Tregu i kriptomonedhave/ Ekspertët: Bankat qendrore herët ose vonë do ta pranojnë këtë “realitet të ri”

Shqipëria

Tregu i kriptomonedhave/ Ekspertët: Bankat qendrore herët ose vonë do ta pranojnë këtë “realitet të ri”

Më: 5 janar 2024 Në ora: 23:27
Ilustrim

TIRANË- Monedhat digjitale janë kthyer në trend botëror, pasi shumë kompani, kanë nisur të kryejnë pagesat nëpërmjet bitcoin. Rritja e vlerës së bitcoin ka bërë që shumë persona dhe ndërmarrje ta shohin këtë si mundësi investimi.

Kjo temë u diskutua këtë të premte në emisionin dedikuar ekonomisë “Sheshi i dollarit”, nga specialistët e fushës.

Profesori i ekonomisë, Adrian Civici, tha se bankat qendrore duket se kanë lëshuar pak terren, duke u treguar më tolerante ndaj bitcoin duke mos i parë më si lëvizje armiqësore, por si një mundësi partneriteti në të ardhmen.

“Muajt e fundit ka rënë agresiviteti i bankave qendrore në raport me qëndrimet karshi bitcoin, që duke mos i cilësuar më si armik, por që edhe ato të futen dhe të bëjnë partneritet me këto kriptomonedhave për ta rregulluar me ligj në mënyrë më transparente. Me logjikën e bankave, janë vlera shumë të mëdha që qarkullojnë në në tregun e  kriptomonedhave dhe nuk mund të rrinë indiferente, por kërkojnë të përfshihen. Sistemi i monedhave digjitale po bëhet pjesë e përditshmërisë. Po fillojmë një periudhë përdorimi normal të tyre, si para digjitale, paralel me format e pagesave që kemi deri tani”, tha ai.

Ekspertja për kriptomonedhat, Denisa Kele, tha se në treg aktualisht janë rreth 30 mijë kriptovaluta, ndërsa shtoi se 1000 prej tyre kanë vlerë të madhe. Ajo u shpreh se Bitcoin është monedha kryesore, e cila po përjeton një trend rritës, duke kapur shifra të larta.

“Do jenë rreth 30 mijë kriptovaluta në treg, por ato që kanë vlerë mund të jenë diku rreth 1000, ndërsa bitcoin ka vlerën më të madhe.  Bitcoin e ka rikuperuar të gjithë humbjet që ka pasur vitet e fundit. Ajo që ë ndjek bitcoin është etherium, e cila ka një vlerë, e cila shkon ndoshta baras me bitcoin. Kemi 40 mijë portofole të hapura në Shqipëri. Më shumë nga individë, por nëse shikojnë trendet, trendi janë te portofolet e vogla”, tha ajo.

Kadri Manaj, ekspert për kriptomonedhat, u shpreh se përkundër skepticizmit të deritanishëm bankat do të përqafojnë këtë realitet të ri, atë të monedhave digjitale.

“Do vijë momenti që edhe  bankat, do ta përqafojnë këtë herët ose vonë”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat