“Ka hapur thesin elektoral”, Arion Sulo për premtimet e Ramës para 14 majit: Poshtërsi politike, përdori varfërinë e pensionistëve

Shqipëria

“Ka hapur thesin elektoral”, Arion Sulo për premtimet e Ramës para 14 majit: Poshtërsi politike, përdori varfërinë e pensionistëve

Më: 4 prill 2023 Në ora: 17:50
Gazetari dhe analisti Arion Sulo

Gazetari dhe analisti Arion Sulo i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me gjyqin që po zhvillohet në Hagë kundrejt ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa komentoi edhe situatën elektorale para fushatës së zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Sipas tij procesi që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka ngjyrime të thella politike dhe nuk ka prova, ndërsa shtoi se gjithçka po bëhet për të “njollosur UÇK-në dhe luftën e tyre” me qëllim për të mbajtur ekuilibrat në Ballkan duke kompensuar Serbinë për bombarimet e vitit 1999.

Nga ana tjetër ai komentoi situatën elektorale në vend teksa tha se premtimet e kryeministrit Rama për pensionistët është një “poshtërsi politike” dhe “përdorim i varfërisë së pensionistëve” pa qenë nevoja.

Sipas tij ai ka hapur “thesin elektoral” dhe ka shkelur ligjin me këtë premtim, ndërsa vijoi më tej duke thënë se edhe nëse kjo do kundërshtohet nga opozita do u sjellë humbje pikësh te votuesit pasi në fund të fundit do të hiqte para nga këta të fundit.

“Procesi ka ngjyrime të thella politike dhe nuk ka prova, nuk është proces penal dhe për të cilin po gjykohen ngjarje të luftës që teorikisht mund të jenë kryer nga shqiptarët e Kosovës. Procesi i Hagës është për të njollosur UÇK-në dhe është e pafalshme për drejtësinë ndërkombëtare që është vendosur në funksion të mbajtjes së ekuilibrave në Ballkan, po kompensohet Serbia për bombardimet e ’99-ës dhe për ta tërhequr atë drejt Perëndimit. Ata kanë një këmbë brenda Rusisë dhe në kurriz të luftës së shqiptarëve, po u thuhet që nuk po goditet vetëm Serbia.

Raporti i Dick Martyt nuk përmendet fare në Hagë sot, pjesa nga ku nisi e gjithë kjo nuk ekziston. Kjo tregon se sa politik është ky proces. Ne kemi kopjuar pjesën më të keqe të drejtësisë në Evropë. Procese të tilla zgjasin shumë, mund të zgjasë edhe 2-3 vite. Fatkeqësisht Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe të tjerët po paguajnë haraçin e Kosovës së lirë sot.

Zgjedhjet në Shqipëri

Tërheqja e kandidatëve të Alibeajt vjen sepse ata nuk përfaqësojnë dot PD-në. Kjo nxjerr zbuluar betejën e tyre që rezulton një falsitet që kërkonte vetëm mbajtjen e vulës. Nuk ka mbështetje. Alibeaj e ka kuptuar fare mirë, ka përdorur vulën e PD-së. Kanë vetëm vulën që ia dha gjykata që dihet nën ndikimin e kujt është. Të jesh kandidat duhet të gëzosh besimin e njerëzve dhe të jesh dikush. Ai tentoi të vendoste kandidatë në çdo bashki, por nuk mundi. Kur nuk vendos dot kandidatë ti nuk ke parti, sidomos PD-ja. Duke qenë zgjedhje vendore, nëse nuk ke kandidatë nuk garon dot dhe nuk ofron dot ofertën tënde, nuk je parti. Nuk kanë listë zyrtare, as KQZ nuk e di sa do kandidojnë. Në këtë moment le të dorëzojnë vulën dhe partinë.

Nëse do ishim në situatë normale dhe do kishim garë të vërtetë elektorale do flisnim për zgjedhje me rezultat të paparashikueshëm. Në një moment që ka humbur gara ne i dimë rezultatet. Fati i papërcaktuar i fituesit mbetet vetëm në disa bashki. Nëse Berisha do humbiste në kushte të barabarta do mbante përgjegjësin, por në kushtet e tanishme unë mendoj se në 15 maj do kemi përkeqësim të PD-së dhe muaj të tensionuar politikë. PD duhet të garonte si PD, situata është e paqartë. Fati i opozitës duhet të jetë bashkimi në një platformë të përbashkët

Kjo e 5000 lekëshit për pensionistët është poshtërsi politike nga qeveria. Është një përdorim i varfërisë pa qenë nevoja. Së pari me 5000 lekë është e vështirë të blesh diçka me aq sa janë rritur çmimet. Një pensionisti mund t’i hyjnë në punë edhe 10 mijë lekë ndoshta, por ky është poshtërimi që bën kryeministri. Kemi shkelje të ligjit në radhë të parë, ai tund 50 mijë lekëshin para pensionistëve si te Lulëkuqet mbi mure. Ai u ka mbyllur gojën atyre me ato lekë sepse e di që i duhen. Është hapje e thesit elektoral. Përderisa mundet ai e bën dhe nuk jep llogari. Opozita nëse e kundërshton me forcë do jetë përballje me varfërinë duke u hequr paratë pensionistëve. Nuk bën ta çojë opozita në gjykatë këtë”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat