Berisha para mbështetësve: Duke arrestuar liderin e opozitës me Dumanët e korruptuar, Edi Rama krijoi mijëra Sali Berishë

Shqipëria

Berisha para mbështetësve: Duke arrestuar liderin e opozitës me Dumanët e korruptuar, Edi Rama krijoi mijëra Sali Berishë

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 19:54
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza jo vetëm ndaj Kryeministrit Edi Rama por edhe ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se ne “Dumanët e korruptuar, arrestove liderin e opozitës”.

Reagimi:

“Edi Rama, provove të mbash pushtetin duke marrë peng Lul Bravën për të kontrolluar opozitën. Të mbeti brava në dorë. Sot opozita është më e fortë, më e bashkuar se kurrë më parë. Edi Rama, provove të mbash pushtetin duke korruptuar shefin e kundërinteligjencës amerikane, McGonigal. Po ku është ai tani? Në burg dhe po të pret me padurim. Edi Rama, drejtësia vonon por nuk të harron.

Provove të mbash pushtetin duke vjedhur logon e PD, duke ndaluar nga tmerri emrin e Sali Berishës nga fleta e votimit. 600 mijë shqiptarë të thanë se nuk ke shans të zhdukësh opozitën.

Je i pashpresë! Edi Rama, provove të mbash pushtetin duke blerë media me paratë e vjedhura të inceneratorëve. Vetë krahu yt i djathtë, zëvendësi yt të bëri autopsinë dhe dole para shqiptarëve si një kalbësirë që kundërmon anekënd Shqipërisë. 20 shkurti po vjen, priti, priti shqiptarët! Edi Rama, provove të pengosh komisionet hetimore parlamentare për vjedhjet tua të shekullit, për udhëtimet e tua mafioze me avion në dispozicion, për pasurimin e paligjshëm të familjarëve të tu, por faktove para botës të gjitha akuzat e opozitës si të vërteta dhe se ke ti ke frikë nga hetimi, njëlloj si djalli nga temjani për shkak të krimeve që ke kryer gjatë kohës në pushtet.

Më 20 shkurt, sovrani do t’i thotë dy fjalë për të gjitha këto që ke bërë. Edi Rama, provove të mbash pushtetin duke asgjësuar parlamentin e pluralizmit, por të mbeti në dorë parlamenti i krimit. Provove të mbash pushtetin duke arrestuar politikisht me Dumanët e tu të korruptuar liderin e opozitës, por krijove Rrugën e Shpresës, krijove dhjetëra, qindra, mijëra Sali Berishë. Kurse ti, u ktheve në genin e babait tënd xhelat që firmoste varjen në litar të poetit Havzi Nela dhe rendite veten me diktatorët e Ugandës, Tunizisë, Teheranit, Bjellorusisë. Turp i dheut!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat