Lavdëroi partizanët,Legaliteti-Balli: Berisha komunist i pandreqshëm

Shqipëria

Lavdëroi partizanët,Legaliteti-Balli: Berisha komunist i pandreqshëm

Më: 6 nëntor 2016 Në ora: 07:47
Sali Berisha

Një deklaratë e papritur dhe e pazakontë e ish-kryeministrit Sali Berisha, në seancën e fundit plenare, ku e konsideroi luftën e partizanëve një faqe të ndritur të historisë, ka indinjuar legalistët, ballistët dhe ish të përndjekurit politikë. Ballistët dhe legalistët, aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, ndjehen të zhgënjyer nga qëndrimi i ish-kryeministrit Berisha, ndërsa të përndjekurit shprehen për Shqiptarja.com, se nuk janë të befasuar, teksa e konsiderojnë Berishën lojë dhe njeriun e Ramiz Alisë.

Kreu i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, simbol i vuajtjeve që shkaktoi regjimi komunist, pohon se Berisha është i sinqertë në deklaratën e tij, pasi ishte i besuari i Ramiz Alisë, për mbrojtjen e komunistëve pas ndryshimit të sistemit. Ndërsa kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, tha se tezën se, komunistët bënë beteja të drejta, por disa diktatorë tradhtuan kauzat e tyre, e mbartin dhe e mbrojnë komunistët më të pandreqshëm të Francës, Spanjës, Belgjikës, Gjermanisë, Italisë dhe gjetkë.

Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, pohoi se Berisha ose nuk e njeh historinë ose po mundohet t’a përdorë politikisht këtë çështje.“Për sa i përket deklaratës së ish-kryeministrit Berisha, që e quajti luftën e partizanëve një nga faqet më të ndritura të historisë, ose Berisha nuk e njeh historinë çka është e mundur pasi e ka dhënë provën në të kaluarën se ndryshon mendim kur mëson më shumë, sikur bëri në rastin e Mbretit dhe Mbretërisë, ose mundohet t’a përdorë politikisht këtë çështje, ndonëse për mua kjo është një betejë e humbur. Ose mendon realisht kështu dhe kjo do të ishte çudi, pasi zakonisht, tezën se, komunizmi dhe betejat e veta ishin të drejta, por disa diktatorë tradhtuan kauzën komuniste, pra këtë tezë, e mbartin dhe e mbrojnë komunistët më të pandreqshëm të Francës, Spanjës, Belgjikës, Gjermanisë, Italisë dhe gjetke. Cila do të jetë arsyeja për të cilën Berisha është shprehur për luftën e partizaneve si një nga faqet e ndritura të historisë, mendoj se për të mirën e vet dhe në nder të viktimave nacionaliste të luftës së partizanëve komuniste, do të kishte bërë më mirë që të heshtte”, tha Gjana.

Kurt Kola është më i prerë dhe i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij për deklaratën e ish-kryeministrit. “Lufta kaloi në vëllavrasje, me ndërmjetësimin e dy përfaqësuesve serbë. Por, Berisha vazhdoi ideologjinë komuniste në ’92. U edukua dhe shkolluar me atë ideologji. U bë sekretar partie për 25 vjet. Në këtë kuadër, Berisha nuk ka se si të dalë kundër komunistëve, të cilët shkatërruan Shqipërinë. Ishte i sinqertët. Berisha, po të ishte antikomunist, puna e parë që duhet të bënte kur ishte president, duhet të ngrinte një Gjykatë Speciale për të dënuar diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar, i cili pushkatoi mbi 6 mijë shqiptarë dhe burgosi 30 mijë të tjerë. Por, Berisha ishte i besuar i Ramiz Alisë dhe i Byrosë Politike. Ishte lojë e tyre. Po të ishte i djathtë, duhet të kishte dënuar diktatorin për genocid, do të dënonte krimet masive, do t’u kthente pronën pronarëve, do t’u jepte të drejtat të burgosurve dhe të internuarve politikë etj. Nëse do t’i bënte këto, nuk do të ishte një i vendosur dhe njeri i Ramizit. Por, nuk i bëri”, tha Kola.  

Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, duke iu referuar deklaratës së Berishës, tha për Shqiptarja.com se, Balli Kombëtar dhe PD kanë programe të ndryshme. “Unë nuk i ndaj njerëzit në tradhtar dhe jo tradhtar, gjuha e Ballit është vëllazërimi dhe bashkimi dhe jo ndarja. Pa Ballin Kombëtar nuk do të kishte luftë kombëtare, pa Ballin Kombëtar nuk do të kishte luftë kundër komunistëve, pa Ballin Kombëtar nuk do kishte identitet dhe frymë kombëtare. Z. Berisha ka programin e Partisë Demokratike dhe Balli Kombëtar ka programin e tij, sigurisht që do ishim më mirë në qoftë se do kishim ndëshkuar krimet që u bënë ndaj Balli Kombëtar, do ishte më mirë në qoftë se do të kishim ndryshuar historinë. Unë gjykoj se është momenti që politikbërja të shkëputet dhe të largojë mendësinë komuniste nga historia dhe të fusë historinë e kombit shqiptar në shtratin e plotë kombëtar”, tha ai.

Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, ka komentuar edhe rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerikëve.“Kjo rezolutë shënon një hap të parë pozitiv drejt dënimit të krimeve të komunizmit. Por është e papranueshme që të bëhet një diskriminim ndërmjet viktimave dhe që kjo rezolutë të marrë parasysh vetëm krimet ndaj klerikëve. Edhe njëherë, parlamenti shqiptar tregoi hipokrizinë e vet në raport me diktaturën komuniste, krimet dhe viktimat. Nuk kuptoj se si është mundur që, 26 vjet pas ndryshimeve politike, në vendin tonë, të guxojnë të tallen kështu me viktimat?! Ky diskriminim mund të na çojë nesër në situatën absurde të një rezolute tjetër për dënimin e krimeve ndaj qytetarëve, pastaj të një tjetre për krimet ndaj fshatarëve, pastaj ndaj të arsimuarve, dhe të një tjetre ndaj injorantëve, pse jo të një rezolute për dënimin e krimeve ndaj atyre që ishin mbi 1 metër e 80 e kështu me radhe. Dinakëria e këtyre parlamentarëve dhe politikanëve nuk paska kufi. Edhe kjo ndodhi sepse Vatikani vendosi të shugurojë këtë muaj 38 priftërinj, viktima të komunizmit, dhe ustallarët e mashtrimit mendojnë se me këtë hap do të arrijnë të mashtrojnë edhe Vatikanin. Për mua dhe PLL, viktima është viktimë dhe çdo diferencim ose diskriminim është sikur një vrasje e dytë që u bëhet viktimave. Përjashtojmë këtu, natyrisht, ata që ishin pjesë e aparatit diktatorial komunist dhe që pësuan nga "spastrimet" që bëheshin herë pas here brenda llojit”, tha Gjana.
 
Qëndrimi i Sali Berishës për luftën e partizanëve
“Meqë e hapa temën do them dhe vetëm dy fjalë. E kam thënë dhe e them prapë se është një faqe e ndritur Lufta Çlirimtare. E kam thënë, e them dhe do ta them gjithë jetën time. Duke thënë këto, e them dhe do ta them se që në momentin e themelimit të saj nga Mugosha dhe Popovici PKSH u themelua, si repart i partisë komuniste të Serbisë, me porosi të Kominternit. PKSH organizoi Luftën nën udhëheqjen e Mugoshës. A e di ti që Enver Hoxha nuk u emërua qe ne fillim sekretar i parë ai? A e di ti që i dhanë çelësat e financës dhe postin e sekretarit te parë e mbajti Dushani për kohë të tërë derisa e rekrutuan Hoxhën? Lexoni historinë. Pasi e rekrutuan e vunë në krye të PKSH, natyrisht Dushani urdhëronte. Erdhi një moment brilant në historinë tonë me ndihmën e qeverisë britanike, dhe ky moment i jashtëzakonshëm ishte konferenca e Mukjes, e cila bashkoi forcat e shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet ideologjike e politike në luftë kundër pushtuesit, por mbi të gjitha, përcaktoi si zgjidhje të çështjes kombëtare Shqipërinë etnike. Zgjodhi Komitetin e Shpëtimit Kombëtar me një krye një eksponent kryesor të Ballit, intelektual i shquar Hasan Dosti dhe zgjodhi komandant të njësive partizane të Shqipërisë, njeriun që në konferencën e Pezës ishte krah për krah me partizanët, komandantin legjendar Abaz Kupin. Brenda një jave, ndërhyrja e serbëve ishte violente, ishte shkelmim dhe këtë e detyruan dhe Enver Hoxhën te hidhte poshtë marrëveshjen e Mukjes duke kryer dhe aktin e madh të tradhtisë kombëtare. U bë debat këtu këtë javë për ata që dekoroi presidenti republikës. Ore të mjerë, krimet e luftës nuk parashkruhen kurrë, nuk do të thotë se pse je në luftë të kryesh krime monstruoze. Genocidi nuk parashkruhet kurrë. Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen kurrë”. /shqiptarja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat