Denaj: Eksportet bujqësore drejt më shumë se 80 tregjeve elitare ndërkombëtare

Shqipëria

Denaj: Eksportet bujqësore drejt më shumë se 80 tregjeve elitare ndërkombëtare

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 18:45
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot se eksportet bujqësore në rreth 80 tregje elitare kanë arritur në 550 milionë dollarë, ndërsa objektivi për të arritur nivelin e 1 miliard dollarëve në 2030 është mëse i arritshëm.

“Falë mbështetjes së qeverisë sonë socialiste kemi pesëfishuar mbështetjen e drejtëpërdrejtë për fermerët dhe blegtorët, duke trefishuar prodhimin në perime, duke dyfishuar sipërfaqen e serrave dhe duke arritur në këtë moment që jemi, në këtë stacion të 2023-shit në 550 milionë dollarë eksporte, në 80 tregje elitare ndërkombëtare”, u shpreh ministrja.

Ky, vuri në dukje ministrja Denaj, është një stacion drejt destinacionit 2030 me 1 miliard dollarë eksporte, të cilat janë falë një përkushtimi dhe një pune të sipërmarrjes shqiptare, por pa lënë pas, tha ajo, mbështetjen e drejtpërdrejtë me fonde buxhetore dhe në infrastrukturë.

“Flasim për ato fonde, për atë projekt që është përafrimi me BE-në dhe siguria ushqimore. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur, jo vetëm punën e madhe laboratorike, duke filluar nga 6 teste laboratorike në 2013, në 1631 teste sot, për të arritur në destinacionin prej 2500 teste në 2030, por mbi të gjitha për certifikimin e 34.5 milionë fidanëve dhe më shumë se 1500 tonë produkte fare”, theksoi ministrja Denaj.

Infrastruktura nuk është vetëm filizi, vuri në dukje Denaj, por mbi të gjitha është ruajtja e sipërfaqes së tokës nga një kërcënim, që sot jo vetëm për Shqipërinë, për rajonin, por për gjithë botën është kërcënim real, që është ndryshimi klimatik.

“Dua të theksoj mbështetjen e padiskutueshme që është bërë në këto vite, jo vetëm me fonde buxhetore që kanë tejkaluar 250 milionë euro, por mbi të gjitha në objektivin për të realizuar 100 % të potencialit tonë ujitës në 2030 dhe 100 % të potencialit kullues në 2030 dhe për të dyfishuar nga 100 km, në 200 km mbrojtjen në argjinaturë, që asnjë sipërfaqe të mos jetë jashtë vëmendjes së prodhimit”, deklaroi Denaj.

Por ministrja u shpreh se sfidat janë të mëdha dhe se duhet ende shumë punë, sidomos drejt teknologjive të reja në infrastrukturë.

“Në raport me infrastrukturën, teknologjinë, kemi ende shumë punë për të bërë, është një kantier i madh që na vë para sfidës jo vetëm ne, sepse inovacioni sot është një qasje për çdo sektor, përfshirë bujqësinë”, tha Denaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat