Studentët e Mjekësisë bojkotojnë mësimin, VOA: Nis viti i ri akademik, por me probleme të mbartura

Shqipëria

Studentët e Mjekësisë bojkotojnë mësimin, VOA: Nis viti i ri akademik, por me probleme të mbartura

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 20:15
Studentët e Mjekësisë

Në Shqipëri nisi sot viti i ri akademik për mbi 121 mijë studentë, nga të cilët 20 mijë të rinj nisin studimet e larta për herë të parë. Studentët e Universitetit të Mjekësisë në kryeqytet bojkotuan ditën e parë, në shenjë proteste ndaj ligjit, që u kërkon të punojnë deri në 5 vjet në Shqipëri në përfundim të studimeve, para se të marrin diplomën. Në universitetet e tjera në Tiranë dhe në qarqe të tjera janë paraqitur sivjet një numër më i ulët studentësh. Disa degë dhe programe rrezikojnë të mbyllen.

Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë e nisën sot me bojkot vitin e ri akademik, kundër ligjit të sapomiratuar, që u kërkon punësimin e tyre të detyruar deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve.

Ata kërkojnë dialog për të shmangur këto pengesa, që u sjell marrëveshja e kërkuar nga universiteti, sipas të cilës, ata do ta tërheqin diplomën e studimeve pas një punësimi disavjeçar në sistemin shëndetësor shqiptar. Bojkotin e studimeve ata e kishin njoftuar qysh nga protestat që mbajtën para Kuvendit, teksa shumica miratonte në seancë projektin e ri të qeverisë, që synon të frenojë emigrimin e punonjësve të rinj të mjekësisë.

ADVERTISING

Në mesin e mbi 121 mijë studentëve universitarë, Shqipëria ka sivjet mbi 20 mijë studentë të rinj, që hyjnë për herë të parë në auditoret e fakulteteve, ndërsa në gjithë universitetet ka një ulje të numrit të regjistrimeve për shkak të lëvizjeve demografike të brendshme dhe jashtme.

Në dy raundet e para të regjistrimeve Universiteti i Tiranës ka plotësuar afro 72 për qind të kuotave dhe në përfundim të raundit të tretë mund të shkojë në 80 për qind, aq sa ka qenë mesatarja e viteve të mëparshme.

Degët më të kërkuara janë juridiku, teknologjia, ekonomia dhe letërsia, ndërsa ato më pak të kërkuara janë fizika dhe biologjia.

Autoritetet e arsimit në universitete dhe në ministri pohojnë se po përpiqen që të përshtatin projektet e ndërkombëtarizimit dhe profilizimit krahas mbështetjes me bursa të studentëve që ndjekin programe me përparësi.

Universitetet po projektojnë një ofertë më tërheqëse dhe konkurruese, për studimet dhe kërkimet shkencore në bashkëpunim me universitetet e njohur të vendeve të tjerë.

Universiteti i Tiranës ka nënshkruar deri tani 300 marrëveshje ndërkombëtare për lëvizshmërinë e studentëve dhe pedagogëve sipas planeve kërkimore në shkenca të ndryshme. Prej tyre kanë përfituar së paku një mijë studentë e pedagogë, që lëvizin për studime jashtë vendit.

Ndërkohë, në universitetet e Elbasanit, Durrësit, Korçës dhe Shkodrës u regjistruan këtë vit një numër më i ulët studentësh dhe disa degë e programe janë pezulluar për shkak të interesimit të pakët të studentëve.

Në Elbasan janë plotësuar në raundet e para deri tani vetëm gjysma e kuotave të përcaktuara nga universiteti, ku degët më të kërkuara janë infermieria dhe shkencat mjekësore teknike, ndërsa janë ulur shifrat e studentëve të ekonomikut. Në Durrës financa, infermieria dhe degët profesionale janë programet më të kërkuara, kundrejt historisë, turizmit dhe filozofisë.

Në Korçë dy programe nuk kanë asnjë student, ndërsa disa programe të tjerë kanë më pak se 10 studentë. Në Shkodër programet më të kërkuara janë degët mjekësore dhe më pak historia dhe gjuhët e huaja.

Regjistrimet e reja të studentëve në këtë vit akademik janë ndikuar, sipas ekspertëve, jo vetëm nga lëvizjet demografike, por edhe nga ndryshimet e kërkesave në tregun e punës, për të cilat edhe universitetet po përpiqen të bëjnë përshtatjet e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat