

VOA: Festohet Pashka katolike në Shqipëri

Më: 17 prill 2022 Në ora: 16:39
Besimtarët e krishterë u bashkuan në katedralen e Shën Palit në Tiranë

Mijëra besimtarë të krishterë festuan sot Pashkët në Shqipëri. Ata u bashkuan në mesnatë dhe sot gjatë ditës nëpër kisha dhe katedrale, ku drejtuesit fetarë bënë thirrje për të ndihmuar të varfërit dhe të pambrojturit.

Besimtarët e krishterë u bashkuan në katedralen e Shën Palit në Tiranë në orët e vona të mbrëmjes për të uruar njëri tjetrin dhe për të marrë pjesë në ceremonialet e posacme të festës.

Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, kryeipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj, thotë se Pashka tregon që dashuria për njeriun triumfon dhe se fjalën e fundit nuk e kanë as padrejtësia, as dhunë as vdekja.

Ai përmendi vuajtjet e njerëzve të sëmurë gjatë pandemisë Covid e së fundi dhimbjet e burrave, grave e fëmijëve gjatë luftës në Ukrainë. Pashka është ngadhënjimi mbi vdekjen, ndaj besimtarët duhet t’u qëndrojnë pranë të varfërve dhe të pambrojturve.

“Kanë nevojë për ne personat me të ardhura të pamjaftueshme, personat me aftësi të kufizuara, të cilëve iu mungon një mbështetje e përshtatshme, të rinjtë pre e krimit të organizuar dhe e përdorimit të substancave narkotike, familjet që shpesh nuk plotësojnë dot nevojat dhe ëndrat e fëmijëve të tyre, gjë që ka sjellë dimrin demografik, shpesh herë si rrjedhojë e varfërisë në vendin tonë” - tha kryeipeshkvi Dodaj.

Ai shtoi se njerëzit vuajnë shumë edhe prej vëllavrasjes e përçarjes. Ai u bëri thirrje besimtarëve shqiptarëve ta përtërijnë fenë e tyre dhe të përkushtohen në mirëkuptim dhe respekt të ndërjelltë në dobi të komunitetit dhe shoqërisë.

“Kemi nevojë për Pashkë, për ringjallje, për rilindje, për risi në shoqëri, në politikë, në sipërmarrje dhe në edukim, për të rimëkëmbur një popull, që përballë sifdave i dorëzohet tundimit të emigrimit, përballë mosrealizimit të premtimeve i dorëzohet indiferencës, përballë padrejtësisë i dorëzohet heshtjes” - tha kryeipeshkvi Dodaj.

Ashtu si në Katedralen e Shën Palit dhe kishat katolike në Tiranë e Durrës, Pashka u festua sot edhe në Shkodër. Lezhë, Fier, Lushnje dhe në gjithë krahinat, kudo gjenden komunitete dhe kish të krishtera.

Shqipëria është e mirënjohur për tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare, që kanë mbizotëruar në shekuj mes shqiptarëve, që u përkasin besimeve të ndryshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat