Dy herë i dehur në makinë brenda 25 ditëve, Gjykata e mbyll në burg. 40-vjeçari: Më lironi, kam një fëmijë autik dhe nusen pa punë

Shqipëria

Dy herë i dehur në makinë brenda 25 ditëve, Gjykata e mbyll në burg. 40-vjeçari: Më lironi, kam një fëmijë autik dhe nusen pa punë

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 19:32
Foto ilustrim

Një 40-vjeçar nga fshati Gjashtë i Sarandës, prej një muaji e gjysmë ndodhet i paraburgosur për shkak se është arrestuar nga policia duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. 3 ditë më parë Gjyqtari Mikel Hysometaj ka refuzuar kërkesën e tij për lirim.

40-vjeçari i është drejtuar me kërkesë Gjykatës duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” pasi ai pretendon se ka dy fëmijë të mitur, ku njëri prej tyre (i mituri E. M), është i diagnostikuar me autizëm dhe se i vetmi person i punësuar në familje, është bashkëshortja e tij, e cila që nga koha që ai është arrestuar, është shkëputur nga puna për pjesën më të madhe të ditëve, për t’u kujdesur për fëmijën e sëmurë.

Duke pretenduar se bashkëshortja e tij duhet t’i kthehet punës, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për lirim. Por ka qenë prokurorja Esmeranda Basho e cila e refuzoi kërkesën me pretendimin se “nuk ka asnjë fakt të ri për zëvendësimin e masës së sigurimit të vendosur ex ante nga ana e gjykatës dhe ndodhur në këto kushte, nuk ka vend për zëvendësimin e saj”, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Gjykata.

40-vjeçari u arrestua për herë të parë në 16 tetor, teksa ka qenë duke drejtuar automjetin e markës “Ford” dhe në vendin e quajtur “Rrotullimi i rrapit” në lagjen nr.1 Sarandë është ndaluar nga sherbimet e Policisë së Rendit dhe nga testi i alkoolit ka rezultuar në masën 2 g/l në të dyja testet. Në këtë rast Gjyqtari Alban Veçani vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim paraqitje të hënën e parë dhe të tretë të cdo muaji”.

Por në 10 nëntor, 40-vjeçari është arrestuar sërish në vendin e quajtur “Ekualipsi”, në lagjen nr. 4, Sarandë, ku është ndaluar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, dhe nga testi i alkoolit ka rezultuar në masën 2 g /l në të dyja testet. Gjyqtari Mikel Hysometaj me kërkesë të Prokurores Esmeranda Basho e izoloi atë në qeli nën masën “Arrest në burg” ku vazhdon ende.

40-vjeçari nga Gjashta rezulton i dënuar për të njëjtën lloj vepre penale edhe një herë tjetër në datë 26.1.2018 nga Gjyqtarja Enkeleda Doda e Sarandës, ku ka marrë dënim me 4 muaj burg të pezulluar me kusht për 1 vit. Ai u dënua pasi mjeti që ai drejtonte, doli nga rruga në Shelegar dhe për pasojë mbeti i plagosur shoferi dhe pasagjeri, ndërsa testi alkoolit për shoferin doli në masën 1.417 g/l.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat