Zbulohet udhëzimi i Bashës, ja si do t'i zgjedhë deputetët e Kuvendit të ri

Shqipëria

Zbulohet udhëzimi i Bashës, ja si do t'i zgjedhë deputetët e Kuvendit të ri

Më: 23 janar 2017 Në ora: 09:31
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përmes një udhëzimi u ka kërkuar kryetarëve të degëve dhe anëtarësisë së PD-së të konsultohen me përfaqësues të botës akademike dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve për propozimin e kandidaturave për deputetë

Krahas betejës politike për plotësimin e kërkesave të saj për votim dhe numërim elektronik, Partia Demokratike ka angazhuar degët e saj në rrethe për nisjen e një procesi të gjerë të mbledhjes së kandidaturave për Kuvendin e ardhshëm.

Përmes udhëzimit që Basha u ka nisur drejtuesve të PD-së në rrethe kërkohet që përfaqësuesit demokratë të nisin dialogun për mbledhjen e kandidaturave për deputetë përmes një konsultimi të gjerë.

“Anëtarët e PD-së duhet të angazhohen në një dialog të hapur me mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe komunitetin në tërësi, shoqërinë civile, botën akademike dhe studentore, sipërmarrjen, të përndjekurit politikë dhe pronarët, organizatat jofitimprurëse”, thuhet në udhëzimin që kanë marrë drejtuesit e PD-së në rrethe.

Në pikën e tretë të këtij udhëzimi, drejtuesit demokratë kanë përcaktuar edhe disa nga kriteret bazë që duhet të plotësojnë emrat që do të propozohen për deputetë në Partinë Demokratike.

“Propozimet duhet të përfshijnë individë të spikatur nga të gjitha fushat e jetës, me integritet të lartë moral dhe shoqëror, me kontribute dhe arritje profesionale të njohura, dhe që gëzojnë respekt në komunitetin vendës dhe më gjerë”, thuhet në udhëzimin e PD-së. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka përcaktuar 15 shkurtin si afatin final, kur drejtuesit e PD-së në rrethe do të vijnë me propozime konkrete për deputetët që do të përfaqësojnë demokratët në zgjedhjet e ardhshme.

Propozimet elektronike

Propozimet për kandidatët e mundshëm në listën e PD-së, nuk do të mblidhen vetëm nga drejtuesit e PD-së në rrethe. Dy ditë më parë në faqen zyrtare të Partisë Demokratike është publikuar një dritare e re, që u jep mundësinë qytetarëve të propozojnë online deputetin e tyre. Në faqen “pd.al/propozo- deputetin-tënd”, qytetarët e ndryshëm mund të japin alternativën e tyre, duke propozuar kandidatin që duan. Kandidatët e propozuar do të seleksionohen nga grupet e punës në selinë blu, të cilët do të kalojnë në sitën e kontrollit të figurës ose, siç njihet ndryshe, procesi i vetingut.

“Partia Demokratike zhvillon një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë. Të gjithë anëtarët, mbështetësit, por edhe qytetarët e tjerë, janë të ftuar të propozojnë ato apo ata që duan t’i kenë deputetë. Këto kandidatura do t’i nënshtrohen fillimisht verifikimit dhe kontrollit të figurës dhe pastaj, mes tyre do të përzgjidhen ata që do të përbëjnë listën zgjedhore të PD-së në të gjithë vendin”, thuhet në faqen zyrtare të selisë blu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat