Dhunimi i gazetarit Gjergj Zefi, Begaj dënon sulmin: Të zbardhet ngjarja

Shqipëria

Dhunimi i gazetarit Gjergj Zefi, Begaj dënon sulmin: Të zbardhet ngjarja

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 11:50
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj reagoi sot në lidhje me dhunimin e gazetarit Gjergj Zefi. Begaj u shpreh se dhuna e çdo forme është e papranueshme. Kreu i Shtetit inkurajoi organet ligjzbatuese që ta ndjekin më vëmendje dhe ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje

“Dënoj dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Gjergj Zefi. Dhuna e çdo forme është e papranueshme. Inkurajoj organet ligjzbatuese që ta ndjekin më vëmendje dhe ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje”, theksoi Begaj në reagimin e tij. Mbrëmjen e djeshme u raportua se gazetari Gjergj Zefi u godit nga disa persona, në Tiranë.

Sipas policisë, fillimisht është marrë një telefonatë në Sallën Operative, ku është njoftuar se në rrugën “Bardhok Biba”, persona të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta një shtetas. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se personi i dëmtuar është gazetari Zefi, 52 vjeç, i cili më pas mori ndihmën mjekësore.

Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi Hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat