I vendosën tritol për herë të 3-të në banesë, kush është Bujar Turku që u plagos në masakrën e Lushnjës! Flet krahu i djathtë i kreut të bandës

Shqipëria

I vendosën tritol për herë të 3-të në banesë, kush është Bujar Turku që u plagos në masakrën e Lushnjës! Flet krahu i djathtë i kreut të bandës

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 08:53
Laert Haxhiu

Mbrëmjen e 24 dhjetorit u bë me dije se një banese në Lushnjë i ishte vënë një sasi tritoli. Mësohet se banesa është e një personi, i cili ishte shënjestruar disa herë.

Në fakt, ai konsiderohet tregtar në Lushnjë, por nuk është një emër i panjohur më parë e jo vetëm për sa iu përket rasteve të vënies së tritolit.

Por ajo që bie në sy është fakti se emrin e tij e ka përmendur në dëshminë e vet dhënë për Prokurorinë e Posaçme edhe krahu i djathtë i Laert Haxhiut, i cili krijoi bandën e re të Lushnjës me të cilën iu mori jetën disa personave.

Prokuroria e ka të depozituar dëshminë e Artan Tafanit, ku në një episod ai flet për një shumë parash që lidheshin me furnizimin me drogë, por SPAK nuk e ka bërë publike këtë dëshmi të dhënë nga ushtarivrasës, Artan Tafafin.

Hetimet

Një borxh financiar prej 30 mijë eurosh, që lidhet me furnizimin me hashash nga Spanja në Gjermani, të nipit të Bujar alias Arben Turkut nga grupi i Laert Haxhiut, është shkaku kryesor pse në banesën e Turkut, herë pas here vendoset tritol në Lushnjë.

Laert Haxhia, prej gati dy viteve kërkon pagesën, por në asnjë rast nuk ka mundur ta marrë, megjithëse i është premtuar një gjë e tillë, pikërisht nga Bujar Turku. Ky i fundit njëherësh është dhe njëri nga dëshmitarët okularë që mbeti i plagosur në ngjarjen e vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në vitin 2017 në Lushnjë. Përmes dëshmisë së njërit prej të penduarve të SPAK, “Ora News” hedh dritë mbi këtë ngjarje të rëndë kriminale, ku për të tretën herë policia e Shtetit, dyshon se njerëzit e Laert Haxhiut, kanë vendosur tritol në banesën e Turkut, duke sjellë vetëm dëme materiale.

E para herë, ka ndodhur në 1 nëntor 2022. E dyta ka ndodhur në 31 dhjetor 2022, ndërsa e treta ka ndodhur në 24 dhjetor 2023. Në të tria rastet është një dinamikë krimi, ku motivi kryesor i shkatërrimit të pronës me eksploziv, është pikërisht një borxh financiar prej 30 mijë euro, që nipi i Bujar Turkut, ja ka Laert Haxhiut.

Në dy rastet e para, autor i vendosjes së tritolit në këtë banesë është i penduari i SPAK, Artan Tafani, i arrestuari në Greqi Laert Haxhiu dhe Erisiano Abedini alias “Cano”. Sipas Tafanit vetë Bujar Turku ka hyrë në komunikim me Laert Haxhiun se do i jepnin eurot, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ndërsa në rastin e tretë ende nuk është mësuar emri i personit që kë vendosur sasinë e eksplozivit.

Rrëfimi

Policia e Lushnjës po kryen hetime duke marrë në pyetje disa persona, por banori provizor i shtëpisë Altim Lamçe dhe vetë pronari i banesës Turku, kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe nuk japin sqarime. Ndërkohë në dëshminë e bashkëpunëtorit të SPAK, Artan alias Marjus Tafanit jepet e plotë dinamika e kryerjes së këtij krimi dhe motivit, pse vendoset tritoli në banesën e Bujar Turkut.

Në dëshminë e tij Tafani tregon se: “…dua të them se unë jam autor i ngjarjes se ndodhur në fund të muajit tetor ose fillim nëntori 2022. Ngjarja ka ndodhur në Lushnjë, ku kam vendosur tritol tek banesa e Bujar Turkut, e cila ndodhet afër shtëpisë së ‘Taullanjve’ matanë kanalit. Motivi që Laert Haxhiu ma dha këtë porosi ishte sepse Bujar Turku, kishte një nip që jetonte në Angli dhe Gjermani. Nipit nuk ia di emrin por di që familjar në Lushnjë, kishte vetëm xhaxhain e tij Bujarin. Laerti gjatë vitit 2022 i kishte dërguar nipit të Bujarit një dërgesë me kanabis nga Spanja dhe ia kishte shkarkuar në Dulat, diku tek 120 copë ka qenë dërgesa e parë. Më pas tek dërgesa e dytë që Laerti ia dorëzoi në Gjermani, nipi i Bujarit i ngeli 30 mijë Euro borxh Laertit dhe nuk ja jepte…”.

Më tej bashkëpunëtori i SPAK Tafani, tregon se: “… Në fillim nipi i Bujarit i tha Laertit se do ja jepte borxhin, por më pas humbi kontaktet dhe fiku telefonin dhe Laerti nuk po e kontaktonte dot më. Laerti i kishte çuar njoftim disa herë Bujar Turkut, që nipi t’i jepte paratë dhe Bujari i thoshte: “…do t’i jap…do t’i jap…”.

Këto muhabete mi tregonte Laerti kur takoheshim. Duke qenë se paratë nuk po jepeshin, Laerti më pati thënë që do t’i bëjmë ndonjë gjë atij, Bujarit…”.

Tafani më pas tregon se tek garazhet e dy banesave ku qëndronin në Tiranë me Laertin, mbanin gjithmonë tritol gjendje që ta kishim për ndonjë ngjarje dhe mbanim 1 ose 2 kg, me kallëp 100 ose 200. Tritolin e merrnin në Tepelenë tek Erision Abedini me nofkën “Cano”. Banesat ku rrinim në Tiranë ishin 2, njëra ndodhej tek “Green City” në “Astir” në Tiranë në një pallat në kat të 4, ku kanë qendruar mbi 1 vit aty dhe një tjetër po në “Astir”, ku kanë qenë në kat të katërt të një pallati, i cili poshtë kishte një Bar-Kafe me emrin “Grind”.

Sasia e tritolit prej 400 gramë është përgatitur në shtëpinë bazë që ndodhet tek “Green City”. Në rrëfimin e tij Tafani tregon se: “…në Lushnjë, më ka sjellë Laerti me një mjet “Benz ML” gri, i cili ishte në emrin tim dhe unë e kisha blerë me një dokument të falsifikuar grek me emrin Aleksandër Dhima. Këtë automjet e kisha blerë tek një pikë mjetesh në Lushnjë kundrejt një kontratë të lidhur me punonjësin e pikës. Laerti më la tek urra e “Përroit” dhe kam shkuar në këmbë deri tek banesa e Bujarit”- thotë i penduari i drejtësisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat