Mitsotakis shpreson tek Apeli për Belerin

Shqipëria

Mitsotakis shpreson tek Apeli për Belerin

Më: 17 mars 2024 Në ora: 16:58
Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ende shpreson në reflektimin e autoriteteve shqiptare për ta lejuar kryebashkiakun e zgjedhur të Himares të betohet. Në intervistën për tv SKAI Mitsotakis tha se mënyra se si Shqipëria e trajtoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet greko-shqiptare.

Kyriakos Mitsotakis: Ne kemi folur në vijimësi për çështjen Beleri. Ne kemi shprehur rezervat tona të forta, jo vetëm për faktin se Fredi Belerit nuk i është dhënë mundësia që të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim. Ende nuk ka vendim përfundimtar, ka vetëm një vendim të gjykatës së shkallës së parë. Ne do të vazhdojmë të ngulmojmë për një proces të drejtë gjyqësor. Më vjen keq ta them, është e ditur se mënyra se si Shqipëria e trajtoi këtë çështje ka ndikuar jo për mirë në marrëdhëniet greko-shqiptare.

Yannis Dsounos: Negativisht?

Kyriakos Mitsotakis: Po, negativisht. Nuk është diçka që ne e donim. Dhe unë ende shpresoj, që kjo çështje mund të zgjidhet.

Greqia ende mban në fuqi veton brenda BE-së për mos lejimin e nisjes së shqyrtimit të kapitujve të anëtarësimit me Shqipërinë.

Televizioni grek SKAI, ka publikuar edhe faktin se emri i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, burgimi i të cilit i solli në pikën e thyerjes marrëdhëniet me Shqipërinë mund të jetë kandidat i Mitsotakis për eurodeputet në zgjedhjet europiane të qershorit.

Mbështetësit e këtij skenari besojnë se një kandidim i mundshëm i Belerit do t’i japë pikë të rëndësishme në elektorat qeverisë greke, duke ushqyer ndjenjën e shumicës së madhe të qytetarëve grekë që e konsiderojnë si të padrejtë burgosjen e tij.

Pikë referimi për çdo zhvillim do të jetë vendimi i të martës se javës së ardhshme i Apelit Gjykatës së Posaçme pasi shkalla e parë dha dënimin ndaj Belerit me dy vite burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat