Kultivuan katër sera me kanabis në Berat, bien në pranga 6 organizatorët, 3 në kërkim, SPAK identifikon grupin kriminal dhe tregon rolin e secilit prej tyre

Shqipëria

Kultivuan katër sera me kanabis në Berat, bien në pranga 6 organizatorët, 3 në kërkim, SPAK identifikon grupin kriminal dhe tregon rolin e secilit prej tyre

Më: 26 prill 2024 Në ora: 07:24
Foto ilustrim

Nëntë persona nga Malësia e Madhe, Kuçova, dhe Berati janë identifikuar si organizatorët dhe financuesit e serave me kanabis që u zbuluan në fshatin Rërëz të Beratit dy vite më parë, ku rezultoi se ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të policisë. Për të kultivuar kanabisin në 4 sera të mbyllura me plastmas, ishin punësuar gjithsej 95 gra. Organizatorët për kultivimin e katër serave të kanabisit instaluan një linjë për furnizimin me energji elektrike dhe një linjë për furnizimin me ujë, si dhe pajisjet e duhura për realizimin e tharjes së lëndës narkotike.

“Organizatorët ngritën 4 sera për kultivimin e bimëve narkotike, instaluan një linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, dhe me të gjitha pajisjet e duhura, për kultivimin e bimës cannabis sativa, e ndërsa në periudhën shtator-tetor-nëntor, organizuan punën për procesin e tharjes, pastrimit e paketimit të sasive të lëndës narkotike, me qëllim shitjen e mëtejshme të tyre”, shkruhet në deklaratën zyrtare.

Për të realizuar të gjithë punën e kultivimit të kanabisit në katër serat e mbyllura raportohet se ishin punësuar gra që nga zona përreth dhe rrethinat ku ishin pajisur me armë zjarri si dhe ishin siguruar dhe 81 dyshekë me ajër për të siguruar dhe fjetoren.

"Për realizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm ata rekrutuan si krah pune, persona të gjinisë femërore nga qyteti e rrethinat, të cilat edhe i paguanin për punën që kryenin, duke u mbuluar të gjitha shpenzimet e transportit, e të tjera nevoja. Në sera kishin krijuar edhe fjetore në 81 dyshekë me ajër. Për mbrojtjen e aktivitetit të paligjshëm kishin siguruar dhe armë zjarri, disa prej të cilave u sekuestruan" thuhet në njoftimin e SPAK. Kujtojmë se operacioni u ndërmor më 10 nëntor 2022, gjatë të cilit u kap një sasi prej 870 kg kanabis si dhe u arrestuan 11 persona. Dy vite më pas me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi më 22 prill 2024 caktimin e masës së sigurisë personale “arrest në burg” për 9 persona. Në pranga kanë përfunduar: Sadetin Hasaj, Lulëzim Bushataj, Mustaf Manej, Suad Smakaj, Arben Vrapi, Adiol Çifliku.

SPAK identifikon rolin e të arrestuarve

-Sadetin Hasaj banues në Koplik, Malësi e Madhe shfaqet si organizator e drejtues i aktivitetit të kultivimit të bimëve narkotike në sera, i cili kujdesej për mirëfunksionimin e sistemit ujitës e vaditës në sera dhe për shpenzimet për mjete pune, ushqime, medikamente për bimët, si dhe për pagesat e punëtorëve në sera, ku siguronte dhe armë zjarri për sigurinë e serave dhe të lëndës narkotike cannabis sativa.

-I arrestuari Arben Vrapi banues në Drenovicë, Berat ka vënë parcelat dhe tokat në dispozicion të kultivuesve e prodhuesve të lëndëve narkotike.  -I arrestuari Mustaf Manej banues në Gruemirë, bashkëvepronte për sigurimin e lëvizjes së personave (kryesisht të gjinisë femërore).

I arrestuari Lulëzim Bushataj banues në Demiraj, Malësi e Madhe shfaqej aktiv në transportimin e fuqisë punëtore nga qytete e rrethina në Drenovicë, Berat.  -Të njëjtat aktivitete kryenin edhe të arrestuarit Suad Smakaj banues në Demiraj, Malësi e Madhe dhe Adiol Çifliku banues në Vodëz, Kuçovë, Berat të cilët siguronin mjetet e pajisjet e nevojshme (gërshërë, thasë, qese etj.), për mbarëvajtjen e aktivitetit, si dhe ushqime për fuqinë punëtore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat