Kim: SHBA dhe Shqipëria janë të lidhura bashkë, ajo që na bashkon, më e madhe se ajo që na ndan

Shqipëria

Kim: SHBA dhe Shqipëria janë të lidhura bashkë, ajo që na bashkon, më e madhe se ajo që na ndan

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 07:21
Juri Kim

247-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri bashkë në Tiranë krerët më të lartë të shtetit, politikës, përfaqësues të qeverisë, institucioneve të drejtësisë, medias, biznesit, trupit diplomatik dhe artit.

Në ceremoninë e fundit që ambasadorja Juri Kim organizoi në Tiranë për shkak të përfundimit të mandatit të saj, ajo vuri theksin tek lidhjet historike të dy vendeve tona. Kim tha se ashtu amerikanët bënë zgjedhjen 247-vjet më parë, edhe shqiptarët zgjodhën rrugën e tyre në 1990-ën.

“Nëse kam mësuar diçka nga koha ime në Shqipëri është se ne, amerikanë dhe shqiptarë, jemi njësoj në shumë mënyra, përfshirë në mënyrat më të rëndësishme. Shpresoj që populli amerikan dhe populli shqiptar. Ne, populli, ta ruajmë gjithmonë këtë afri. Dhe shpresoj që të gjithë do të shohin se ne, si ju, nuk do të dorëzohemi kurrë në kërkesën tonë për një të ardhme më të drejtë, më të fortë dhe më të begatë për të gjithë ne”.

Kim tha se pavarësisht mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur gjatë detyrës së saj, lidhjet përbashkuese janë më të mëdha se ajo që i ndan.

“Unë mendoj se me çdo person këtu që kam pasur një mosmarrëveshje apo një tjetër, me disa prej jush më shumë se me të tjerë, por unë ende besoj, ashtu siç besoja që në fillim, është se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan.

Lidhjet e forta mes 2 vendeve i theksoi edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj duke nënvizuar mbështetjen për Kosovën.

“Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë”.

Begaj vlerësoi rolin e ambasadores Kim në proceset demokratike dhe ecurinë e reformave duke e ftuar atë të rikthehet në Shqipëri.

“Të vini si në shtëpinë tuaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat