Anulohet rinovimi i koncesionit të pullave fiskale, aktivitetin do ta kryejë një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave

Shqipëria

Anulohet rinovimi i koncesionit të pullave fiskale, aktivitetin do ta kryejë një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave

Më: 27 prill 2024 Në ora: 08:31
Foto ilustrim

Qeveria shqiptare ka vendosur të mos rinovojë më kontratën koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale. Ndryshimet në ligjin përkatës të akcizës janë nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave dhe përcaktojnë se prej 1 janarit 2025, pulla fiskale do të prodhohet dhe shpërndahet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

Ndërkohë, elementët e sigurisë dhe çmimi i pullës fiskale përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Ky projektligj vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit me shoqërinë “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, sipas së cilës prodhimi, shpërndarja e monitorimi i pullave fiskale të akcizës aktualisht kryhet nga shoqëria koncesionare. Pullat fiskale vihen në produkte të tilla si cigaret dhe pijet alkoolike.

Përpara dhënies me koncesion, nga viti 2008 deri në vitin 2012, prodhimi i tyre është kryer nga një shoqëri aksionere në pronësi të shtetit, e përcaktuar nga vetë Këshilli i Ministrave. Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo do të mbetet e njëjtë edhe pas datës 1 janar 2025, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do ti paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat